Më shumë se gjysma e qytetarëve në Mal të Zi synojnë të vaksinohen kundër COVID-19
Një anketë e re mbi qëndrimet e qytetarëve në Mal të Zi ndaj COVID-19 tregon se synimi për t'u vaksinuar është në rritje, aktualisht në 51 për qind, krahasuar me 44 për qind sa ishte në janar 2021

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 5 mars 2021 – Një anketë e re mbi qëndrimet e qytetarëve në Mal të Zi ndaj COVID-19 tregon se synimi për t'u vaksinuar është në rritje, aktualisht në 51 për qind, krahasuar me 44 për qind sa ishte në janar 2021. Anketa u krye nga Ipsos në shkurt në bazë të një mostre përfaqësuese në nivel kombëtar, me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe UNICEF-it.
Këto gjetje korrespondojnë me trendet globale të regjistruara në anketën më të fundit globale të Ipsos për COVID-19 të kryer në janar 2021, ku përqindja e atyre që pajtohen fuqimisht se do të vaksinohen është rritur brenda vetëm një muaji, në secilin nga 15 vendet e gjurmuara.
Vendet që po gjurmohen përmes anketës globale përfshijnë: Australinë, Brazilin, Kanadanë, Kinën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Meksikën, Rusinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut, Spanjën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Synimi i vaksinimit është më i larti në Brazil, Kinë, Meksikë, Itali dhe Spanjë (synim prej 80 për qind ose më shumë).
Të dy anketat kanë gjithashtu një trend të përbashkët në kërkesën e gjerë për t'u vaksinuar sa më shpejt të jetë e mundur. Anketa e opinionit për COVID-19 e realizuar në shkurt në Malin e Zi zbuloi se 53 për qind e qytetarëve që synojnë të vaksinohen do të vaksinoheshin sapo vaksina të vihej në dispozicion, ndërsa në janar kjo shifër ishte 49 për qind. Në 11 nga 15 vendet e anketuara globalisht, shumica e atyre që pajtohen se do të marrin vaksinën thonë se planifikojnë ta bëjnë këtë menjëherë ose brenda një muaji pasi të jetë në dispozicion të tyre.
Krahas një synimi në rritje për t'u vaksinuar, përqindja e atyre që pajtohen me pohimin se vaksinat janë një nga shpikjet më të mira në mjekësi dhe se shumë sëmundje infektive janë çrrënjosur falë tyre u rrit në Malin e Zi nga 74 për qind sa ishte në janar në 80 për qind në shkurt.
Marrja e vaksinimit mbetet thelbësore për jetën e shëndetshme të fëmijëve, adoleshentëve, familjeve dhe komuniteteve. Shpërthimi aktual i COVID-19 po vë në rrezik vazhdimin e programeve të imunizimit për shkak të izolimeve dhe masave të tjera për të frenuar përhapjen e virusit dhe ne duhet të sigurojmë që të gjithë fëmijët në Mal të Zi të kenë qasje në programin e tyre të imunizimit rutinë.
Anketa gjithashtu tregon se më shumë se dy të tretat (76%) e qytetarëve besojnë se vaksinimi duhet të jetë prioritet si për qeverinë ashtu edhe për qytetarët e Malit të Zi.
Është lajm i mirë për Malin e Zi që besimi në vaksinat po rritet këtu për ta vënë nën kontroll përhapjen e COVID-19. Qeveria tani është duke përgatitur programin e saj të vaksinimit dhe kemi obligim ndaj anëtarëve të cenueshëm të komuniteteve tona që të vaksinohemi kur të jetë radha jonë për ta bërë këtë. Vetëm atëherë mund të fillojmë të shohim dritën në fund të tunelit, t'i hapim ekonomitë tona dhe të vazhdojmë me jetën tonë.
Në Malin e Zi, shqetësimet në lidhje me shpejtësinë me të cilën janë aprovuar vaksinat e reja dhe efektet e tyre të mundshme anësore mbeten dy arsyet kryesore pse qytetarët e Malit të Zi hezitojnë lidhur me imunizimin kundër COVID-19.
Mostra përfaqësuese në nivel kombëtar për këtë anketë përbëhet nga 820 qytetarë të moshës 18 vjeç e lart. Mbledhja e të dhënave u krye përmes një ankete telefonike, me një pyetësor që zgjaste mesatarisht 10 minuta, në periudhën prej 12 deri më 16 shkurt të këtij viti. Gjetjet kryesore të kësaj ankete, si dhe të anketave të mëparshme, mbi njohuritë, qëndrimet dhe sjelljen e qytetarëve në lidhje me koronavirusin janë në dispozicion në uebfaqen e UNICEF-it të Malit të Zi
Në lidhje me vaksinat:
Vaksinat janë ndër avancimet më të mëdha të mjekësisë moderne. Që nga fundi i shekullit të 18-të, ato kanë zvogëluar plagën e sëmundjeve të shumta infektive dhe kanë shpëtuar miliona jetë. Lia, e cila mbyti 300 milionë njerëz vetëm në shekullin e 20-të, u çrrënjos me sukses në vitin 1979 falë shpërndarjes së një vaksine të sigurt dhe efektive. Falë vaksinave, poliomieliti, një sëmundje e rrezikshme e cila ka mbytur miliona dhe ka lënë miliona të tjerë të paralizuar ose me aftësi të kufizuara, mbetet endemike në vetëm dy vende - në Pakistan dhe Afganistan. Falë vaksinave, tetanosi maternal dhe neonatal, i cili është fatal te të porsalindurit, është eliminuar në të gjitha vendet, përveç 12 prej tyre, që nga korriku 2019.