Tejkalimi i barrierave pëe të ndërtuar të ardhmen
Lexoni historinë e Fionës
- English
- Shqip
Fiona, një vajzë 16-vjeçare nga komuniteti egjiptian, është përballur me sfida që shumë bashkëmoshatarë të saj as që mund t’i imagjinojnë. E lindur me aftësi të kufizuara, ajo është përballur me një barrë të dyfishtë: nga njëra anë, me stigmën dhe paragjykimet që shpesh lidhen me përkatësinë e saj etnike dhe, nga ana tjetër, me kufizimet që i shkakton aftësia e kufizuar. Këto vështirësi e bënë Fionën të ndrojtur, të tërhequr në vetvete dhe pa vetëbesim, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës e izoluar në shtëpi.
Historia e saj mori një kthesë kur Qendra Komunitare nr. 4 në Shkodër, e cila punon ngushtësisht me familjet e komunitetit egjiptian, identifikoi rastin e saj gjatë vizitave në familje dhe takimeve informuese. U bë e qartë se Fiona ishte shkëputur nga arsimi pas përfundimit të klasës së 9-të dhe rrezikonte të mbetej jashtë mundësive për të vijuar arsimimin ose për të ndjekur formim profesional, një realitet që, fatkeqësisht, prek shumë vajza në komunitetin e saj.
Pavarësisht ndrojtjes, gjatë takimit të parë të vlerësimit, Fiona shprehu një interes të veçantë: ajo ishte e magjepsur nga kompjuterët dhe telefonat, duke dhënë një sinjal të shkurtër, por domethënës, për aspiratat e saj.
Duke njohur potencialin e saj, stafi i YWCA Shkodër i ofroi mbështetje dhe ndërmori hapa konkretë për të mbrojtur interesat e saj. Ata punuan vazhdimisht për të krijuar besim te prindërit e Fionës dhe theksuan rëndësinë e pjesëmarrjes së saj në një program trajnimi. Pas disa seancave këshillimi me familjen, prindërit e saj ranë dakord ta mbështesnin për të hedhur hapin e radhës.
Fiona u regjistrua në skemën e Garancisë Rinore, e cila i hapi rrugën për të ndjekur një kurs profesional për aftësitë digjitale. Për të siguruar që ajo të ndihej rehat dhe të integrohej sa më mirë, programi e përfshiu në një grup gjithëpërfshirës, ku vajza nga komuniteti egjiptian dhe të rinj të tjerë të zonës mund të mësonin dhe të zhvilloheshin së bashku.
Sot, përparimi i Fionës është i dukshëm. Vajza e ndrojtur, e cila dikur shmangte kontaktin me sy dhe fliste me zë të ulët, tashmë është shndërruar në një pjesëmarrëse aktive në kursin e saj.
Ajo ka zhvilluar aftësi në përdorimin e kompjuterit dhe në programimin bazë, si dhe ka krijuar miqësi të reja me bashkëmoshatarët. Mbi të gjitha, Fiona ka fituar vetëbesimin për të përfytyruar një të ardhme profesionale, një perspektivë që dikur ishte e mjegulluar nga pengesat e dyfishta të aftësisë së kufizuar dhe paragjykimeve etnike. Kursi jo vetëm që i ka dhënë aftësi profesionale, por i ka ofruar edhe një mjedis mbështetës, ku ajo ndihet e vlerësuar, e barabartë dhe e fuqizuar.
Mbështetja e personalizuar, mjediset gjithëpërfshirëse dhe mundësitë e përshtatura sipas nevojave individuale janë thelbësore. Skema e Garancisë Rinore luan një rol jetik, duke siguruar që të rinjtë në situata të cenueshme, si Fiona, të kenë akses në arsim, formim profesional dhe mundësi punësimi.
#EU4Youth financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Albania dhe UNICEF Albania, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.