Dita Botërore e Obezitetit: UNICEF bën thirrje për veprim me qëllim të transformimit të kushteve ushqimore në shkolla
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 4 mars 2026: “Me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit, UNICEF-i bën thirrje për veprime me qëllim të përmirësimit të kushteve ushqimore nëpër shkollat në Maqedoninë e Veriut, pasi që mbipesha dhe obeziteti te fëmijët vazhdojnë të rriten gjatë viteve të para shkollore, periudhë kritike për krijimin e shprehive të të ngrënit gjatë gjithë jetës.
“Të dhënat e fundit tregojnë se 34 për qind e djemve dhe 28.3 për qind e vajzave të moshës 7-9 vjeçare jetojnë me mbipeshë ose obezitet. Ndonëse fëmijët do të përfitonin nga aktiviteti më i madh fizik në shkollë, domosdoshmërish duhet të theksohet se aktiviteti i pamjaftueshëm fizik nuk është shtytësi kryesor i trendeve aktuale - pasi sipas prindërve, më tepër se 90% e fëmijëve angazhohen çdo ditë në të paktën një orë lojëra aktive ose aktivitet fizik.
“Në fakt, ambientet e pashëndetshme ushqimore e formësojnë dietën e fëmijëve. Pothuajse një e treta e fëmijë konsumojnë rregullisht pije të gazuara të ëmbëlsuara me sheqer, ndërsa më shumë se tre të katërtat nuk hanë çdo ditë fruta dhe perime, gjë që tregon se ushqimet e shëndetshme nuk janë pjesë e rutinës së përditshme të fëmijëve.
“Shkolla luan rol vendimtar në formësimin e këtyre sjelljeve. Vlerësimi i UNICEF-it për mjediset ushqimore në shkolla tregon se aty ku është i disponueshëm ushqimi, janë të zakonshme përzgjedhjet e pashëndetshme - të tilla si pijet e ëmbla dhe ushqimet e lehta të kripura dhe të ëmbla.
“Në gjetjet theksohet se mjediset në të cilat fëmijët hanë ose mund të blejnë ushqim e minojnë ushqyerjen e shëndetshme. Kur ushqimet jo të shëndetshme janë të lira, gjerësisht të disponueshme dhe intensisht të reklamuara, ndërsa opsionet ushqyese janë të kufizuara, shëndeti i fëmijëve vuan.”
“UNICEF i bën apel vendit ta kufizojë shitjen e ushqimeve ultra të përpunuara dhe pijeve me sheqer në shkolla, t’i forcojë rregulloret mbi marketingun e ushqimit dhe pijeve për fëmijët dhe të investojë në edukimin mbi ushqimin adekuat, i cili i ndihmon fëmijët të mësojnë rreth të ushqyerit të shëndetshëm.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme, kur kihet parasysh fakti se kostoja ekonomike e vlerësuar e mbipeshës dhe obe zitetit është rreth 5% e PBB-së - afërsisht 482 milionë euro, ose 241 euro për një person në vit.
“Përvoja globale tregon se ndryshimi është i mundur. Dëshmitë e UNICEF-it nga vendet që kanë kufizuar shitjet dhe marketingun e ushqimeve të pashëndetshme në shkolla tregojnë përmirësime në dietat e fëmijëve dhe konsumim të reduktuar të pijeve me sheqer dhe ushqimeve ultra të përpunuara.
“Mbrojtja e fëmijëve nga mjediset e pashëndetshme ushqimore paraqet një nga veprimet më efektive për ta parandaluar obezitetin dhe për ta mbështetur shëndetin gjatë gjithë jetës.”
Shënimet për redaktorët: UNICEF-i në Maqedoninë e Veriut ka realizuar një vlerësim të kushteve të ushqyerjes në shkolla. Derisa raporti i plotë është në fazën finale, konstatimet kryesore vënë në pah këtë:
“UNICEF, në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, bashkëpunon me pesë shkolla në Shkup, Kumanovë, Veles dhe Shtip për të zhvilluar iniciativa që promovojnë zgjedhje më të shëndetshme ushqimore. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit punojnë së bashku për ngritjen e ndërgjegjësimit, përfshirjen e autoriteteve lokale dhe avokimin për një qasje më të madhe në opsione ushqyese, duke synuar të kufizohet reklamimi i ushqimeve jo të shëndetshme. Qëllimi i këtij qasjeje është të ndërtohet mbështetje publike për politika me të cilat zgjedhjet e shëndetshme do të bëhen më të arritshme në shkolla.”
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.