Deklarata e UNICEF-it në Kosovë për Ditën Botërore të Fëmijëve

20 Nëntor 2023
English
UNICEF/2023/S.Karahoda

Sot shënojmë 34 vjetorin e miratimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve. KDF-ja shërben si drita jonë udhëzuese, që i njeh të drejtat e qenësishme të çdo fëmije për jetë, shëndet, arsim dhe mbrojtje.

Kjo është një ditë e rëndësishme ku të gjithë ne, si mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë: ta njohim progresin që është arritur në jetën e fëmijëve, të pranojmë se sa tutje duhet të shkojmë dhe të mendojmë se sa duhet t'i mbështesim fëmijët që të përshtaten me botën e tyre që ndryshon me shpejtësi.

Sot po shënojmë Ditën Botërore të Fëmijëve në një kohë shumë të vështirë për fëmijët, veçanërisht kur bëhet fjalë për situatën në shtetin e Palestinës dhe të Izraelit. Kostoja e vërtetë e këtij përshkallëzimi të fundit do të matet në jetët e fëmijëve – atyre që humbën jetën nga dhuna dhe atyre, jeta e të cilëve ndryshoi përgjithmonë. Pas pak më shumë se katër javësh, shifra shkatërruese po shtohen shpejt, me shkelje të rënda që kryhen çdo ditë ndaj fëmijëve. Vetëm palët në konflikt mund ta ndalin vërtet këtë tmerr. UNICEF-i u bën thirrje palëve të zbatojnë një armëpushim të menjëhershëm humanitar, t'i lirojnë në mënyrë të sigurt të gjithë fëmijët e rrëmbyer dhe të sigurojnë që akterët humanitarë të kenë qasje të sigurt, të qëndrueshme dhe të papenguar për t'i arritur personat në nevojë.

Në shtetin e Palestinës, në Ukrainë dhe në shumë vende të tjera anembanë botës - fëmijët nuk i nisin konfliktet dhe ata janë të pafuqishëm për t'i ndalur ato. Ata kanë nevojë që të gjithë ne ta vendosim sigurinë e tyre emocionale dhe atë fizike në krye të përpjekjeve tona dhe ta imagjinojmë një të ardhme ku të gjithë fëmijët janë të shëndetshëm, të sigurt dhe të arsimuar. Asnjë fëmijë nuk meriton më pak.

Teksa përshkojmë rrugëtimin para nesh, mendoj për 30 vitet e ardhshme. Si do të duket bota dhe si do të ndikojë tek fëmijët tanë? Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrim sot për t'u siguruar që fëmijët dhe nipërit e mbesat tona të mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë?

Çdo fëmijë në Tokë është tashmë i prekur nga kriza planetare e ndryshimeve klimatike, ndotja e mjedisit dhe humbja e biodiversitetit. Një miliard fëmijë janë tashmë në rrezik veçanërisht të lartë. E vetmja zgjidhje afatgjatë është reduktimi drastik i emetimeve, duke siguruar gjithashtu që qëndrueshmëria mjedisore të përkthehet në mundësi ekonomike dhe përfshirje sociale. Por gabime nuk duhet bërë - efektet e krizës janë tashmë të pranishme, do të përkeqësohen në dekadat e ardhshme dhe po i prekin më fort ata që kontribuojnë më së paku në shkaqet e ndryshimeve klimatike dhe degradimit të mjedisit.

Kriza klimatike, dhe ndikimet e saj aktuale dhe të ardhshme, përbëjnë një sfidë të paprecedentë për fëmijët, veçanërisht për më të cenueshmit. Zgjidhjet kërkojnë më shumë se sa çdo organizatë, qeveri ose biznes mund të sigurojë. Fëmijët nuk mund ta presin ndryshimin. Ata meritojnë të mbështeten nga një lëvizje globale e përqendruar në parandalimin e ngrohjes së mëtejshme globale dhe në zbutjen e efekteve më të këqija të saj. Dhe së bashku ne duhet të sigurojmë që anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë – fëmijët e saj – të jenë në qendër të këtij reagimi.

Këtë vit, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve publikoi Komentin e Përgjithshëm Nr. 26 për të drejtat e fëmijëve dhe mjedisin, me fokus të veçantë në ndryshimet klimatike. Ai u bën thirrje palëve të ndërmarrin hapa urgjentë në përmbushjen e detyrimit të tyre për të garantuar të drejtën e fëmijëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, duke përfshirë sigurimin e kësaj të drejte për brezat e ardhshëm.

Në këtë drejtim, ne i përgëzojmë planet ambicioze të institucioneve të Kosovës për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, duke përfshirë përpjekjet për reduktimin e emetimeve dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit duke rritur pjesën e burimeve të ripërtëritshme, duke përmirësuar efiçiencën e energjisë dhe duke fuqizuar funksionimin dhe integrimin rajonal të tregjeve energjetike të Kosovës. Zhvillimi i një Kontributi vullnetar të Përcaktuar Kombëtar është një hap shumë i rëndësishëm për të ardhmen. U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të sigurojnë konsultime kuptimplote me fëmijët dhe të rinjtë gjatë këtij procesi.

Ka pasur progres të mirë në fusha të tjera të të drejtave të fëmijëve këtu në Kosovë gjatë vitit të fundit, duke përfshirë:

  • Krijimin e suksesshëm të Ekipeve për të Drejtat e Fëmijëve në 34 komuna, një dispozitë kryesore e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve;
  • Miratimin e Ligjit të ri për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme; dhe
  • Kalimin në Kuvend të leximit të parë të Ligjit të ri për Shërbimet Sociale dhe Familjare.

Në vitin 2024 shpresojmë të shohim përshpejtim në fusha të tjera të rëndësishme, duke përfshirë:

  • Zbatimin efektiv të reformës së planifikuar të Skemës së Ndihmës Sociale, e cila ka potencial të konsiderueshëm për ta ulur varfërinë dhe për ta rritur mirëqenien e fëmijëve.
  • Futjen në përdorim të kurrikulës së re parashkollore dhe zgjerimin e qasjes në shërbimet e edukimit në fëmijëri, duke përfshirë shkallëzimin e modeleve të bazuara në komunitet dhe partneriteteve private-publike.
  • Zbatimin e planit strategjik të sektorit të arsimit, veçanërisht krijimin e një njësie digjitale në MASHTI për ta mbikëqyrur transformimin digjital të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
  • Krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale, për të siguruar financim të qëndrueshëm për shërbimet sociale në nivel komunal.

Ne gjithashtu duhet t'i respektojmë zotimet për fëmijët më të cenueshëm dhe të përjashtuar, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara. UNICEF-i u bën thirrje autoriteteve që ta finalizojnë dhe miratojnë Projektligjin për Vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat me aftësi të kufizuara sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky projektligj ka mbështetjen tonë dhe mbështetjen e shumicës së organizatave të shoqërisë civile që punojnë me personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë datë, pra 20 nëntor, le ta rikonfirmojmë angazhimin tonë për mirëqenien e çdo fëmije. Suksesi i përpjekjeve tona qëndron në përkushtimin dhe bashkëpunimin e çdo individi që kujdeset për fëmijët. Së bashku ne mund të krijojmë një botë ku e drejta e çdo fëmije për shëndet, arsim, mbrojtje dhe kujdes cilësor jo vetëm që pranohet, por mbrohet në mënyrë aktive.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme