UNICEF-i në Kosovë dhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës diskutojnë promovimin e imunizimit për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve

24 Prill 2026
English
UNICEF/2026

Prishtinë, 24 prill 2026 — Në prag të Javës Botërore të Imunizimit, Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë, u takua me Imam Hetem Sopjani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, për të diskutuar mundësitë e fuqizimit të angazhimit në komunitet dhe promovimit të rëndësisë së imunizimit për fëmijët.

Duke njohur rolin e rëndësishëm që udhëheqësit fetarë kanë në komunitete, takimi u fokusua në mënyrat se si ata mund të ndihmojnë në adresimin e shqetësimeve, ngritjen e besimit dhe shpërndarjen e informacionit të saktë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë që familjet të marrin informacion të besueshëm dhe të ndihen të sigurta për shërbimet e imunizimit.

“Vaksinat kanë mbrojtur në mënyrë të sigurt fëmijët, familjet dhe komunitetet për breza me radhë. Ato kanë shpëtuar mbi 150 milionë jetë gjatë 50 viteve të fundit,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF-it në Kosovë. “Angazhimi i akterëve të besuar në komunitet, përfshirë udhëheqësit fetarë, është thelbësore për të siguruar që informacioni i saktë të arrijë te çdo familje dhe të rrisë besimin në imunizim.”

Ndersa, Hetem Sopjani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës theksoi se “Në Islam, një ndër objektivat kryesore të ligjit hyjnor, është mbrojtja e jetës njerëzore. Në Kuran thuhet se “kush shpëton një jetë, është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”. Ky mesazh i fuqishëm na kujton se çdo përpjekje për të parandaluar sëmundjet dhe për të shpëtuar jetë është jo vetëm një veprim human, por edhe një akt me vlerë të madhe shpirtërore.”

Gjatë diskutimit, të dy palët theksuan rëndësinë e përdorimit të xhamive dhe hapësirave komunitare si platforma për ndarjen e informacionit dhe nxitjen e dialogut me prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve. U theksua se mbrojtja e shëndetit të fëmijëve përputhet me vlerat e përbashkëta të kujdesit, përgjegjësisë dhe solidaritetit në komunitet.

Java Botërore e Imunizimit shënohet në javën e fundit të prillit për të theksuar rolin jetik të vaksinave. UNICEF-i, së bashku me partnerët, po punon për të forcuar sistemet shëndetësore dhe për të adresuar boshllëqet në imunizim, në mënyrë që çdo fëmijë të mbrohet nga sëmundjet e rrezikshme. UNICEF-i në Kosovë u bën thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që t’i vaksinojnë fëmijët në kohë dhe të kërkojnë informacion nga ofruesit e besueshëm shëndetësorë.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook