Po, vaksina MMR është e sigurt

Dezinformatat për vaksinën MMR janë të shumta. Ja çfarë dimë nga më shumë se 50 vjet kërkime mbi dhjetëra miliona fëmijë

UNICEF
MMR ilustracija
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić
14 Mars 2025

Vaksina MMR, e cila mbron kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, është në dispozicion që nga viti 1971. Në më shumë se 50 vjet që nga ajo kohë, dhjetëra miliona foshnja dhe fëmijë janë përcjellur dhe studiuar për të gjurmuar si ndikimet e menjëhershme ashtu edhe ato afatgjata të vaksinës.

Ja çfarë dimë për sigurinë, efektet anësore të mundshme dhe rreziqet e vaksinës MMR sot.

Vaksina MMR nuk shkakton autizëm

Autizmi është çrregullim në zhvillim që prek rreth një në çdo 100 fëmijë. Shkaktohet kryesisht nga gjenetika - në fakt, provat tregojnë se autizmi është rreth 80 për qind i trashëgueshëm. 

Nuk ka asnjë provë që autizmi është shkaktuar nga ndonjë vaksinim, përfshirë vaksinën MMR.

Origjina e këtij miti daton në vitet 1990, kur një punim i botuar në revistën shkencore Lancet spekuloi se mund të kishte një lidhje midis vaksinës MMR dhe autizmit. Ky dokument, i cili shqyrtoi vetëm 12 fëmijë, nuk tregoi se vaksina MMR shkakton autizëm. Ajo gjithashtu ishte e mbushur me probleme, gabime dhe gënjeshtra. Kur ato u zbuluan, revista e tërhoqi zyrtarisht punimin. 

Autori kryesor u ekspozua më vonë se kishte përfituar financiarisht nga paditë e ngritura kundër kompanive prodhuese të vaksinave, si dhe për regjistrimin e vaksinës së tij konkurruese. Atij i është ndaluar ushtrimi i profesionit të mjekësisë.

Që atëherë, shkencëtarët kanë gjurmuar zhvillimin e qindra mijëra fëmijëve në mbarë botën. Asnjë studim nuk ka gjetur ndonjë provë të një lidhjeje midis vaksinës MMR dhe autizmit. 

Një studim i vitit 2002, me më shumë se 535,000 fëmijë në Danimarkë, për shembull, nuk gjeti asnjë ndryshim në shkallën e autizmit midis fëmijëve që ishin vaksinuar dhe që nuk ishin vaksinuar. Studime të tjera i kanë përsëritur këto gjetje në MB, SHBA dhe gjetkë. 

Ndërsa disa prindër kanë histori të fëmijëve të tyre që zhvillojnë shenja të autizmit pasi janë vaksinuar, shkencëtarët pajtohen se kjo është për shkak të kohës së rastësishme. Shenjat e para të autizmit priren të shfaqen rreth moshës 12 deri në 18 muajsh. Doza e parë e vaksinës MMR jepet ndërmjet moshës 12 dhe 15 muajsh. Mund të jetë jashtëzakonisht çorientuese që një fëmijë të duket se po zhvillohet normalisht për të filluar të shfaqë simptoma të autizmit dhe është normale që prindërit të besojnë se duhet të jetë për shkak të një ngjarjeje të vetme, si një vaksinë. Por kjo nuk e bën të vërtetë.

Efektet anësore të vaksinës MMR

Kur ndodhin efekte anësore nga vaksinimi MMR, ato zakonisht janë të lehta dhe të përkohshme, si ënjtje dhe dhimbje në vendin e injektimit. Në vaksinën e kombinuar MMR-varicellë (MMRV), shfaqet një skuqje në rreth 6 në 100 fëmijë. Temperatura shfaqet në 27 nga 100 fëmijë. Në vaksinën MMR që nuk vaksinon për varicelën (linë e dhenve), rreth 2 në 100 fëmijë j'u krijohet skuqje dhe 19 në 100 përjetojnë temperaturë. Nëse ndodhin, të dyja këto efekte anësore të mundshme priren të shfaqen rreth shtatë deri në 11 ditë pas vaksinimit dhe tejkalohen vetë.

Reagimet negative serioze ndaj vaksinës MMR janë shumë të rralla, të tilla si purpura trombocitopenike imune. Kjo është mavijosje që ndodh kur, si rezultat i një reagimi të sistemit imunitar, gjaku prodhon më pak trombocite se zakonisht. Kjo ndodh në rreth një në 20,000 doza dhe është e përkohshme në shumicën dërrmuese të fëmijëve. Reaksionet e rënda alergjike (anafilaksi) ndodhin në më pak se një në 1 milion doza

Rreziku i reagimeve të tilla ndaj vaksinës MMR gjithashtu duhet të krahasohet me rrezikun e të paturit të reagimeve të ngjashme si përgjigje ndaj një infeksioni nga i cili mbron vaksina MMR.  

Vakina, djevojčica
UNICEF Mali i Zi/Duško Miljanić

Për shembull, për çdo 10,000 fëmijë që marrin vaksinën e kombinuar MMRV, rreth 8.5 mund të përjetojnë një krizë febrile. Këto janë konvulsione që ndodhin si reagim ndaj temperaturës. Ndonëse mund të jenë të frikshme, ato zakonisht nuk shkaktojnë ndonjë problem shëndetësor afatgjatë. 

Ndërkohë, për çdo 10,000 fëmijë që sëmuren nga fruthi, rreth 23 do të përjetojnë krizë febrile. Me fjalë të tjera, mundësia për të pasur një krizë febrile nga kontraktimi i fruthit është rreth 2.5 herë më e madhe se rreziku për të pasur një krizë pas vaksinës MMRV.

Ndërkohë, asnjë vdekje në fëmijë të shëndetshëm nuk është treguar ndonjëherë të jetë e lidhur me marrjen e një vaksine MMR. Megjithatë, nëse një fëmijë i pavaksinuar kontraktohet nga fruthi, shansat janë 1 në 500 të vdesë nëse është në një vend me të ardhura mesatare ose të larta. Në disa popullata në vendet me të ardhura më të ulëta, rreziku që një fëmijë i pavaksinuar të vdesë nga fruthi është shumë më i lartë. 

Vaksina MMR për fëmijët me alergji

Ashtu si të gjitha vaksinat, vaksina MMR përmban sasi të vogla të përbërësve të tjerë në të, duke përfshirë antibiotikë dhe xhelatinë. Si rezultat, nëse një fëmijë ka një histori të reaksioneve të rënda alergjike në përgjigje të antibiotikëve ose xhelatinës, vaksina MMR zakonisht nuk rekomandohet. Është e rëndësishme të diskutoni me ofruesin e shëndetit të fëmijës suaj. 

Nuk ka asnjë tregues që vaksinimi MMR paraqet rrezik për fëmijët që kanë alergji ndaj vezëve.

Rreziqet e fruthit, shytave dhe rubeolës

Shpërthimet e fruthit janë në rritje. Në popullatat me shkallë më të ulët të vaksinimit, shytat dhe rubeola mbeten gjithashtu një rrezik. Kur peshoni të mirat dhe të këqijat e vaksinimit, është e rëndësishme të dini se çfarë mund të shkaktojnë këto sëmundje tek njerëzit që janë të pavaksinuar. 

Fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse dhe potencialisht vdekjeprurëse. Për çdo person që ka fruth, 12 deri në 18 persona të tjerë do të infektohen nëse nuk janë vaksinuar, duke e bërë fruthin më ngjitës se gripi, Ebola, Covid-19 ose lija e dhenve. Ndërsa mund të jetë i butë për disa njerëz, poashtu mund të jetë shumë i rrezikshëm, madje edhe vdekjeprurës, në të tjerët. Në SHBA, vlerësohet se për çdo 1000 fëmijë që preken nga fruthi, një ose dy do të vdesin. Në vendet me të ardhura më të ulëta, rreziku është shumë më i lartë: për çdo 1000 fëmijë që preken nga fruthi, 30 deri në 60 do të vdesin. 

Fruthi gjithashtu mund të "fshijë" kujtesën e sistemit imunitar për infeksione të tjera, që do të thotë se ata që e marrin atë lihen shumë më të prekshëm ndaj sëmundjeve të tjera, si gripi, për javë ose muaj më pas. 

Mund të lexoni më shumë këtu nëse fruthi është vërtet i rrezikshëm.

Shytat janë një virus që shpesh mund të jetë i butë, madje asimptomatik. Por mund të ketë efekte anësore serioze. Një në 1000 njerëz që kontraktojnë shytat, për shembull, do të përjetojnë encefalit, i cili mund të shkaktojë dëmtim të trurit dhe vdekje, ndërsa rreth një në çdo 20,000 do të shurdhojë përgjithmonë. 

Rubeola është një infeksion viral ngjitës që dikur quhej "fruthi gjerman", megjithëse është një virus tjetër. Simptomat e zakonshme janë skuqja, ethe, nauze dhe konjuktiviti. Megjithatë, rubeola mund të jetë shumë e rrezikshme për gratë shtatzëna dhe fetuset e tyre, duke i vënë ato në rrezik të shtuar të abortit, lindjes së vdekur dhe defekteve të lindjes.