Në Shtime po çrrënjoset braktisja e mësimit përmes aktiviteteve dhe bashkëpunimit
Tejkalimi i vështirësive: përmes bashkëpunimit adresohet braktisja e shkollimit në Shtime
Sameti, 9 vjeçar, është shumë simpatik dhe me sytë që i rrezatojnë nga larg. Ai është nxënës i Shkollës Fillore ‘Emin Duraku’ në Shtime.
“E kom lanë shkollën për pak kohë, ma përpara. Mami o konë smutë e babi nuk ka pasë mundësi me më pru në shkollë, o konë edhe rruga e keqe me lloç e me plot qenusha. S`kom pasë mundësi me ardhë. Tash du me vazhdu shkollën, më pëlqen gjuha shqipe dhe matematika”.
Sameti është një nga nxënësit që është kthyer ta vijojë shkollimin në këtë shkollë, anipse para disa vitesh e kishte braktisur shkollën shkaku i rrethanave familjare. Me ndihmën e vetë shkollës dhe Qendrës Mësimore Balkan Sunflowers në Shtime, prindi i Sametit është bindur që fëmija ta vazhdojë mësimin dhe sot Sametin e sjellë dhe e merr nga shkolla çdo ditë, me veturë. Me lumturinë nën buzë, Sameti, pjesë e komunitetit ashkali, tregon që jo të gjithë qenushët janë të vrazhdë, dhe krahas shkollës atij i pëlqen të luajë me këlyshët e lagjes, bashkë me dy motrat e dy vëllezërit e tij.
Në Shkollën Fillore ‘Emin Duraku’ në Shtime, në ciklin parashkollor deri te klasa e pestë, vijojnë mësimin 965 nxënës, prej tyre 72 pjesë e komunitetit ashkali dhe rom. Nuk ka aktualisht asnjë nxënës që e ka braktisur shkollën, e kjo shkollë në të kaluarën ka pasur një histori të braktisjeve dhe largimeve që nuk i bëjnë mirë mirëqenies së asnjë individi.
Brenda kësaj shkolle ekziston edhe Qendra Mësimore me bazë në shkollë e udhëhequr nga Balkan Sunflowers, e cila e ndihmon procesin mësimor në forma të ndryshme: prej aktiviteteve ditore mësimore, ngecjeve gjatë zhvillimit individual e deri te braktistja e shkollimit nga nxënësit e këtyre klasave. Çka na tregon kordinatori Muhamet Mehmeti, është realisht fascinuese.
“Falë punës së përbashkët të Komunës së Shtimes, shkollës, qendrës sonë dhe grupit për parandalimin e braktisjeve në shkollë, kemi arritur që sot asnjë nxënës të mos e braktisë shkollën. Duke e llogaritur që deri në vitin 2015 ka pasur braktisje të shumta nga shkolla, është sukses që sot gjithçka funksionon mirë në këtë shkollë dhe ne përkujdesemi për secilën hallkë të zhvillimit” tregon Mehmeti. Prej vitit 2009, Qendra Mësimore nën udhëheqjen e Balkan Sunflowers është integruar si pjesë e shkollës ‘Emin Duraku’ dhe kësisoj një simbiozë e mahnitshme bie në sy mes të dyja institucioneve drejt një edukimi sa më të denjë për fëmijët e këtyre moshave kaq fragjile.
Muhameti tregon se punohet intenzivisht në secilin rast potencial braktisës, komunikohet me prindërit drejt zgjedhjes së problemit kjo vetëm e vetëm që nxënësi të kthehet në klasë dhe të vijojë mësimin si të gjithë të tjerët.
Në këtë shkollë është formuar tanimë edhe grupi për parandalimin e braktisjeve dhe mos-regjistrimit në shkollë, në përbërje të drejtorit të shkollës ,Fidan Shaqiri, Balkan Sunflowers, disa mësimdhënësve dhe disa prindërve. Një grup i tillë themelohetme udhëzim administrativ dhe bëhet pjesë e një ekipi të madh ndërshtetëror që ndihmon fuqishëm që fëmijët kudo nëpër Kosovë të mos e braktisin shkollën.
Drejtori i këtij institucioni arsimor, Fidan Shaqiri, tregon se vazhdimisht punohet dhe hulumtohet që të eliminohet dukuria e braktisjës së shkollës.
“Kam kërku prej të gjithë mësuesëve që nëse një nxënës mungon më shumë se tre ditë, qoftë nxënës shqiptar apo nxënës rom ose ashkali, të më lajmërojnë menjëherë. Falë komunikimit të shëndoshë që e kemi e kuptojmë nëse një nxënës mungon dhe e kuptojmë arsyen pse. Para dy vitesh e kemi pasur rastin e fundit të braktistjes, të cilin më pas e kemi zgjedhur dhe fëmiun e kemi kthyer në shkollë” shpjegon Shaqiri.
“Në këtë shkollë nuk ka ndarje të tilla, dhe unë qysh në fillim e kam pasur kriter që nxënësit e komuniteteve rom e ashkali të shpërndahen nëpër klasa. Këtu sot ka një harmoni mes nxënësve. Kur dikush sot mungon, ne nuk themi – po mungon një ashkali, apo një rom, ne themi po mungon Arbri, apo Fidani, apo Besa, me emrin e nxënësit. Dua të them që kemi nisur t`i shohim sidomos fëmijët që janë pjesë e komuniteteve jo si grup i margjinalizuar, por t`i identifikojmë ata që janë të shkëlqyeshëm dhe t`i angazhojmë në aktivitete të cilat e forcojnë potencialin e tyre. Mendoj që një qasje e tillë ndihmon shumë edhe në të menduarit e përgjithshëm në shoqëri” na tregon tutje drejtori Fidan Shaqiri.
Shkolla e ka një ambient jashtëzakonisht të pastër, dhe secili nxënës ka një përmbajtje për lakmi. Piktura shumëngjyrëshe i sheh gjithandej në korridorin hyrës, ndërsa në disa klasë ka edhe kompjuterë ku po mësohet kodimi, një profesion me mjaft perspektivë në të ardhmen. Përmes teleskopëve të vegjël, fëmijët shohin grimca dhe performojnë eksperimente të ndryshme.
Arjeta Maliqi është shembull se si kjo shkollë i ka mbetur në zemër përherë. Dikur nxënëse e kësaj shkolle, 20 vjeçarja sot është vullnetare në këtë program të Balkan Sunflowers dhe ndihmon aty ku paraqitet nevoja.
“Pa shkollim sen sun bon. Unë gjithmonë jom këtu nëse ka nevojë për me ndihmu, qoftë me detyra apo me aktivitete të ndryshme. Këtu kanë ardhur nxënës që as lapsin nuk kanë ditë me e përdorë, dhe ne rreth 5-6 vullnetarë që jemi, kemi ndihmu. Kur kishim raste të braktisjes, kemi shku kemi bisedu dhe kemi marrë edhe dikë tjetër si shembull se si i ka tejkalu vështirësitë, veç për me i motivu nxënësit që me viju shkollën. Tash e pesë vjet punoj si vullnetare edhe kënaqna shumë” thotë Arjeta.
Bute Bajrami, 29 vjeçare, është nënë e tre fëmijëve në këtë shkollë. Për fat të mirë, ajo thotë se asnjëherë nuk e ka menduar që t`i largojë fëmijët nga kjo shkollë.
“Unë edhe vet punoj, dhe mos t`ish konë kjo shkollë nuk e di çka kisha bo. Fëmijët kanë ardhë rregullisht në shkollë, sepse unë du që nesër ata me pasë kulturë, me i respektu njerëzit, me shku sa ma naltë, du që fëmijët e mi me mbrri sa ma shumë. Ndihna shumë e sigurtë këtu dhe edhe fëmijët e mi ndihen shumë të sigurtë, i respektojnë si çdo nxënës tjetër” na tregon Butja, derisa është pak e turpshme derisa e fotografojmë dhe dëshirojmë ta marrim prej saj një tregim të pafajshëm të një nëne e cila e kupton rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të saj.
Në Kosovë, problemi i braktisjes së shkollës është i pranishëm anipse ekzistojnë institucione që vazhdimisht punojnë për ta çrrënjosur këtë dukuri. Një prej organizatave që punon pikërisht në eliminimin e braktisjes së shkollës nga nxënësit është edhe ECMI Kosova (Qendra Europiane për Çështje të Komuniteteve). Arben Osmani nga ECMI Kosova thotë se po provohet maksimalisht që të zhduket në tërësi dukuria e braktisjes së shkollës, gjithmonë duke punuar edhe në atë që quhet braktisje e heshtur – kur nxënësit vijojnë mësimin por nuk mësojnë sa duhet.
“Unë sapo isha në terren, jam pothuajse çdo ditë në terren me kolegët e mi. Po punojmë edhe në identifikimin e nxënësve dhe talenteve të tyre në mënyrë që ata të mbesin në shkollë, e njëjtë po punojmë edhe në sistemin e paralajmërimit të hershëm (red flag), ku shihet ndonjë braktisje e mundshme. Një prej detyrave tona si ECMI është që të punojmë me ekipet në terren, t`ua kujtojmë atyre detyrat, të punojmë me psikologët nëpër shkolla, me ekipet komunale dhe të gjithë akterët, drejt zhvillimit të planeve kombëtare të veprimit në mënyrë sa më profesionale e efikase” na shpjegon Osmani.
Sameti, më i vogli i këtij tregimi, vazhdon të shetitet nëpër korridoret e shkollës së tij, faqebardhë dhe i lumtur, me pritjen se mësimi që e merr tash do t`i hyjë në punë gjatë tërë jetës. Çdo pasdite ai kthehet tek nëna e babai i tij, me detyrat e shtëpisë që suksesshëm premtojnë një rritje të shëndoshë për të.
UNICEF në partneritet me USAID është duke i mbështetur 8 Qendra Mësimore të udhëhequra nga Balkan Sunflowers Kosova dhe Bethany Christian Services nga të cilat përfitojnë shërbime edukative mbi 1,023 fëmijë. Po ashtu, përmes partnerit implementues ECMI Kosova është duke u punuar në ngritjen e kapaciteteve të EPRMB-ve në parandalimin, adresimin dhe menaxhimin e rasteve të braktisjes së shkollimit në 50 institucione arsimore të nivelit të mesëm të ulët dhe atij të mesëm të lartë në 5 komuna të Kosovës.