Mbështetja në rritje ndaj vaksinës në Mal të Zi

Pothuajse çdo i dyti qytetar i Malit të Zi (42%) do të vaksinohej kundër virusit korona nëse vaksina do të ishte në dispozicion

UNICEF Mali i Zi
vakcinacija
UNICEF Crna Gora / Duško Miljanić / 2019
25 Dhjetor 2020

PODGORICË, 25 dhjetor 2020 - Pothuajse çdo i dyti qytetar i Malit të Zi (42%) do të vaksinohej kundër virusit korona nëse vaksina do të ishte në dispozicion. Kjo u konfirmua nga anketa e kryer së fundi nga Ipsos, e cila u zhvillua nga 15 dhjetori deri më 18 dhjetor në një mostër përfaqësuese kombëtare, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe UNICEF-it.

Gjatë dy muajve të fundit, numri i qytetarëve që do të vaksinoheshin kundër virusit korona është rritur me 4%.

Është mirë kur dëgjon se besimi në vaksina po rritet në këtë vend. Vaksinat e testuara mirë të miratuara nga OBSH-ja janë zgjidhja më e shpejtë për ta kthyer jetën dhe ekonominë përsëri në binarë. Vaksinimi nuk ka se si të jetë më i rëndësishëm në një vend si Mali i Zi ku ekonomia mbështetet në shërbime me shumë kontakt me publikun në industrinë e turizmit. Personalisht, dua ta vazhdoj jetën time gjithashtu dhe nuk do të hezitoj ta marr vaksinën kur ajo të ofrohet.

Karen Maddocks, Ambasadore Britanike në Mal të Zi

Përveç kësaj, krahasuar me muajin tetor, ka pasur rënie të numrit të qytetarëve që kanë dyshime në lidhje me vaksinat. Përqindja e atyre që nuk pajtohen me pretendimin se vaksinat janë një nga shpikjet më të mira në mjekësi dhe se shumë sëmundje infektive janë çrrënjosur falë tyre është ulur nga 22 për qind sa ishte në tetor, në 17 për qind në dhjetor.

Pandemia globale COVID-19 na përkujton se çfarë ndodh kur nuk ka vaksinë që mbron njerëzit dhe komunitetet nga një sëmundje shumë infektive. Nevoja urgjente për vaksinën kundër COVID-19 tregon rolin vendimtar të imunizimit në mbrojtjen e jetës dhe ekonomisë.

Michaela Bauer, Zëvendës Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Mal të Zi

Krahasuar me muajin tetor, është rritur edhe numri i qytetarëve që besojnë se vaksina ose ilaçi kundër virusit korona së shpejti do të prodhohet nga kompanitë farmaceutike. Tani, 7 në 10 qytetarë (68%) e ndajnë këtë mendim, ndërsa dy muaj më parë ishte 6 në 10 qytetarë (60%).

Fakti që optimizmi në mesin e qytetarëve është tani më i lartë tregohet gjithashtu nga rritja e numrit të atyre që besojnë se shpërthimi i virusit korona është frenuar dhe së shpejti do t'i vije fundi. Gjegjësisht, 30 për qind e qytetarëve e patën këtë mendim në tetor, ndërsa tani përqindja është rritur në 37.

Është mirë që besimi i qytetarëve në shkencë dhe vaksina po rritet, përkundër sasisë së madhe të dezinformatave dhe teorive konspirative që janë të qaschme për të gjithë në këtë temë. Prandaj, u bëj thirrje qytetarëve që t'i verifikojnë të gjitha informatat me ekspertë, pra me mjekë dhe burime të besueshme, të tilla si faqet e internetit dhe rrjetet sociale të Institutit të Shëndetësisë Publike, Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Klinike të Malit të Zi, qendrave lokale të shëndetësisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it.

Vladimir Raicevic, Drejtor i Agjencisë Kërkimore Ipsos në Mal të Zi

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur pavendosmërinë në lidhje me vaksinimin - hezitimin ose refuzimin për vaksinim, përkundër disponueshmërisë së vaksinave - si një nga 10 kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik.

Mostra përfaqësuese kombëtare për këtë anketë përbëhej nga 807 qytetarë të moshës 18 vjeçare e më lartë. Mbledhja e të dhënave u krye përmes një ankete përmes telefonit, me një pyetësor që zgjati mesatarisht 10 minuta, gjatë periudhës nga 15 dhjetori deri më 18 dhjetor të këtij viti. Gjetjet kryesore të kësaj, si dhe anketat e mëparshme mbi njohuritë, qëndrimet dhe sjelljen e qytetarëve në lidhje me virusin korona janë në dispozicion në faqën e internetit të UNICEF-it në Mal të Zi.

Mbështetja në rritje ndaj vaksinës në Mal të Zi
UNICEF në Mali të Zi