Çdo i ri meriton një mundësi të dytë.
Nga një ëndërr fëmijërie te një profesion për të ardhmen!
- English
- Shqip
Kur kujton fëmijërinë e tij, Mario nga Shkodra tregon se shpesh ndalonte para vitrinës së berberhanes, i magjepsur nga tingulli ritmik i gërshërëve dhe zhurma e makinës së qethjes. E përfytyronte veten në karrigen e berberit, duke krijuar linja të pastra dhe modele moderne qethjeje, dhe ëndërronte që një ditë të mbante vetë në duar veglat e këtij profesioni.
Por jeta, siç ndodh shpesh, mori një drejtim tjetër. Shkolla u kthye në një sfidë dhe, përfundimisht, Mario e la atë. Ditët u bënë javë, javët muaj dhe ai mbeti pa një drejtim të qartë. E ardhmja dukej e largët, e paqartë dhe e paarritshme.
Megjithatë, jeta di të na befasojë. Ndonjëherë mjafton një shkëndijë, një mundësi e vetme, për të ndezur sërish zjarrin brenda nesh. Për Marion, kjo shkëndijë erdhi në pranverë, kur ai dhe babai i tij morën pjesë në një aktivitet në Qendrën Komunitare nr. 5, një hapësirë shprese për familjet dhe të rinjtë në Shkodër. Qendra, e cila për shumëkënd është një pikë e rëndësishme mbështetjeje, i lidh të rinjtë me programe dhe shërbime që i ndihmojnë të dalin nga pasiguria dhe të gjejnë rrugën e tyre. Pikërisht aty, Mario mësoi për projektin Garancia Rinore, një program i krijuar për të mbështetur të rinjtë që nuk janë në arsim, punësim apo formim profesional (NEET).
Stafi i qendrës, duke ndihmuar të rinjtë të zbulojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre, i prezantoi Marios një botë mundësish: kurse profesionale, programe trajnimi dhe këshillim për karrierën, të përshtatura me nevojat e tij.
Gjatë një sesioni informues, ëndrra e fëmijërisë së Marios u rikthye me forcë.
Kur dëgjoi për kursin e berberit, sytë iu ndriçuan. I inkurajuar dhe i mbështetur hap pas hapi nga stafi i përkushtuar i YWCA Shkodër, Mario vendosi të ndërmerrte hapin e parë. U regjistrua në kurs dhe nisi të mësonte zanatin që e kishte admiruar prej kohësh. Por Mario nuk u ndal me kaq. I vendosur për t'u përgatitur sa më mirë, gjatë verës ai doli vullnetar në një berberhane të lagjes, ku mësoi nga afër çdo hollësi të profesionit, nga saktësia në përdorimin e gërshërëve deri te rëndësia e komunikimit me klientët.
Sot, në moshën 16-vjeçare, Mario është plotësisht i përkushtuar ndaj kursit profesional të berberit. Ai nuk po mëson vetëm të presë flokët, por po rifiton besimin te vetja, ndjenjën e qëllimit dhe besimin te e ardhmja. Kursi nuk po i mëson thjesht një aftësi profesionale; po i jep mjetet e nevojshme për të rindërtuar jetën e tij.
Rrugëtimi i Marios nuk ka kaluar pa u vënë re. Ai është bërë një shembull frymëzues për vëllain e tij më të vogël, të cilin tashmë e inkurajon të vazhdojë shkollën dhe të mos heqë dorë nga ëndrrat e veta.
“Kur isha i vogël, doja të bëhesha berber”, thotë shpesh Mario. Fjalët e tij na kujtojnë se rruga drejt ëndrrave rrallëherë është e drejtë. Ajo është plot kthesa dhe sfida, por, me orientimin dhe mbështetjen e duhur, mund ta gjejmë sërish rrugën drejt tyre.
Përmes nismës “Qendra e Aktivizimit të të Rinjve NEET – Fuqizimi i të rinjve përmes rrjetit të partneriteteve vendore në Shkodër”, projekti Garancia Rinore po ngjall shpresë për të rinj si Mario. Ekipi punon për t'i informuar, orientuar dhe lidhur ata me mundësi konkrete. Programi po i ndihmon të rinjtë që kanë mbetur jashtë sistemit arsimor dhe tregut të punës të ngrihen sërish dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ai është një mbështetje jetike për të rinjtë në situata të cenueshme, duke u ofruar jo vetëm mundësinë për të mësuar një profesion, por edhe për të besuar te vetja dhe potenciali i tyre.
Për Marion, kjo mundësi e ka ndihmuar të rikthejë ëndrrën e fëmijërisë dhe ta shndërrojë atë në një të ardhme konkrete. Ndoshta ky është edhe ndikimi i vërtetë i komunitetit dhe i programeve si Garancia Rinore: ato nuk i ndihmojnë të rinjtë vetëm të gjejnë rrugën e tyre, por u kujtojnë se, në të vërtetë, nuk e kishin humbur kurrë atë.
#EU4Youth financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP Albania dhe UNICEF Albania, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencinë Kombëtare të Rinisë, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.