“Fëmijët jetojnë në një botë e cila është gjithnjë e më armiqësore ndaj të drejtave të tyre”

nga Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell

20 Nëntor 2023
English
UNICEF

NJU JORK, 20 nëntor 2023 – “Çdo vit më 20 nëntor, ne e shënojmë Ditën Botërore të Fëmijëve për ta përkujtuar miratimin e vitit 1989 të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve (KDF) – traktati më i ratifikuar për të drejtat e njeriut në histori. Me ratifikimin e kësaj kornize ligjore ndërkombëtare, udhëheqësit botërorë pranuan se të gjithë fëmijët kanë të drejta të patjetërsueshme. Njëkohësisht ata premtuan se qeveritë do të siguroheshin që këto të drejta të mbrohen dhe të mbështeten.

“Fatkeqësisht, fëmijët sot po jetojnë në një botë e cila është gjithnjë e më armiqësore ndaj të drejtave të tyre.

“Kjo askund nuk është më e dukshme se sa në përvojën e fëmijëve që ndikohen nga konfliktet.

“Ne vlerësojmë se sot, 400 milionë fëmijë – ose përafërsisht 1 në 5 fëmijë – janë duke jetuar në zona konflikti ose duke ikur nga këto zona. Shumë nga këta fëmijë po lëndohen, vriten ose dhunohen seksualisht. Ata po i humbasin anëtarët e familjes dhe miqtë. Dhe disa po rekrutohen dhe përdoren nga forcat ose grupet e armatosura. Shumë prej tyre janë zhvendosur disa herë, duke rrezikuar ndarjen nga familjet e tyre, duke humbur vitet kritike të arsimit dhe duke prishur lidhjet me komunitetet e tyre.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara ka verifikuar më shumë se 315,000 shkelje të rënda të të drejtave të fëmijëve në zonat në konflikt midis viteve 2005 dhe 2022. Dhe këto janë vetëm rastet që janë verifikuar, që do të thotë se numri i vërtetë i shkeljeve është me siguri shumë më i lartë.

“Edhe përtej zonave në konflikt, të drejtat e fëmijëve gjithashtu janë të kanosura.

“Fakti që kjo përkon me krizat e tjera që po cenojnë të drejtat e fëmijëve është thellësisht shqetësuese. Këto përfshijnë rritjen e varfërisë dhe pabarazisë, emergjencat e shëndetit publik dhe, natyrisht, krizën globale të klimës.

“Ndryshimet klimatike, në veçanti, paraqesin kërcënim ekzistencial për shëndetin dhe mirëqenien e këtij brezi dhe brezave të ardhshëm të fëmijëve. Në nivel global, më shumë se 1 miliard fëmijë aktualisht jetojnë në vende që janë në "rrezik jashtëzakonisht të lartë" nga ndikimet e ndryshimeve klimatike. Kjo do të thotë se gjysma e fëmijëve të botës mund të pësojnë dëme të pariparueshme teksa planeti ynë vazhdon të ngrohet. Ata mund t'i humbasin shtëpitë e tyre ose shkollat për shkak të stuhive gjithnjë e më të fuqishme ... ata mund të vuajnë nga humbje të rënda sepse të korrat lokale janë tharë nga thatësira ... ose mund të humbasin jetën e tyre nga valët e të nxehtit ose pneumonia e shkaktuar nga ndotja e ajrit.

“Në asnjë moment që nga miratimi i KDF-së 34 vjet më parë, të drejtat e fëmijëve nuk kanë qenë në rrezik më të madh.

“Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të veprojmë. Unë u bëj thirrje të gjithëve – nga UNICEF-i dhe partnerët tanë në komunitetin e të drejtave të fëmijëve tek qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe sektori privat – që të jemi përkrahës dhe avokues më të fortë për përmbushjen dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Kjo nënkupton mbështetjen e përafrimit të kornizave ligjore kombëtare me KDF-në dhe standardet e tjera ndërkombëtare, dhe vënien në praktikë të këtyre standardeve.

“Kjo do të thotë gjithashtu riafirmimin e statusit të fëmijëve si mbajtës të veçantë dhe të pavarur të të drejtave dhe sigurimin e llogaridhënies për shkeljet e të drejtave të fëmijëve kudo që ato ndodhin.

“Sot duhej të ishte një ditë kur ne festojmë avancimin e të drejtave të fëmijëve në mbarë globin, por këto të drejta janë nën sulm. Ne nuk duhet të dekurajohemi nga kjo situatë, por duhet të jemi më të vendosur për t'u siguruar që premtimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve të përmbushet për çdo fëmijë.”

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme