UNICEF-i dhe USAID-i shënojnë përmbylljen e partneritetit trevjeçar për reagimin ndaj pandemisë COVID-19 në Kosovë

Prishtinë, 2 shkurt 2024 – UNICEF në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën e USAID-it në Kosovë, ka shënuar përmbylljen me sukses të partneritetit trevjeçar për “Reagimin ndaj Pandemisë COVID-19” në përputhje me Planin Kombëtar për Shpërndarje dhe Vaksinim. Ky partneritet ka sjellë rezultate të rëndësishme, duke përfshirë: sigurimin e marrjes së vaksinave kundër COVID-19; fuqizimin e sektorit shëndetësor; dhe minimizimin e efekteve dytësore të pandemisë duke siguruar qasje në shërbime të edukimit dhe mbrojtjes për fëmijët dhe familjet më të cenueshme.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin zëvendës Ministrja e Shëndetësisë, dr. Dafina Gexha Bunjaku, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Eileen Devitt, Shefja e UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman, këshilltarja e Ministres të Drejtësisë, znj. Vlora Limani, përfaqësues të shoqërisë civile, prindër dhe fëmijë.
Shkalla e krizës nga COVID-19 ishte e paprecedentë, duke i sfiduar qeveritë në arritjen e popullatës me vaksina dhe shërbime kritike shëndetësore, duke adresuar në të njëjtën kohë ndikimet ekonomike dhe sociale të pandemisë. Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i me mbështetjen bujare të USAID-it në Kosovë, ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera të Kosovës për ta parandaluar bartjen e virusit dhe për të siguruar qasje në vaksinat kundër COVID-19, duke fuqizuar në të njëjtën kohë sistemin e kujdesit shëndetësor.
Rezultatet kryesore të partneritetit UNICEF-USAID kanë përfshirë arritjen e 1.1 milionë personave me materiale për rrezikun, shpërndarjen e furnizimeve esenciale të higjienës te 240 qendra shëndetësore dhe 7,750 familje dhe pajisjen e 660 shkollave me pako higjienike. Aktivitete tjera kanë qenë shpërndarja e pakove të mbrojtjes te 2,200 mësimdhënës dhe 7,700 nxënës të klasës së parë, si dhe krijimin e 4 vendeve të përkohshme të testimit dhe 30 vendeve të reja të vaksinimit në lokacione të ndryshme në mbarë Kosovën.
Partneriteti ndërmjet USAID-it dhe UNICEF-it gjithashtu ka mundësuar dorëzimin e mbi 1,4 milionë dozave të vaksinave kundër COVID-19 nëpërmjet COVAX dhe ka kontribuar në arritjen e shkallës së vaksinimit prej 62% për popullsinë e moshës mbi 12 vjeçare. Infrastruktura e zinxhirit të ftoht në Kosovë është fuqizuar me prokurimin dhe instalimin e 16 pajisjeve të ngrirjes me temperaturë ultra të ulët, 5 dhoma të ngrirjes dhe një dhomë të ftohjes dhe instalimin e 270 frigoriferëve të rinj për vaksina në qendrat e mjekësisë familjare në mbarë Kosovën. Për ta mbështetur dorëzimin e vaksinave, ky partneritet ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e Planit Kombëtar për Komunikimin e Riskut, duke trajnuar 1,238 punëtorë shëndetësorë, duke organizuar 147 fushata vetëdijësuese dhe duke arritur 4.1 milionë persona në internet.
UNICEF-i, USAID-i dhe Institucionet e Kosovës kanë pranuar se kjo pandemi nuk ka qenë vetëm krizë shëndetësore por edhe krizë e të drejtave të fëmijëve, me ndikime të konsiderueshme në arsimimin e fëmijëve, qasjen në shërbime sociale dhe mirëqenien e përgjithshme. Me mbështetjen e USAID-it, UNICEF-it dhe partnerëve të tyre kanë qenë në gjendje të shkojnë përtej reagimit shëndetësor, duke vendosur fokusin në të drejtat e njeriut për të siguruar qasje në shërbime sociale të integruara dhe cilësore dhe për ta promovuar përfshirjen e fëmijëve dhe familjeve më të cenueshme.
Rezultatet kryesore kanë qenë krijimi i 59 Ekipeve Komunale për Reagim dhe Parandalim për ta trajtuar çështjen e braktisjes së shkollës, pajisja e 15 klasave burimore në shkollat për fëmijët me aftësi të kufizuara, mbështetja e tetë qendrave mësimore ku kanë përfituar 830 fëmijë nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe mundësimi i shërbimeve rehabilituese individuale të bazuara në komunitet për 920 fëmijë me aftësi të kufizuara.
UNICEF-i së bashku me partnerët e tij mbetet i përkushtuar që ta mbështes ndikimin pozitiv të këtij projekti dhe do të vazhdojë të punoj me të gjithë akterët për të siguruar që shërbimet gjithpërfshirëse dhe cilësore shëndetësore, edukative dhe mbrojtëse arrijnë te familjet më të cenueshme në Kosovë.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme