Fëmijët zhvillojnë krijimtarinë dhe vetëbesimin përmes teknologjisë

Përmes nismës ‘Tinkering with Tech and AI’ të UNICEF-it, nxënësit në Mal të Zi përdorin teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për të eksploruar, bashkëpunuar dhe zhvilluar aftësi të shekullit XXI

UNICEF Mali i Zi
Tinkering with Tech event with children
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić
03 Nëntor 2026

PODGORICË, 2 QERSHOR 2026 – Kur Jana 9 vjeçe u njoh për herë të parë me pajisjen micro:bit, që programohet lehtë, përmes nismës ‘Tinkering with Tech and AI’ të UNICEF-it, ajo nuk po mësonte vetëm për teknologjinë, por edhe të identifikonte probleme, të gjente zgjidhje, të punonte në ekip dhe të zbulonte mënyra të reja për të krijuar e testuar aplikacione praktike. Thënë thjesht, ajo mësonte përmes lojës.

“Kuptova se idetë e mia mund të jenë të dobishme, se nuk duhet të dorëzohem dhe se duhet të provoj përsëri”, tha Jana Neneziq, nxënëse e klasës së katërt në Shkollën Fillore “Mirko Srzentiq” në Petrovac.

Për fëmijët që rriten në një botë digjitale, nuk mjafton më të dinë ta përdorin teknologjinë. Ata duhet edhe ta kuptojnë, ta vënë në pikëpyetje dhe ta përdorin me përgjegjësi. Tani që inteligjenca artificiale (IA) po bëhet pjesë e jetës së përditshme dhe e arsimit, shkollat mund t'i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë krijimtarinë, mendimin kritik dhe aftësitë për bashkëpunim, komunikim e zgjidhje problemesh.

Mbi këtë mbështetet nisma Tinkering with Tech and AI e UNICEF-it. Nisma globale mbështetet nga Arm dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës. Në Mal të Zi, Byroja për Shërbime Arsimore e zbatoi nismën si projekt pilot nga dhjetori 2025 deri në qershor 2026, me mbështetjen e UNICEF-it në partneritet me Micro:bit Educational Foundation.

micro:bit është një pajisje e vogël digjitale që fëmijët mund ta programojnë lehtë - për shembull, që të reagojë ndaj lëvizjes, dritës, temperaturës, prekjes ose radio-sinjaleve. Duke punuar me të, nxënësit zbulojnë se mjetet digjitale mund të përdoren jo vetëm për lojë, por edhe për eksplorim, testim idesh dhe krijim zgjidhjesh të thjeshta.

Vlera e nismës qëndron jo vetëm te prototipat që krijuan nxënësit, por edhe te procesi që ndoqën: vëzhgimi i problemeve, parashtrimi i pyetjeve, shkëmbimi i ideve dhe të nxënit nga gabimet.

“Më pëlqeu më shumë që, duke punuar së bashku, zgjidhëm shumë probleme. Mësuam të bashkëpunojmë dhe të mos dorëzohemi kur diçka nuk funksionon me të parën”, tha Pavle Kiqoviq, nxënës i klasës së katërt në Shkollën Fillore “Bajo Jojiq” në Andrijevicë.

Gjatë vitit shkollor 2025/2026, në program morën pjesë 1,266 nxënës nga 23 shkolla dhe 63 klasa në mbarë Malin e Zi. Prezantimet rajonale në Beranë, Podgoricë, Petrovac dhe Nikshiq u dhanë nxënësve mundësinë të shpjegonin jo vetëm çfarë kishin krijuar, por edhe si kishin bashkëpunuar, si kishte ndikuar në jetën e tyre qasja në teknologjinë e re dhe çfarë kishin mësuar gjatë procesit.

Sipas studimit shoqërues, rreth 83 për qind e nxënësve thanë se kishin krijuar diçka interesante me pajisjet micro:bit, ndërsa 90 për qind thanë se u pëlqente t'i përdornin gjatë mësimit.

Përvoja ishte e re jo vetëm për fëmijët; edhe mësimdhënësit u njohën me mjete të reja dhe një mënyrë tjetër pune. Së bashku me nxënësit, ata eksploruan, testuan ide dhe gjetën zgjidhje.

“Fëmijët treguan shumë më tepër pavarësi nga sa prisnim. Ishte mrekulli të shihnim se si gabimet dhe përpjekjet e reja çonin drejt zgjidhjeve dhe si fëmijët dhe ne [mësimdhënësit] i kapërcenim së bashku sfidat. Jemi shumë krenarë për atë që arritëm”, tha Ina Kekoviq, mësimdhënëse në Shkollën Fillore “Vuko Jovoviq” në Danilovgrad.

‘Tinkering with Tech and AI’ është pjesë e vizionit global të UNICEF-it për të mbështetur qeveritë, mësimdhënësit dhe nxënësit që ta përdorin teknologjinë jo vetëm si mjet, por edhe si mënyrë për të eksploruar, krijuar dhe zgjidhur probleme në komunitetet e tyre.

“Kur fëmijët e përdorin teknologjinë për të eksploruar një problem, për të punuar në ekip, për të testuar idetë dhe për të përmirësuar zgjidhjet e tyre, ata zhvillojnë shumë më tepër sesa aftësi digjitale. Ata zhvillojnë vetëbesimin, krijimtarinë dhe mënyrën e të menduarit që u nevojitet për të ardhmen”, tha Leotes Helin, menaxhere e arsimit në UNICEF Digital Education and Global Learning Innovation Hub.

Kjo qasje mund të bëhet pjesë e mësimit të rregullt, edhe me nxënësit më të vegjël, përmes një procesi të udhëzuar, praktik dhe të përshtatur për fëmijët. Për Janën, mësimi më i rëndësishëm nuk mbeti vetëm brenda klasës.

“Teknologjia mund t'i ndihmojë njerëzit. Zhvilluam imagjinatën dhe mësuam të punojmë si ekip. Tani e kam më të lehtë dhe ndihem më e sigurt kur duhet t'i paraqes idetë e mia dhe t'i ndaj me të tjerët”, tha ajo.

Duke e integruar këtë qasje në mësimin e rregullt, çdo fëmijë – pavarësisht se ku jeton apo cilën shkollë ndjek – do të kishte mundësi të zhvillonte shkrim-leximin digjital dhe njohuritë e aftësitë kritike për IA-në në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme. Ndërsa ndërtojmë një vizion që shkon “përtej përdorimit të zakonshëm të teknologjisë digjitale”, mjetet digjitale në arsim duhet të përdoren në mënyrë që t'u mundësojnë fëmijëve të eksplorojnë, të krijojnë dhe të zhvillojnë aftësitë që u duhen për të ardhmen.