Dy dekada në mbrojtje të shëndetit publik

Disa profesione janë të lidhura me vetë ekzistencën dhe mirëqenien e njeriut.

Fillojete Konjuhi
English
UNICEF/2023
25 Tetor 2023

Disa profesione janë të lidhura me vetë ekzistencën dhe mirëqenien e njeriut. Si të tilla, nga profesionistët barten me përgjegjësi dhe nder të veçantë. Lidhja emocionale bëhet edhe më e fortë kur detyrën e kryen me zell për më shumë se dy dekada.

Florije Rashani, Kryeinfermiere tek Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ka kujtime nga e kaluara e Kosovës, kur numri i vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse ishte jashtëzakonisht i madh. Prandaj për të, vaksinimi i fëmijëve është një detyrë sublime që e ka përcjellur për 24 vjet.

Si infermiere përgjegjëse për vaksinim në rajonin e Prishtinës, Florija ka kujtime nga më të ndryshmet kur misionin për vaksinim e kishte vënë para gjithçkaje tjetër.

“Pas luftës ka qenë përqindja shumë e vogël e vaksinimit. Jemi angazhuar në terren intensivisht për të vaksinuar të gjithë sipas kalendarit të vaksinimit, madje deri në fshatrat më të thella, te komunitetet më të vështira për tu arritur.”- rrëfen Flora.

Mobilizime të tilla i kujtohen edhe më tutje, sikur viti 2003, kur punuan pa orar për të vaksinuar të gjithë, kundër paralizës.

Zëri i rrëfimit të Florës ndryshon kur i kujtohet viti 2017, ku si pasojë e rënies së përqindjes së vaksinimit të fëmijeve me vaksinën kundër fruthit (MMR), kjo sëmundje tashmë kishte depërtuar në Kosovë.

“Më kujtohet rasti i parë i identifikuar, ishte një fëmijë i pavaksinuar që kishte udhëtuar në një vend tjetër. Dy muaj jemi angazhuar intensivisht, mbyllnim çerdhet ku gjenim fëmijë të pa vaksinuar kundër fruthit, i kemi identifikuar të dhënat e të gjitha shkollave për të dërguar njoftimet për vaksinim te prindërit e fëmijëve të pavaksinuar, i telefononim, ishim vazhdimisht në terren dhe në fund të vitit u pa rezultati pozitiv.”- tregon Flora.

English
UNICEF/2023

Flora beson fort se dyshimet e krijuara në publik nga keqinformimet ishin shkaktari kryesor i rënies së vaksinimit të fëmijeve me MMR. Këto dilema i has edhe sot në biseda me nënat e reja. Profesionistët shëndetësorë po vazhdojnë të punojnë ende në adresimin e përhapjes së vazhdueshme të keqinformimit rreth vaksinave, veçanërisht përmes mediave sociale.

“Vijnë ta vaksinojnë fëmijën vetëm me një pjesë të vaksinave që duhet t’i marrin në moshën një vjeçare dhe hezitojnë për vaksinën MMR, por ne si profesionistë shëndetësorë ju flasim vazhdimisht për rëndësinë e mbrojtjes. ”- tregon Flora e cila shton se këto biseda duhet të shtohen.

Sipas MICS-it, 73% e fëmijëve të moshës 24-35 muaj janë plotësisht të imunizuar dhe mbrojtur nga sëmundjet që parandalohen me vaksinë. Mirëpo, mbulimi i imunizimit në mesin e fëmijëve të komuniteteve romë, ashkali, dhe egjiptianë është shumë më i ulët ku vetëm 38% e fëmijëve janë plotësisht të imunizuar. UNICEF-i mbështet institucionet në Kosovë në sigurimin e vaksinave cilësore për shpëtimin e jetës dhe promovon ndërgjegjësimin dhe marrjen e vaksinimit në komunitet. Sigurimi i mbrojtjes së çdo fëmije nga sëmundjet e parandalueshme me vaksina është thelbësore për shëndetin publik dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.

Me mbështetjen bujare të USAID-it, UNICEF-i punoi së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë për t'iu përgjigjur pandemisë COVID-19, duke përfshirë edhe fushatat e vaksinimit. Në partneritet me USAID-in, UNICEF po ashtu po ndihmon në fuqizimin e sistemit shëndetësor, ripërtërirjen e sistemit të zinxhirit të ftohtë për ruajtjen e vaksinave dhe promovimin e vaksinimit të rregullt.