Virusi vdekjeprurës që shkakton paralizën tek fëmijët

Vaksinimi ka ulur prevalencën e poliomielitit deri në 99%, duke shpëtuar më shumë se 1.5 milionë jetë. Por, shpërthimet e epidemive janë rikujtim se sëmundja mbetet rrezik për fëmijët kudo derisa të mos çrrënjoset plotësisht.

UNICEF
Beba, pokret
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić
17 Mars 2025

Poliomieliti ose polio shkaktohet nga një virus shumë infektiv. Më së shpeshti përhapet nëpërmjet rrugës fekalo-orale, ose nëpërmjet ujit ose ushqimit të kontaminuar. Kjo është arsyeja se pse rastet e poliomielitit vërehen më shpesh në zonat që nuk kanë qasje në ujë të sigurt dhe në kanalizime të besueshme, si dhe tek ata që kanë shkallë më të ulët të imunizimit.

Kushdo që nuk është vaksinuar mund të infektohet – dhe të kalojë – virusin e poliomielitit. Megjithatë, poliomieliti është më i zakonshëm tek fëmijët nën moshën pesë vjeç. Nuk ka shërim - vetëm parandalim në formën e vaksinës kunder poliomielitit.

Për rreth nëntë nga dhjetë njerëz që preken nga poliomieliti, simptomat janë të lehta ose inekzistente. Kjo, së bashku me një periudhë inkubacioni që mund të zgjasë më shumë se një muaj, e bën të lehtë përhapjen e sëmundjes. Nëse ndodhin, simptomat mund të përfshijnë ethet, ngurtësim të qafës, lodhje, dhimbje koke, të vjella dhe dhimbje. Për rreth tre nga 100 njerëz të infektuar, poliomieliti mund të shkaktojë meningjit ose inflamacion të trurit.

Për rreth 3 nga çdo 10 njerëz që preken nga poliomieliti, simptomat e poliomielitit zhduken, por vetëm për t'u rikthyer vite më vonë - zakonisht 10 deri në 40 vite pas infeksionit. Kjo gjendje, e quajtur sindroma post-polio (PPS), përfshin dobësimin dhe plogështimin (atrofinë) e muskujve, lodhjen dhe dhimbjen e kyçeve dhe muskujve.

Për rreth 1 person nga çdo 200 të infektuar, poliomieliti shkakton paralizë. Kjo paralizë është e pakthyeshme dhe e përjetshme. Për rreth një nga 10 prej atyre që janë të paralizuar, kjo paralizë shkakton vdekjen. Kjo për shkak të paralizës së muskujve të frymëmarrjes.

Nga mesi i shekullit të 20-të, epidemitë e poliomielitit po bëheshin gjithnjë e më të zakonshme. Para daljes së vaksinës së poliomielitit, dhjetëra mijëra njerëz, shumica prej tyre fëmijë, vdisnin ose paralizoheshin nga poliomieliti çdo vit.

Storje suksesi e vaksinës

Vaksina e parë efektive kundër poliomielitit u krijua në fillim të viteve 1950 - dhe mjeku që e zhvilloi atë ishte aq i sigurt për sigurinë e saj, saqë ai e testoi atë së pari tek vetja e tij dhe familja e tij. Në vitin 1954, kjo vaksinë e inaktivizuar e poliomielitit (IPV) u përdor për më shumë se 1.5 milion fëmijë në Finlandë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Këto teste vërtetuan më tej se vaksina e poliomielitit ishte e sigurt dhe efektive.

Disa vite më vonë, u krijua një lloj i dytë i vaksinës, përkatësisht vaksina orale e poliomielitit (OPV). Testet në më shumë se 10 milionë fëmijë dëshmuan se edhe vaksina orale ishte e sigurt dhe efektive.

Derisa këto vaksina po shpëtonin mijëra jetë, jo secili vend kishte qasje të barabartë në to, dhe shumë fëmijë mbetën të pavaksinuar. Edhe në vitet 1980, më shumë se 350,000 njerëz në mbarë botën, shumica prej tyre fëmijë të vegjël dhe foshnja, vazhduan të prekeshin nga poliomieliti çdo vit.

Në vitin 1988, partnerët, duke përfshirë UNICEF-in, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, qeveritë kombëtare dhe të tjerë, u mblodhën për të lansuar Iniciativën Globale për Çrrënjosjen e Polios. Falë shpërndarjes globale të vaksinës së poliomielitit nga aleanca, normat larta globale të rasteve ranë në mënyrë dramatike.

Që nga viti 1988, rastet e poliomielitit janë ulur për 99%. Rreth 1.5 milionë jetë janë shpëtuar dhe 20 milionë njerëz kanë shmangur paralizën.

Si partner i Iniciativës Globale për Çrrënjosjen e Polios, UNICEF-i ndihmon në vaksinimin e më shumë se 400 milionë fëmijëve kundër poliomielitit çdo vit. UNICEF gjithashtu menaxhon prokurimin dhe shpërndarjen e më shumë se 1 miliard dozave të vaksinës në vit – që është më shumë se gjysma e totalit global.

A ekziston akoma polio?

Pavarësisht këtij suksesi të jashtëzakonshëm, poliomieliti ende ekziston. Ai paraqet rrezik të veçantë tek komunitetet me shkallë të ulët të imunizimit, siç janë ato ku janë ndërprerë shërbimet e kujdesit shëndetësor, si dhe në zonat ku mungojnë sistemet funksionale të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Kjo do të thotë se rreziku i poliomielitit mund të jetë një kërcënim tjetër për fëmijët që janë duke përjetuar luftën dhe konfliktet.

Në Ukrainë, poliomieliti u rikthye pak para përshkallëzimit të luftës, ku deri në fund të vitit 2021 kishte një fëmijë të paralizuar dhe 19 të tjerë të testuar pozitivë për virusin. Për të shmangur shpërthimet e mëtejshme të epidemive, UNICEF-i ka ndihmuar në blerjen dhe dorëzimin e disa milionë dozave të vaksinës së poliomielitit tek fëmijët në Ukrainë. Që nga viti 2023, vendi kishte më shumë se 80% mbulim me vaksinim. Por kërkohet mbulimi për rreth 95% për të parandaluar shfaqjen e shpërthimit të epidemive.

Në fillim të këtij viti, një foshnjë 10-muajshe u paralizua nga poliomieliti në Rripin e Gazës – rasti i parë i regjistruar i një personi të prekur nga poliomieliti në Gaza për më shumë se 25 vjet. Polio është gjetur gjithashtu në ujërat e zeza të Gazës. Si reagim, UNICEF dhe partnerët tjerë janë mobilizuar për të vaksinuar rreth 560,000 fëmijë në Rripin e Gazës.

Polio gjithashtu mbetet endemike në Pakistan dhe Afganistan, dhe rishtazi ka pasur shpërthime edhe në vende tjera, duke përfshirë Sudanin.

Megjithatë, poliomieliti nuk paraqet rrezik vetëm për fëmijët në këto komunitete. Derisa të mos çrrënjoset 100%, poliomieliti do të vazhdojë të jetë kërcënim për fëmijët anembanë globit. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shkak të faktit se sa shpejt dhe në heshtje përhapet ai, që do të thotë se një rast mund të përhapet me shpejtësi tek qindra të tjerë – e ku disa prej tyre do të përjetojnë pasoja gjatë gjithë jetës.