Fëmijët duhet të vaksinohen me kohë

UNICEF bën thirrje për vaksinim me kohë dhe zgjidhje që mbrojnë si shëndetin e fëmijëve, ashtu edhe qasjen e tyre në edukimin parashkollor

UNICEF Mali i Zi
A child getting vaccinated
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić
16 Tetor 2026

PODGORICË, 31 gusht 2026 - Brenga është se mbulimi vaksinor për vaksinat rutinë në Mal të Zi ka mbetur i ulët prej vitesh. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi nga gushti 2026, vetëm 23 për qind e fëmijëve të lindur në vitin 2024 kanë marrë dozën e parë të vaksinës MMR kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, krahasuar me 88 për qind në vitin 2013. Meqë fruthi është jashtëzakonisht ngjitës, nevojitet mbulim vaksinor prej të paktën 95 për qind për t'i mbrojtur komunitetet nga shpërthimet e sëmundjes.

“Vaksinat rutinë për fëmijët janë të sigurta dhe efektive, u nënshtrohen kërkesave të rrepta për cilësi dhe siguri, si dhe monitorohen vazhdimisht. Ato i mbrojnë fëmijët nga sëmundje të rënda që mund të shkaktojnë pasoja afatgjata shëndetësore, aftësi të kufizuara dhe vdekje. Provat shkencore janë të qarta: vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga sëmundjet e rënda dhe shpëton jetë. Sipas një raporti të UNICEF-it të publikuar në vitin 2024, vaksinat kanë shpëtuar të paktën 154 milionë jetë në mbarë botën që nga viti 1974, përfshirë afro 94 milionë vetëm falë vaksinimit kundër fruthit”, tha Michele Servadei, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.

Fakti që sot nuk ka shpërthim të sëmundjes nuk do të thotë se nuk ka rrezik. Kur mbulimi me imunizim është i ulët dhe shumë njerëz mbeten të pambrojtur, një agjent shkaktar i sëmundjes, veçanërisht ndonjë virus, mund të përhapet shpejt pasi hyn në një komunitet dhe të shkaktojë shpërthim të sëmundjes.

Të dhënat e UNICEF-it të publikuara në vitin 2025 tregojnë se gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar shpërthime të fruthit në më shumë se 100 vende. (https://www.unicef.org/stories/measles-outbreaks-child-risk) I njëjti raport tregon se fruthi vazhdon të marrë gati 300 jetë çdo ditë - rreth 12 çdo orë - kryesisht mes fëmijëve nën pesë vjeç.

Fruthi mund të shkaktojë komplikime të rënda, përfshirë pneumoninë dhe encefalitin, si dhe pasoja afatgjata shëndetësore. Një fëmijë i pavaksinuar nuk ka mbrojtjen që ofron vaksinimi dhe rrezikon më shumë të sëmuret e të pësojë komplikime të rënda.

“Vaksinimi është një nga mënyrat më të sigurta dhe më efektive për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Shqetësimi për mbulimin e ulët me imunizim rutinë do të thotë se fëmijët në Mal të Zi mbeten të ekspozuar ndaj sëmundjeve që mund të parandalohen. I inkurajojmë prindërit që kanë pyetje ose shqetësime të flasin me pediatrin e tyre dhe t'i vaksinojnë fëmijët me kohë, sipas kalendarit kombëtar të imunizimit”, tha dr. Senad Begiq, zyrtar i UNICEF-it për Ndryshimin Social dhe të Sjelljes.

UNICEF-i i bën thirrje Qeverisë të zbatojë një kombinim masash të bazuara në prova dhe të përqendruara te fëmija për të rritur mbulimin me imunizim në kohën e duhur. Këto masa duhet të ndërthurin komunikimin e bazuar në prova, dialogun cilësor me profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet lehtësisht të qasshme të imunizimit.

Vaksinimi rutinë me kohë është në interesin më të mirë të fëmijës. Prindërit nuk duhet as ta vonojnë vaksinimin e fëmijëve, as ta lënë pa kryer.

UNICEF-i angazhohet për zgjidhje që i mundësojnë shtetit të rrisë mbulimin me imunizim në kohën e duhur, të mbrojë shëndetin e fëmijëve dhe t'u sigurojë atyre qasje në edukim cilësor parashkollor. Mbrojtja e shëndetit të fëmijëve përmes vaksinimit me kohë dhe sigurimi i qasjes së tyre në arsim nuk janë objektiva që bien ndesh me njëri-tjetrin.