Sa është i rrezikshëm fruthi?
Shpërthimet e fruthit janë në rritje. Ja çfarë duhet të dini për këtë virus jashtëzakonisht ngjitës – dhe çfarë rreziku paraqet vërtet për fëmijët, foshnjat dhe gratë shtatzëna

- Crnogorski
- English
- Shqip
Për qindra vite, fruthi ka qenë një nga viruset më ngjitëse dhe më vdekjeprurëse të njohura për njerëzit. Sidomos për ata që nuk kanë marrë vaksinë kundër fruthit - dhe për foshnjat, fëmijët, gratë shtatzëna dhe për ata me sëmundje shoqëruese, veçanërisht - mbetet kështu edhe sot.
Përveç shtrimit në spital dhe vdekjes, fruthi mund të shkaktojë komplikime shëndetësore afatgjata dhe dobësuese. Ai gjithashtu mund të dëmtojë sistemin imunitar duke "fshirë" kujtesën e tij se si të luftohen infeksionet, duke i lënë të mbijetuarit e fruthit të ndjeshëm ndaj sëmundjeve të tjera si gripi për javë apo edhe muaj të tërë.
Pasi vaksina e fruthit u bë publike në vitin 1963, komplikimet e tilla nga fruthi ranë ndjeshëm me shkallën e përgjithshme të rasteve. (Lexo më shumë rreth asaj që dimë për vaksinën MMR dhe sigurinë e saj).
Shumica e fëmijëve në mbarë botën janë të vaksinuar sot. Megjithatë, në zonat me më pak mbulueshmëri vaksinimi, ose ku marrja e vaksinave është në rënie, shpërthimet e reja tregojnë se sa vdekjeprurëse mund të jetë ende sëmundja. Në Republikën Demokratike të Kongos nga 2018-2020, për shembull, shpërthim i Ebola vrau 2,299 njerëz. Në të njëjtën periudhë, shpërthimi i fruthit vrau 7,800 njerëz - tre herë më shumë njerëz.
Në nivel global, në vitin 2022, vdekjet nga fruthi në mbarë botën u rritën me 43 për qind krahasuar me vitin 2021, si rezultat i shkallës më të ulët të vaksinimit gjatë pandemisë Covid-19. Rreth 373 njerëz vdesin nga fruthi çdo ditë.
Një pjesë e problemit është se fruthi është shumë më ngjitës se viruset e tjera, duke përfshirë Covid-19, gripin dhe varicelën (linë e dhenve). Për çdo person që ka fruth, do të infektohen 12 deri në 18 persona të tjerë. Kjo e bën fruthin rreth 12 herë më ngjitës se gripi, gjashtë herë më ngjitës se Ebola dhe dy herë më ngjitës se Covid-19 dhe lija e dhenve. Kjo është pjesërisht arsyeja pse shpërthimet e fundit të fruthit janë përhapur kaq shpejt, veçanërisht në mesin e popullatave me shkallë më të ulët të vaksinimit.
Sa është i rrezikshëm fruthi për fëmijët?
Ndërsa fruthi mund të jetë i rrezikshëm për këdo, ai është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët, veçanërisht fëmijët nën moshën pesë vjeç që nuk janë të vaksinuar. Kjo ndodh sepse sistemi imunitar i fëmijëve dhe sistemet e tyre të organeve janë ende në zhvillim, duke i bërë ata më të ndjeshëm si ndaj infeksioneve ashtu edhe ndaj komplikimeve shëndetësore.
Çdo vit, rreth 136,000 njerëz në mbarë botën vdesin nga fruthi dhe komplikimet e shkaktuara nga sëmundja. Shumica e tyre janë fëmijë.

Në vitin 2000, përpara se vaksina e fruthit të ishte aq e disponueshme sa sot, 761,000 fëmijë vdisnin çdo vit nga fruthi dhe komplikimet e tij.
Simptomat më të zakonshme të fruthit përfshijnë kollën, rrjedhjen e hundës dhe temperaturën, të ndjekura zakonisht nga skuqja. Ndërsa mund të duken të lehta, këto simptoma dhe komplikimet tjera të shkaktuara nga fruthi, mund të jenë të rënda. Nga të gjithë fëmijët që u infektuan nga fruthi në Rajonin Evropian të OBSH-së në vitin 2023, më shumë se gjysma duhej të shtriheshin në spital.
Nëse fëmija juaj ka simptoma si ethe dhe skuqje, është e rëndësishme të vizitoni menjëherë mjekun. Diagnoza dhe trajtimi i menjëhershëm janë thelbësorë për të menaxhuar në mënyrë efektive sëmundjen dhe për të parandaluar komplikimet. Ndërhyrja e hershme ndihmon në mbrojtjen jo vetëm të individit por edhe të komunitetit më të gjerë duke reduktuar rrezikun e përhapjes së infeksionit.
Në vitin 2023, nga 322.714 raste të raportuara zyrtarisht globale të fruthit, 60.941 kanë ndodhur në Evropë dhe Azinë Qendrore. Kjo nënvizon ndikimin e konsiderueshëm të fruthit në këto rajone dhe nënvizon rëndësinë e vaksinimit për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje të rëndë.
Fëmijët që kanë sistem imunitar të dobësuar, siç janë gjendjet para-ekzistuese ose kequshqyerja, janë më të rrezikuar. Por komplikimet mund të prekin këdo dhe nuk është gjithmonë e dukshme paraprakisht se kush do të preket më shumë.
Në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, nga çdo 1000 fëmijë që preken nga fruthi, 70 deri në 90 fëmijë do të kenë infeksion të veshit, 80 do të kenë diarre dhe 10 deri në 60 do të zhvillojnë pneumoni, një infeksion i mushkërive që mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët e vegjël.
Rreth një në çdo 1,000 deri në 2,000 fëmijë me fruth do të zhvillojnë encefalit post-infektiv, inflamacion të trurit që mund të shkaktojë koma-n dhe vdekjen.
Ndërsa vdekja nga fruthi është e rrallë në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, ajo mund të ndodhë. Në SHBA, për shembull, vlerësohet se për çdo 1000 fëmijë që preken nga fruthi, një ose dy do të vdesin. Në vendet me të ardhura më të ulëta, rreziku është shumë më i lartë: për çdo 1000 fëmijë që preken nga fruthi, 30 deri në 60 do të vdesin. Në disa popullata - siç janë rastet kur fëmijët janë zhvendosur - rreth 300 fëmijë do të vdesin nga çdo 1000 që preken nga fruthi.
Fruthi mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në sistemin imunitar, duke përfshirë fshirjen e kujtesës imune. Hulumtimet tregojnë se fruthi mund të fshijë kujtesën imune të infeksioneve dhe vaksinimeve të mëparshme, një gjendje e njohur si "amnezi imune". Ky efekt do të thotë që sistemi imunitar harron se si të luftojë patogjenët e hasur më parë, duke rritur ndjeshmërinë ndaj infeksioneve të tjera.
Studimet kanë zbuluar se fruthi mund të zvogëlojë kujtesën imune të infeksioneve të fituara më parë deri në 30%. Kjo humbje e kujtesës imune mund të vazhdojë për muaj apo edhe vite, duke i lënë individët të prekshëm ndaj sëmundjeve nga të cilat ishin mbrojtur më parë. Kjo nënvizon rëndësinë e vaksinimit për të parandaluar fruthin dhe potencialin e tij për të komprometuar sistemin imunitar.
Një ndërlikim shumë i rrallë, por vdekjeprurës që mund të lindë te fëmijët e infektuar nga fruthi është një lloj specifik encefaliti i quajtur panencefaliti sklerotik subakut (SSPE), i cili prek një në 100,000 raste. Ky infeksion viral qëndron i fjetur në trup për gjashtë deri në tetë vite përpara se të fillojnë simptomat neurologjike. Këto përfshijnë humbjen e aftësive motorike (si aftësia për të ecur), humbjen e dëgjimit, humbjen e shikimit dhe dëmtimin e trurit. Brenda disa viteve, sëmundja normalisht përparon në koma dhe vdekje. Për shkak se nuk ka kurë, e vetmja mënyrë për të parandaluar SSPE është të mos kontraktoni fruthin në fillim.
Për të gjitha ndërlikimet shëndetësore dhe për vdekjet, shumica dërrmuese e fëmijëve të prekur janë ata që nuk janë vaksinuar. Nga fëmijët nën moshën pesë vjeç që u prekën nga fruthi në vitin 2023, 99 për qind nuk kishin marrë dy dozat e rekomanduara të vaksinës së fruthit.

Sa i rrezikshëm është fruthi për foshnjat?
Foshnjat nën një vjeç janë grupi i vetëm më i prekur. Ata kanë gjithashtu më shumë gjasa të zhvillojnë komplikime shëndetësore si pneumonia, diarrea dhe encefaliti, si dhe të vdesin.
Foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj fruthit sepse, në shumë vende, fëmijët nuk marrin vaksinën kundër fruthit deri në moshën një vjeçare. Kjo është gjithashtu pjesërisht për shkak se foshnjat kanë sistemin imunitar më të dobët dhe sepse sistemet e tyre të organeve janë ende në zhvillim.
Derisa një përqindje më e lartë e popullsisë të vaksinohet në mbarë botën, foshnjat do të vazhdojnë të jenë të pambrojtura. Kjo është për shkak se 95 për qind e një popullsie duhet të vaksinohen për të parandaluar shpërthimet në përgjithësi. Por vetëm më pak se tre të katërtat - 74 për qind - e fëmijëve në mbarë botën kanë marrë dy dozat për të cilat janë këshilluar.
Sa është i rrezikshëm fruthi për të rriturit?
Fruthi prek kryesisht fëmijët, por të rriturit gjithashtu mund të infektohen dhe përhapin sëmundjen, veçanërisht nëse ata janë të pavaksinuar ose kanë imunitet në rënie. Studimet kanë treguar se të rriturit mund të përbëjnë rreth 10 deri në 20 për qind të rasteve të fruthit gjatë shpërthimeve. Kjo është shqetësuese sepse të rriturit që preken nga fruthi mund ta përhapin virusin tek fëmijët që janë më të prekshëm ndaj komplikimeve të rënda.
Sa është i rrezikshëm fruthi në shtatzëni?
Fruthi është gjithashtu me rrezik të lartë si për gratë në shtatzëni ashtu edhe për fetusin.
Komplikimi më i zakonshëm i fruthit për gratë shtatzëna është pneumonia, e cila prek rreth 18 në çdo 100 gra shtatzëna. Rreth katër në 100 gra shtatzëna vdesin nëse preken nga kjo sëmundje. Fruthi mund të rrezikojë edhe fetusin në zhvillim. Vlerësohet se nga 100 gra shtatzëna që preken nga fruthi, rreth 13 lindin para kohe.
Për shkak se përgjithësisht këshillohet që gratë shtatzëna të mos marrin vaksinën kundër fruthit, kjo e bën veçanërisht të rëndësishme që njerëzit të vaksinohen shumë më herët para çdo mundësie për të mbetur shtatzënë, në mënyrë ideale në fëmijëri.
Doza e parë e vaksinës MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, duhet të jepet në moshën 12 muajshe. Doza e dytë duhet të jepet në moshën gjashtë vjeçe. Dy doza të vaksinës mbrojnë 99 për qind të njerëzve të ekspozuar ndaj fruthit nga infektimi me virusin.