Edukim, Shkathësi dhe Fuqizim i të Rinjve
Fuqizimi dhe pjesëmarrja e adoleshentëve dhe të rinjve të moshës 11 deri në 24 vjeç
Edukimi Cilësor
UNICEF-i në Kosovë siguron që të gjithë adoleshentët dhe të rinjtë, veçanërisht ata më të margjinalizuarit të jenë më të qëndrueshëm dhe të pajisur me aftësi për jetë dhe punë si dhe të kenë qasje në edukim cilësor në mjedise gjithëpërfshirëse dhe të barabarta.
Sfidat
Adoleshenca është kohë e ndryshimeve të rëndësishme kur truri shpejt zhvillohet dhe të rinjtë janë të etur për t'u dëgjuar, duke i sfiduar ata përreth dhe duke u angazhuar në përgatitje për një të ardhme të ndritshme dhe të begatë. Për shumë adoleshentë dhe të rinj në Kosovë, dekada e dytë e jetës është e mbushur me faktorë strukturorë dhe shoqërorë që i kufizojnë mundësitë e tyre në të ardhmen. Fatkeqësisht, tre pengesa themelore – cilësia e ulët në arsim, mundësitë e kufizuara për qasje në mësimin digjital, përdorimi i teknologjisë ose zhvillimi i aftësive të shekullit të 21-të si dhe mundësitë e kufizuara për hyrje të reja në tregun e punës – janë faktorë që as vetë adoleshentët dhe të rinjtë nuk mund t'i kontrollojnë.
Derisa adoleshentët dhe të rinjtë në Kosovë ecin përpara me studime akademike, cilësia e arsimit zvogëlohet dukshëm që rezulton me performancë të dobët akademike – ndër më të ulëtat në rajon – dhe shkallë të lartë të braktisjes së shkollës. Financimi i pamjaftueshëm për shkollat, qasja e kufizuar në internet dhe teknologji, përgatitje jo e duhur e mësuesve si dhe mungesa e mësimdhënies me në qendër nxënësin, ndikojnë në të mësuarit. Pabarazitë bëhen edhe më të theksuara në adoleshencë, sidomos tek vajzat dhe të rinjtë nga grupet e margjinalizuara, pjesërisht për shkak të mungesës së mbështetjes së prindërve për vazhdimin e edukimit dhe parapëlqimit që vajzat të mbesin në shtëpi dhe të martohen herët. Pengesat shtesë shoqërore dhe strukturore kufizojnë edhe më shumë qasjen e tyre në arsim, duke dhënë rezultate shumë më të këqija sociale sesa tek bashkëmoshatarët e tyre.
Shkollat në Kosovë përpiqen t'i pajisin nxënësit me aftësi të rëndësishme të komunikimit të shekullit të 21-të, të bëjnë punë grupore dhe të kenë aftësi bashkëpunimi për zgjidhjen e problemeve.
Mundësitë për aftësim profesional janë të kufizuara dhe nuk përshtaten me nevojat e tregut të punës. Praktikat dhe mundësitë tjera që të mund të ekspozohen për ndonjë vend pune janë shumë të pakta, gjë që bën që të rinjtë të hyjnë në tregun e punës me trajnime jo të duhura ose përvojë të pamjaftueshme. Si rezultat, 33 për qind e të rinjve në Kosovë nuk gjenden as në shkollë, as në punë as ndonjë trajnim, ndërsa 21.4 për qind e të rinjve 15 deri 24 vjeç janë të papunë. Këto përqindje janë ndër më të lartat në rajon e akoma më të larta janë për gratë e reja, për të rinjtë nga komunitetet e margjinalizuara dhe për të rinjtë me aftësi të kufizuara.
Zgjidhjet
UNICEF-i në Kosovë punon për të siguruar që arsimi cilësor të jetë prioritet kryesor për fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, prindërit, komunitetet lokale dhe institucionet. E mbështesim reformën e sistemit arsimor të Kosovës për të promovuar arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe përkatës—në përputhje me kërkesat e tregut të punës—për ta pasur nisje të mirë të të diplomuarve për në punë dhe për në moshë të rritur.
UNICEF-i në Kosovë mbështet zhvillimin e politikave që promovojnë përfshirjen e të rinjve më të margjinalizuar dhe ndihmon në rritjen e burimeve dhe financimit për një arsim cilësor dhe programe efektive aftësimi për t’i ndihmuar nxënësit që sa më lehtë dhe suksesshëm të kalojnë nga shkolla në punësim. Ndërmjetësojmë partneritete mes institucioneve, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe sektorit privat për ta shfrytëzuar ekspertizën, mobilizuar investimet dhe rritur zgjidhjet inovative për adoleshentë dhe të rinj.
UNICEF-i në Kosovë mbështet transformimin digjital të sektorit arsimor përmes ofrimit të asistencës teknike dhe rritjes së qasjes në internet, kompjuterëve dhe pajisjeve tjera të nevojshme në nivel shkolle. Punojmë që të sigurojmë që ekziston trajnim i duhur për mësuesit dhe nxënësit ashtu që mund të japin mësim dhe të mësojnë në mënyrë efektive në ekosistemin digjital. Pasaporta mësimore, zgjidhja globale e UNICEF-it për ofrimin e qasjes digjitale në arsim gjatë pandemisë COVID-19, është shpërndarë si ‘Shkollat.org’ në Kosovë. Kjo platformë e lehtëson edukimin në distancë për gjithë nxënësit. Kjo përfshinë bibliotekën digjitale, video mësime për të gjitha lëndët për klasat 1-9 dhe programe bazuar në aftësi të shekullit 21 ashtu që të përmbushen nevojat e adoleshentëve dhe të rinjve në klasat 10-12. “LearnIn” është program shtesë që jep mundësi të personalizuar dhe kulturore në të mësuar digjital, përfshirë edhe aftësimin e mësuesve dhe materialet për ndërtimin e kapaciteteve.
UNICEF-i në Kosovë punon për t’i ndihmuar fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë që t’i zhvillojnë aftësi të shekullit të 21-të si në mjediset e shkollës ashtu edhe në komunitet.
Ne u ofrojmë mundësi atyre që të ekspozohen në botën e punës, të bëhen inovatorë socialë në komunitetet e tyre dhe të bëjnë zgjidhje për problemet e komunitetit e që udhëhiqen nga të rinjtë. Kjo përfshinë programe kryesore për ndërtimin e aftësive tek të rinjtë si “UPSHIFT” dhe “Ponder” – janë dy programe që filluan si mundësi joformale e të mësuarit dhe tani gradualisht po integrohen në kuadër të sistemit arsimor formal të Kosovës.
Programi i ndërmarrësisë sociale në Kosovë (UPSHIFT) angazhon të rinjtë duke përdorur qasje me dizajn në qendër njeriun dhe nxit inovacionin social dhe sipërmarrjen sociale. UPSHIFT punon për të ndërtuar platforma dhe për t’i fuqizuar adoleshentët dhe të rinjtë me aftësi dhe burime për identifikimin e problemeve në komunitetet e tyre dhe për të punuar në zgjidhje të problemeve në shërbime ose produkte. Fillimisht i zhvilluar në Kosovë, UPSHIFT-i është replikuar edhe në 47 vende.
Programi i Kosovës për edukimin kritik në media (Ponder) promovon aftësi për të rinjtë që vazhdimisht bombardohen nga mediat dhe jetojnë në botën “infodemike”. Ky program fuqizon adoleshentët dhe të rinjtë në identifikimin dhe vlerësimin e njëanshmërive në media si dhe kontrollojnë vërtetësinë dhe kompetencën e informatave që i hasin. Praktikat e ndërlidhura me media ofrojnë vend për pjesëmarrësit që t’i zbatojnë dhe praktikojnë këto aftësi.
UNICEF-i në Kosovë gjithashtu mbështet “Techstitution” programin tërheqës i bazuar në teknologji që ndihmon të rinjtë e moshës 14–24 vjeç për t'u bërë pjesë e komunitetit më të madh lokal të teknologjisë. Këtu, të rinjtë mësojnë aftësi praktike të inxhinierisë dhe të kodimit të softuerit dhe përdorin teknologjinë digjitale për të gjetur së bashku zgjidhje dhe produkte inovative për ta forcuar dhe përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e institucioneve lokale dhe qendrore të Kosovës.
Një iniciativë tjetër është gjithashtu #Youth4CleanAir, përmes së cilës UNICEF siguron që fëmijët dhe të rinjtë të pajisen me shkathtësi dhe fuqizohen në mënyrë që ata të mund të bëhen agjentë aktivë të ndryshimit, duke shtyrë vendim-marrësit për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të adresuar ndikimet e ndryshimeve klimatike, duke siguruar në të njëjtën kohë edhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve të përfshirë në këtë iniciativë.
UNICEF-i punon për ta kapërcyer hendekun mes arsimit, aftësimit dhe punësimit përmes “Generation Unlimited (GenU)”. GenU në Kosovë (K-GenU) është platformë partneriteti që bashkon sektorin privat dhe publik dhe përqendrohet në mbështetjen e kalimit nga shkolla në punë e të rinjve të moshës 16 deri 24 vjeç. K-GenU synon t’i orientojë me sukses adoleshentët dhe të rinjtë për në vendin e punës duke ua rritur njohuritë dhe aftësitë e tyre si dhe duke i përgatitur për tregun e punës përmes praktikës në vend të punës. K-GenU nxit edhe lidhjet dhe partneritetet shumë-sektoriale me sektorin privat dhe institucionet tjera që ofrojnë mbështetje për t’i mik-pritur, aftësuar dhe mentoruar këta të rinj.
Aftësim dhe Fuqizim i të Rinjve
UNICEF-i në Kosovë siguron që adoleshentët dhe të rinjtë të kenë qasje në platforma dhe tu shtohet kapaciteti për ta ngritur zërin e tyre, duke përfshirë iniciativa për kohezion social që promovojnë dialogun, mirëkuptimin e ndërsjellë dhe përfshirjen ndërmjet grupeve të ndryshme të të rinjve. Kjo nënkupton se sigurohet që të rinjtë të jenë të lidhur, të angazhuar në mënyrë aktive, të fuqizuar dhe të aftësuar për të bërë zgjidhje për nevojat e paplotësuara sociale, duke nxitur një kulturë të tolerancës, mosdhunës dhe angazhimit qytetar konstruktiv brenda komuniteteve të tyre.
Sfidat
Në Kosovë, normat tradicionale shoqërore nënkuptojnë që të rinjtë shpesh nuk përfshihen në vendimmarrje në shtëpi, shkollë apo komunitete të tyre. Në masë të madhe, 61 për qind e adoleshentëve dhe të rinjve shfaqin ndjenja përjashtimi, që mendojnë se “pak” ose “hiç” nuk u jepet mundësi për të marrë pjesë në procese vendimmarrëse, me mbi 60 për qind që gjithashtu tregojnë se rrallë ose kurrë nuk angazhohen me udhëheqësit lokalë për çështje të komunitetit. Kjo nënkupton që adoleshentët dhe të rinjtë në Kosovë nuk mund t'i realizojnë të drejtat e tyre për shkak të mungesës së kapaciteteve, aftësive dhe mundësive për të marrë pjesë në fusha civile, politike dhe profesionale.
Për më tepër, mungesa e besimit tek autoritetet lokale dobëson kohezionin social dhe kufizon më tej angazhimin e të rinjve në vendimmarrjen në komunitet, duke kontribuar që vetëm një e treta e të rinjve të ndihen të gatshëm të flasin kur dëgjojnë komente të padrejta për një grup tjetër etnik, ndërsa më shumë se 90 për qind identifikojnë diskriminimin bazuar në racë dhe etni si një pengesë kryesore për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.
Sot, vetëm 10 për qind e të rinjve në Kosovë besojnë se interesat e tyre janë të përfaqësuara mirë në politikë. Platformat dhe mekanizmat për pjesëmarrjen e të rinjve në nivel lokal ose mungojnë ose nuk janë funksionale dhe nuk i përfshijnë të rinjtë e margjinalizuar dhe të cenueshëm. Si institucionet lokale ashtu edhe ato qendrore ende nuk e konsiderojnë si prioritet zhvillimin e të rinjve, gjë që reflektohet edhe nga ndarja e pakët nga buxheti për aktivitetet rinore në të dyja nivelet. Si rezultat rrjedh një brez i të rinjve dhe adoleshentëve të privuar nga e drejta e tyre, me pak përvojë ose pak interes në angazhimin social dhe civil në nivel lokal ose rajonal.
Zgjidhjet
UNICEF-i në Kosovë siguron që adoleshentët dhe të rinjtë të kenë mundësi ta ngritin zërin e tyre për çështjet që ndikojnë në ta.
Së bashku me autoritetet e Kosovës, shkollat dhe sektorin privat, UNICEF-i mbron burimet dhe shtimin e programeve që mund të krijojnë mundësi për ta rritur kapacitetin e të rinjve dhe për ta promovuar pjesëmarrjen aktive në shtëpitë, komunitetet dhe shoqërinë e tyre.
Njëra mënyrë është përmes “U-Report”-it, platformës globale për mesazhe dhe anketa e UNICEF-it që u mundëson të rinjve t’i shprehin mendimet e tyre mbi temat dhe u ndihmon në marrjen e vendimeve politike. Avokimi për ndryshim (Podium) është tjetër program premtues që është platformë për adoleshentët dhe të rinjtë, veçanërisht për ata më të margjinalizuarit që të mësojnë se si të avokojnë për nevojat dhe të drejtat e komuniteteve të tyre. Kjo përfshinë ngritjen e vetëdijes së tyre për fuqinë e ndryshimit shoqëror dhe avokimit, përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe besimit të tyre si dhe zhvillimin e aftësive dhe taktikave për të avokuar për nevojat dhe të drejtat e komuniteteve të tyre.
Për më tepër, përmes projektit Të Rinjtë e Fuqizuar përmes Shkollave dhe Shoqërive Gjithëpërfshirëse (YESS), fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve, veçanërisht nga komunitetet e margjinalizuara, është mundësuar duke përdorur shkollat dhe mjediset e tyre lokale si platforma për angazhim. Të rinjtë po pajisen me aftësi për të sjellë ndryshim pozitiv, për të promovuar tolerancën dhe për të përforcuar kohezionin social.
Përmes një kombinimi të arsimit joformal, iniciativave të udhëhequra nga të rinjtë dhe bashkëpunimit me autoritetet lokale, YESS promovon kuptimin dhe respektin e ndërsjellë, barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në vendimmarrjen komunitare. Projekti thekson dialogun ndër-komunitar, ndërtimin e marrëdhënieve mes të rinjve nga kontekste të ndryshme, si dhe trajnimin në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve, duke punuar ngushtë me institucionet lokale për të advokuar për ndryshime të qëndrueshme, të drejtuara nga komuniteti.
Duke forcuar këshillat e nxënësve dhe klubet e ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve brenda shkollave, YESS siguron qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të saj dhe shfrytëzon lidhjet e shkollave me komunitetin më të gjerë për të angazhuar të rinjtë në qeverisjen lokale dhe qytetarinë e përgjegjshme.
Përmes këtyre dhe programeve të tjera, UNICEF në Kosovë synon që të rinjtë të jenë të lidhur, të angazhuar aktivisht, të fuqizuar dhe të pajisur me aftësi për të fuqizuar zërat e tyre, për të promovuar dialogun, për të përforcuar kohezionin social dhe për të krijuar zgjidhje që përmirësojnë jetën dhe shoqërinë e tyre.
Përmes këtyre dhe programeve tjera, UNICEF-i në Kosovë synon që të rinjtë të lidhen, të angazhohen në mënyrë aktive, të fuqizohen dhe të pajisen me aftësi për ta ngritur zërin e tyre, promovojnë dialogun, nxisin kohezionin social dhe të bëjnë zgjidhje për ta përmirësuar jetën dhe shoqërinë e tyre.