Mbrojtja që përcillet nga një brez te tjetri
Me raste të fruthit të raportuara në 23 komuna të Kosovës, familjeve u duhet informacion i qartë se si i mbron vaksinimi fëmijët dhe çfarë të bëjnë nëse fëmija ka humbur një dozë.
Meritoni1 katërvjeçar e do shumë biçikletën e tij. I do edhe kafshët dhe ua di emrat. Gjatë një vizite në shtëpinë e tij në Fushë Kosovë, kur e pyesim për vaksinimin, na shikon sikur përgjigjja të ishte e vetëkuptueshme. Pyetja duket se i bën më shumë përshtypje sesa vetë vaksinimi.
Pranë tij është gjyshja e tij, Mira2, që po e rrit. Në moshën 45-vjeçare, ajo është nënë e katër fëmijëve dhe gjyshe e gjashtë nipërve e mbesave. Thotë se të gjithë fëmijët, nipërit e mbesat e saj janë vaksinuar dhe është e vendosur të kujdeset që edhe Meritoni t’i marrë vaksinat e tij.
Mira e shpjegon thjesht. Vaksinat ndihmojnë që fëmijët të mbrohen nga sëmundjet. Teksa nipi e dëgjon, ajo flet me bindje për vaksinimin si diçka të zakonshme që bën për t’u kujdesur për familjen. Për Meritonin, si fjalët, ashtu edhe veprimet e gjyshes i japin të njëjtën siguri. Edhe kur e çon për ta vaksinuar, ajo po kujdeset për të.
Gjyshet si Mira ndikojnë në vendimet e familjes dhe ua përcjellin përvojën e tyre brezave të rinj. Në këtë familje, përvoja e Mirës po ndihmon që edhe një brez tjetër të mbrohet përmes vaksinimit.
Vullnetarët e komunitetit i kanë dhënë Mirës informacione për vaksinimin, ia kanë kujtuar kur ishte koha që Meritoni të merrte dozën e radhës dhe e kanë ndihmuar të shkonte në qendrën e vaksinimit. Kanë organizuar edhe vaksinim me ekipe mobile pranë shtëpisë së tyre.
Shumë fëmijë në Kosovë ende nuk i kanë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara. Anketa e Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, e kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e UNICEF-it, tregoi se 76 për qind e fëmijëve të moshës 24–35 muaj në popullatën e përgjithshme ishin vaksinuar plotësisht, krahasuar me 44 për qind të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Kjo do të thotë se më shumë se gjysma e fëmijëve të kësaj grupmoshe nga këto komunitete nuk kishin marrë të paktën një nga dozat e rekomanduara.
Për familjet që kanë pyetje rreth vaksinimit, biseda ndonjëherë nis kur te dera u shfaqet dikush që e njohin.
Vahide Berisha, 21 vjeçe, prej tre vjetësh punon me organizatën Balkan Sunflowers dhe i ndihmon familjet nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të lidhen me infermieret. Ndonjëherë mjafton një vizitë. Herë të tjera, ajo kthehet disa herë për ta vazhduar bisedën dhe për të dëgjuar e sqaruar shqetësimet e prindërve dhe kujdestarëve para se ata të pranojnë t’i vaksinojnë fëmijët.
Vahidja thotë se në fillim nuk e kishte kuptuar sa shumë vlente ndihma e saj për familjet. Tani njerëzit e ndalin në rrugë për t’i treguar se, me ndihmën e saj, i kanë vaksinuar fëmijët. Në këto takime, ajo e sheh se çfarë ka ndryshuar puna e saj për ta.
Rikthimi i fruthit në Kosovë është shqetësues. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, raste janë regjistruar në 23 komuna, kryesisht te fëmijët. Më shumë se 95 për qind e rasteve janë regjistruar te personat që nuk e kishin marrë vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola.
Për të arritur te fëmijët që kanë humbur doza të vaksinave, UNICEF-i po mbështet një fushatë derë më derë me infermiere dhe me organizatën Balkan Sunflowers. Vullnetarët si Vahidja ndihmojnë që familjet t’ua hapin derën ekipeve dhe të krijohet besim. Infermieret u përgjigjen pyetjeve të prindërve dhe kujdestarëve dhe i ndihmojnë fëmijët t’i marrin dozat e humbura.
Fruthi është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, madje edhe vdekje. Për mbrojtje të plotë nga fruthi rekomandohen dy doza të vaksinës MMR. Doza e parë jepet në moshën 12 muajshe dhe e dyta në moshën pesëvjeçare. Për të parandaluar shpërthimet e fruthit, të paktën 95 për qind e fëmijëve në secilin komunitet duhet t’i marrin të dyja dozat.
Vaksinimi sipas kalendarit ndihmon të mbrohen edhe foshnjat dhe personat që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore. Nëse një fëmijë ka humbur ndonjë dozë, prindërit ose kujdestarët mund të kontaktojnë qendrën e mjekësisë familjare ose ekipin e vaksinimit për të caktuar një termin për vaksinim.
UNICEF-i mbështet partnerët lokalë që të arrijnë te fëmijët që kanë humbur doza të vaksinave. Për kujdestarët si Mira, kjo mund të nënkuptojë që dikush t’ua kujtojë kur është koha për dozën e radhës ose që një ekip vaksinimi të vijë më afër shtëpisë së tyre.