VOLI dhe UNICEF mbështesin prindërit në mbarë Malin e Zi

Fushatë e re e nisur nga UNICEF-i dhe VOLI në mbarë Malin e Zi për t'u kujtuar prindërve dhe kujdestarëve se fëmijët mësojnë empatinë, respektin, përgjegjësinë, vetëbesimin dhe zgjidhjen e konflikteve pa dhunë si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi

UNICEF Mali i Zi
A boy smiling and playing
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić
16 Tetor 2026

Podgoricë, 8 korrik 2026 – “Fëmijëve nuk u duhen prindër të përsosur. U duhen prindër që rriten bashkë me ta.”

Ky është mesazhi i një fushate të re që UNICEF-i dhe VOLI kanë nisur në mbarë Malin e Zi për t'u kujtuar prindërve dhe kujdestarëve se fëmijët mësojnë empatinë, respektin, përgjegjësinë, vetëbesimin dhe zgjidhjen e konflikteve pa dhunë si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi.

Fushata i bënë bashkë dy programe.

I pari është Vlerat dhe virtytet e mia, një program i të nxënit socio-emocional që aktualisht përfshin mbi 46,000 nxënës në 143 shkolla fillore dhe të mesme në mbarë Malin e Zi. Me mbështetjen e VOLI-t, programi po shtrihet edhe në 15 shkolla fillore.

I dyti është Familje të Kujdesit një program që u ofron prindërve mbështetje praktike për sfidat e përditshme të prindërimit - nga dëgjimi i fëmijëve dhe vendosja e kufijve të qartë deri te mbështetja e tyre kur gabojnë, përjetojnë dështime ose hasin vështirësi. Deri më tani, programi ka mbështetur mbi 2,250 prindër në 18 komuna.  Me mbështetjen e VOLI-t, programi Familje të Kujdesshme do ta zgjerojë mbështetjen edhe për prindërit e adoleshentëve, me synimin të përfshijë mbi 300 familje në të paktën 10 komuna të Malit të Zi.

“Nuk ka prind të përsosur, as fëmijë të përsosur. Fëmijëve u duhen mbi të gjitha të rritur që i dëgjojnë, reflektojnë, angazhohen, mësojnë dhe rriten bashkë me ta. Prindërit nuk duhet të lihen vetëm në këtë proces – mbështetja e prindërve është një nga mënyrat më të mira për të mbështetur fëmijët”, tha Michele Servadei, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.

Prindërit që kanë përfunduar programin “Familje të Kujdesit” thonë se ai i ndihmoi të mësojnë dhe të rriten bashkë me fëmijët e tyre.

“Të gjithë duam më të mirën për fëmijët tanë, por ndonjëherë edhe prindërit kanë nevojë për mbështetje. Ky program e ka bërë prindërimin shumë më të lehtë”, tha një nënë që mori pjesë në program.

Për shumë prej tyre, ndryshimi më i madh nisi nga vetja.

“Kuptova se së pari duhej të ndryshoja vetë. Kur ndryshova mënyrën si komunikoja me fëmijët e mi, ndryshoi edhe marrëdhënia jonë”, tha një baba që mori pjesë në program.

Fushata e përbashkët VOLI dhe UNICEF do të jetë e pranishme në supermarketet VOLI në mbarë vendin, duke i nxitur prindërit dhe kujdestarët të regjistrohen në seancat e prindërimit dhe të kuptojnë se aftësitë që u duhen fëmijëve për të ndërtuar marrëdhënie të shëndosha, për të menaxhuar emocionet dhe për të zgjidhur konfliktet pa dhunë nisin të zhvillohen që në moshë të vogël – në shtëpi dhe në shkollë, gjithmonë me mbështetjen e prindërve.

“Empatia, respekti, përgjegjësia dhe vetëbesimi zhvillohen si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë. Prandaj, së bashku me UNICEF-in, investojmë në mbështetje cilësore për prindërit dhe familjet në mbarë Malin e Zi, sepse pikërisht përmes marrëdhënieve të përditshme familjare fëmijët mësojnë të dëgjojnë të tjerët, të menaxhojnë emocionet dhe t'i zgjidhin konfliktet pa dhunë”, tha Olivera Lakonić, drejtoreshë e marketingut në kompaninë VOLI.

Prindërimi sjell pyetje dhe sfida të reja në çdo fazë të zhvillimit të fëmijës. Prandaj, mbështetja për prindërit nuk është shenjë se po bëjnë diçka gabim, por mundësi për të mësuar dhe për t'u rritur bashkë me fëmijët e tyre.

Në fushatë do të marrin pjesë edhe Reporterët e Rinj të UNICEF-it në Mal të Zi, të cilët do të tregojnë nga këndvështrimi i tyre se çfarë u duhet më së shumti nga prindërit.

“Nuk kërkoj gjithmonë këshilla. Ndonjëherë kam nevojë vetëm që prindërit të më dëgjojnë deri në fund”, tha reporterja e re e UNICEF-it në Mal të Zi, Viktorija Milić.

“E kam më të lehtë ta them të vërtetën kur e di se mund të flasim pa bërtitur dhe se është në rregull të kemi mendime të ndryshme”, tha reporteri i ri i UNICEF-it në Mal të Zi, Luka Vujović.

Mënyra si të rriturit u flasin dhe i dëgjojnë fëmijët formëson mënyrën si fëmijët komunikojnë me të tjerët. Përmes ndërveprimeve të përditshme në familje, fëmijët zhvillojnë empatinë, respektin, përgjegjësinë dhe aftësinë për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet me dialog konstruktiv.

Kur fëmijët rriten me besim, mbështetje dhe kufij të qartë, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë vetëkontrollin, qëndrueshmërinë emocionale, aftësitë e bashkëpunimit dhe aftësinë për t'i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore.

Në Mal të Zi, 66% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike ose psikologjike nga kujdestarët (MICS, 2018), ndërsa më shumë se gjysma e qytetarëve (57%) besojnë se goditja e një fëmije është e justifikuar në situata të caktuara ose e konsiderojnë metodë efektive të edukimit të fëmijëve (Ipsos, 2024). Prandaj UNICEF, së bashku me Qeverinë e Malit të Zi dhe VOLI, investon në programe që forcojnë zhvillimin socio-emocional të fëmijëve dhe u japin prindërve aftësi praktike prindërimi që ndihmojnë në parandalimin e dhunës.