Si i filloi Kosova hapat e parë drejt mbrojtjes së vajzave nga kanceri i qafës së mitrës

Në më pak se një vit, Kosova ka vaksinuar tri të katërtat e të gjitha vajzave të klasës së gjashtë kundër HPV-së, virus që shkakton kancerin e qafës së mitrës dhe kancere të tjera.

UNICEF
English
UNICEF/2024/A.Nimani
25 Tetor 2024

Amara, një dymbëdhjetë vjeçare plot gjallëri nga Prishtina, kaplohet nga entuziazmi kur e pyet për matematikën, baletin, volejbollin – dhe për vaksinën kundër HPV-së.

Këtë pranverë, Amara ishte e para në klasën e saj që e mori vaksinën. Ajo thotë se nuk kishte "asnjë shqetësim" për ta pranuar vaksinën. Asaj i ndihmoi fakti që prindërit e saj, të dy mjekë, e kuptonin sigurinë e vaksinës dhe pse është kaq e rëndësishme. Infermierët dhe mjekët që erdhën në shkollën e saj për ta dhënë vaksinën gjithashtu e zbutën çdo shqetësim.

“Ata na thanë se na mbron nga sëmundjet dhe na mban të shëndetshëm”, thotë ajo. "Kështu që nuk isha e stresuar."

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Para vitit 2023, vaksina kundër HPV-së nuk ishte pjesë e  kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë. Si rezultat, vetëm një numër “shumë i vogël” i fëmijëve ishin vaksinur kundër HPV-së, thotë doktoresha Fetije Fetaj, specialiste e epidemiologjisë dhe shefe e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Por që kur filloi  fushata  e vaksinimit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2024, më shumë se 9,000 vajza kanë marrë vaksinën kundër HPV-së. Kemi të bëjmë me plot tri të katërtat – 75 për qind – e të gjitha vajzave të klasës së gjashtë në Kosovë. Kjo përqindje i tejkalon shumë nga shtetet fqinje të Kosovës; në të gjithë rajonin evropian, vetëm 40 për qind e vajzave kanë marrë një dozë të vaksinës kundër HPV-së deri në moshën 15 vjeç.

Ky është gjithashtu një numër që mund të shpëtojë jetë. E disponueshme që nga viti 2006, vaksina kundër HPV-së është shumë e sigurt, efektive - dhe një nga vaksinat e pakta që parandalon kancerin. Kjo është për shkak se HPV-ja shkakton rreth 5 për qind të të gjithë kancereve në mbarë botën. Këtu përfshihen kanceri i qafës së mitrës, por edhe kanceri anal, i vulvës, i penisit, orofaringeal dhe vaginal.

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Për shembull, rreth 95 për qind e të gjithë kancereve të qafës së mitrës shkaktohen nga infeksioni me HPV. Kanceri i katërt më i zakonshëm për gratë në mbarë botën, kanceri i qafës së mitrës, vret 350,000 gra çdo vit. Duke pasur parasysh efikasitetin prej më shumë se 90 për qind të vaksinës, nëse këto gra do të ishin vaksinuar kundër HPV-së, rreth 300,000 jetë do të shpëtoheshin çdo vit.

Në Kosovë, prevalenca e grave me tumorë malinje të organeve riprodhuese ka qenë në rritje – nga 73 raste sa ishin në vitin 2012, është pesëfishuar në 361 në vitin 2021, thotë Dr.Fetaj.

“Për Kosovën, vaksina kundër HPV-së pritet t'i reduktojë shumë rastet e kancerit të qafës së mitrës”, thotë ajo. “Studimet e kryera në vende të tjera që e kanë përfshirë tashmë këtë vaksinë në përdorim kanë treguar rënie [...të rasteve]”.

English
UNICEF/2024/A.Nimani

Përpjekjet e Kosovës për t'i mbrojtur qytetarët e saj nga kanceri – si dhe nga simptomat e tjera më pak vdekjeprurëse, por të pakëndshme, të llojeve të ndryshme të HPV-së, siç janë lythat gjenitalë – kanë marrë mbështetjen e organizatave lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me mbështetjen e UNICEF-it dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë në partneritet me GAVI-n, ofruan trajnime për profesionistët shëndetësorë mbi vaksinimin dhe koomunikimin për vaksinën kundër HPV-së, duke përfshirë komunikimin me grupet e komuniteteve të margjinalizuara. Profesionistët shëndetësorë në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bënë shpërndanë broshura informuese në shkolla dhe biseduan me mësimdhënësit, për pyetjet qe mund t’i kishin prindërit për vaksinimin kundër HPV-së.

Më 20 shkurt 2024 filloi fushata e vaksinimit. Mjekët dhe infermierët shkuan nëpër shkolla për të kryer vaksinimin kundër HPV-së. Prioriteti kryesor ishte vaksinimi i vajzave të klasës së gjashtë, si Amara dhe shoqet e saja.

Sigurisht që ka pasur edhe sfida. Dr. Rejhane Zhushi Musliu, shefe e imunizimit në komunën e Obiliqit, kujton rastin në një shkollë,  ku një nënë nuk ka pranuar që vajza e saj ta merrte vaksinën. Kur profesionistët shëndetësor erdhën për ta dhënë vaksinën, jo vetëm vajza e saj refuzoi – por edhe nxënëset tjera të klasës së gjashtë. “Asnjëra nga vajzat në atë klasë nuk pranoi të merrte vaksinën,” thotë Dr. Musliu.

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Në vend që të dorëzoheshin, Dr. Musliu dhe ekipi i saj këmbëngulën. Ata organizuan diskutime me drejtorin e shëndetësisë dhe me kryetarin e komunës – të cilët folën me nënën personalisht. Ata dëgjuan shqetësimet e saj dhe më pas ndanë provat për sigurinë e vaksinës dhe potencialin e saj për të shpëtuar jetë.

“Ata e informuan nënën për pasojat e infeksionit me HPV dhe se sa me fat janë vajzat që, në moshën e tyre, kanë mundësinë të marrin vaksinën”, thotë Dr. Musliu. “Brenda dy ditësh, ne arritëm ta ndryshonim mendjen e të gjithë këtyre prindërve”.

Kur profesionistët shëndetësor u kthyen në klasë, secila vajzë pranoi ta merrte vaksinën.

Sfidat tjera kanë qenë të lidhura me vajzat adoleshente që mund të mos ndjekin rregullisht shkollën, veçanërisht ato nga komunitetet joshumicë. Nuhi Morina punon si mbikëqyrës në organizatën për avokim social Balkan Sunflowers Kosova, organizatë që angazhon vullnetarë nga komuniteti për të punuar me familjet nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian rreth vaksinimit. 

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Vullnetarët shkojnë derë më derë në familjet e komuniteteve për të rritur vetëdijën për vaksinimin e rregullt të fëmijëve. Megjithatë, vaksina kundër HPV-së kërkonte një qasje të veçantë. Një perceptim i gabuar që vullnetarët  hasën dhe duhej ta adresonin, për shembull, ishte se vaksina kundër HPV-së ishte e re.

"Njerëzit mendonin se kjo është vaksinë e re. Nuk është e re –  është e re për ne," thotë ai.

Për të rënë në kontakt me prindërit, Morina dhe vullnetarët e tjerë shkuan nga një shtëpi në tjetrën, duke biseduar me familjet dhe duke regjistruar se sa fëmijë kanë, sa vjeç janë, cilat vaksina i kanë marrë sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Ata shpesh kanë punuar edhe në fundjavë, kur fëmiljet kishin më shumë gjasa të ishin në shtëpi.

Diskutimi për HPV-në, një infeksion seksualisht i transmetueshëm, mund të jetë veçanërisht temë tabu. “Vajzat shpesh hezitojnë të flasin madje edhe me nënat e tyre për këto çështje”, thotë ai. "Edhe kur kanë ciklin e tyre të parë menstrual, ato nuk ndihen rehat ta ndajnë këtë me dikë. Por ato ndjehen më të lira të flasin me miket dhe bashkëmoshataret e tyre." Si rezultat, vullnetarët gjithashtu organizojnë sesione informuese për HPV-në ku i ndajnë pjesëmarrësit – jo vetëm sipas gjinisë, por edhe sipas moshës. Nënat do të jenë në njërin grup; vajzat adoleshente në grupin tjetër.

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Për të njëjtën arsye, ai thotë se i ndan përgjegjësitë me  vullnetaren me të cilën punon. Nëse ata shkojnë në një shtëpi dhe babai është aty, ai mund të flasë me babanë. Por janë gratë vullnetare ato që do të flasin me nënën dhe vajzat.

Gjatë vizitave derë më derë, vullnetarët identifikuan gjithashtu rastin e një vajze e cila kishte simptoma të ngjashme me ato të kancerit të qafës së mitrës. Ata i mundësuan familjes së saj kontaktin me spitalin. Por kjo i shqetësoi ata.

"Kjo na frikësoi pak, kështu që ne po i intensifikojmë përpjekjet tona për ta promovuar vaksinën edhe më shumë në komunitet," thotë ai. “Duke marrë parasysh që vaksina jepet falas, nuk duam që një vajzë [nga komunitetet rom, ashkali apo egjiptian] të humbasë këtë mundësi– ne duam që ato ta kenë këtë mbrojtje”.

Hapat e ardhshëm, thotë Dr.Fetaj, përfshijnë zgjerimin e grupmoshës së vajzave të kualifikuara, si dhe përfshirjen e djemve – të cilët gjithashtu bartin, transmetojnë dhe vuajnë nga pasojat e HPV-së, si kanceri anal dhe ai i penisit.

Dr.Fetaj thekson nevojën për më shumë vëmendje për të siguruar që ekzaminimet e kancerit të qafës së mitrës, të njohura si 'Pap teste', të bëhen rutinë dhe të qasshme për të gjitha gratë. “Vizitat rutinë për gratë në Kosovë nuk janë aq të zhvilluara apo sistematike dhe mund të kalojë shumë kohë para se të bëhet një Pap test”, thotë ajo. "Vetëm vaksinimi nuk mund të bëjë mrekulli, por kur kombinohet me kontrolle të rregullta, mund të ketë ndikim të madh në shëndetin publik, veçanërisht shëndetin e grave."

English
UNICEF/2024/S.Karahoda

Po Amara? Ajo emocionohet kur e di se ka bërë një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të saj, "Shpresoj që të gjithë ta marrin vaksinën në moshën time, apo edhe në moshë më të re," thotë ajo.

 "Të gjithë meritojnë të jenë të shëndetshëm dhe ta jetojnë jetën e tyre."