UNICEF shënon 30 vjet të pranisë në Kosovë dhe Ditën Botërore të Fëmijëve

20 Nëntor 2025
English
UNICEF/2025

Prishtinë, 20 nëntor 2025 — Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, UNICEF-i në Kosovë shënoi 30 vite partneriteti dhe përparimi për fëmijët dhe të rinjtë.
Në Kosovë, UNICEF-i dhe partnerët reflektuan mbi tri dekada arritjesh në një ngjarje, ku morën pjesë përfaqësues të qeverisë, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile, fëmijë dhe të rinj.

Që nga viti 1995, UNICEF-i ka mbështetur arritje kyçe për fëmijët në Kosovë, duke përfshirë:

  • Rindërtimin e 140 shkollave, duke mundësuar kthimin në klasë të 100,000 fëmijëve.
  • Zhdukjen e poliomielitit dhe zgjerimin e Programit të Vizitave në Shtëpi në të gjitha komunat, duke ofruar mbështetje jetike shëndetësore dhe zhvillimore për foshnjat dhe prindërit.
  • Mbështetjen për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe avokimin për sigurimin e 330 pozitave të mësuesve asistentë për edukim gjithëpërfshirës.
  • Fuqizimin e më shumë se 200,000 të rinjve përmes UPSHIFT, PONDER, PODIUM dhe Kosovo Generation Unlimited.
  • Dorëzimin e 21 tonëve pajisje mbrojtëse dhe ndihmën në sigurimin e 739,000 dozave të vaksinës COVID-19 gjatë pandemisë.
  • Udhëheqjen e mbledhjes thelbësore të të dhënave përmes MICS, duke mundësuar investime kyçe, përfshirë mbështetjen e parë të MCC-së për Kosovën.

Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF Kosova, theksoi urgjencën e veprimit të vazhdueshëm:
“Ky përvjetor është një nderim për çdo fëmijë, të ri, prind, mësues, infermiere, punonjës social dhe partner që ka çuar përpara misionin e UNICEF-it. Ndërsa bota përballet me kriza të shumta, angazhimi ynë duhet të jetë më i fortë se kurrë. Çdo fëmijë meriton të mbijetojë, të mësojë dhe të zhvillohet.”

UNICEF-i gjithashtu ndau histori nga të rinj, fëmijë dhe familje nga e gjithë Kosova që kanë përfituar nga mbështetja për zhvillimin e hershëm dhe arsimimin, vizitat në shtëpi, programet për zhvillimin e aftësive të të rinjve dhe iniciativat për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, duke treguar se si investimet afatgjata sjellin ndryshime të qëndrueshme.

Megjithatë, raporti i ri global i UNICEF-it, i publikuar sot, zbulon një realitet alarmant: më shumë se 400 milionë fëmijë në mbarë botën jetojnë në varfëri, të privuar nga të paktën dy nevoja thelbësore si ushqimi, higjiena ose arsimi. Konfliktet, presionet klimatike dhe ulja e investimeve në shërbimet kryesore po i vënë edhe më shumë fëmijë në rrezik.

Ndërsa privimi i fëmijëve rritet në nivel global, UNICEF-i bën thirrje për investime të qëndrueshme për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për të siguruar që gjenerata e ardhshme në Kosovë dhe në mbarë botën të rritet e sigurt, e shëndetshme dhe me mbështetjen e nevojshme.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook