Shëndeti mendor i adoleshentëve dhe mediat sociale

Pyetëm ekspertët e shëndetit mendor se si iu qasen mediave sociale në familjet e tyre.

Two teen girls and a boy looking at a phone
UNICEF North Macedonia/Georgiev/2025

Nëse keni një adoleshent, i cili/ e cila duket i/e lidhur me ekranin e pajisjes teknologjike gjatë gjithë ditës, keni parasysh se nuk jeni të vetëm. Mediat sociale përbëjnë një pjesë të madhe të jetës së përditshme për shumë adoleshentë. Ndonëse ka aq shumë përfitime nga të qenit onlajn dhe i lidhur në rrjet, megjithatë shumë prindër kanë vështirësi mbi mënyrën se si t’i përballojnë disa nga rreziqet dhe shqetësohen se si mund të ndikohet mirëqenia e fëmijëve të tyre. 

Ne biseduam me tre psikologë mbi mënyrën se si ata e kanë trajtuar përdorimin e mediave sociale në familjet e tyre. Andru Grinfild, Lisa Damur dhe Pam Tudin-Buhalter vënë në pah se çka funksionon mirë për familjet e tyre dhe ofrojnë këshilla praktike për prindërit e tjerë. 

Like notifications

1. Cilat kanë qenë shqetësimet tuaja kryesore në lidhje me adoleshentin tuaj, rreth përdorimit të mediave sociale?  

PAM: Mendoj se shqetësimi im më i madh është bindja e fëmijëve të mi se janë imunë ndaj shpërqendrimeve digjitale - se në një farë mënyre ata mund të studiojnë, t'i përgjigjen porosisë së shoqes dhe ta shikojnë një film, pra ta bëjnë gjithë këtë duke e hartuar një ese të mirë mbi Napoleonin. Zhurmat dhe njoftimet e pafundme që iu vijnë në pajisjet elektronike, më bëjnë të shpërqendrohem, andaj e di se edhe ata i shpërqendron!

Gjithashtu shqetësohem se ata mendojnë që janë imunë ndaj disa rreziqeve dhe se në një farë mënyre do të jenë ata që do ta mposhtin me zgjuarsi grabitqarin, i cili fshihet në forumet e bisedave, gjegjësisht se nuk do të bien pre e ndonjë mashtrimi në internet. Si prind, që e luan edhe rolin e psikologut, e di që askush nuk është imun ndaj listës së gjatë të sfidave në internet, të cilat mund t’i fusin në grackë adoleshentët tanë, të cilët kalojnë shumë kohë para ekranit. 

LISA: Unë shqetësohem për përdorimin e mediave sociale, kur ato i zëvendësojnë aktivitetet thelbësore për zhvillim të shëndetshëm: gjumin e mjaftueshëm, të qenit fizikisht aktivë, kryerjen e detyrave shkollore me përqendrim, shoqërimin fizik me miqtë dhe ndihmën në punët e shtëpisë ose bashkësisë. Gjithashtu shqetësohem kur adoleshentët e gjejnë veten të përfshirë në konflikte me bashkëmoshatarët, të cilat zhvillohen në internet qoftë në cilësinë e agresorit ose viktimës së ngacmimit kibernetik.

ANDRU: Sigurisht, shqetësim në vete është kalimi i kohës së gjatë në mediat sociale. Shqetësim tjetër është të besosh në gjithçka që dëgjon dhe sheh në mediat sociale, të cilat mund të jenë ngjarje katastrofike ose t’u besosh reklamave ose opinioneve nga burime të pabesueshme.   

Phone receiving notifications

2. Çfarë dobie keni parë nga mediat sociale?  

ANDRU: Ndoshta dobia kryesore që shoh është lidhja. Ne jemi shumë më të lidhur me njerëzit - të lidhur me familjen, me miqtë, me njerëz në shtete tjera dhe jashtë shtetit. Kjo është shumë e rëndësishme sepse këta janë njerëz me të cilët në rrethana tjera nuk do të lidheshim fare. 

Ekspozimi ndaj shumë informacioneve tjera paraqet një anë tjetër pozitive, megjithëse në parim ajo mund të jetë edhe negative. Ajo që duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë është se është mirë të ekspozohen ndaj këtyre informacioneve, por duhet të jenë në gjendje ta filtrojnë atë që mendojmë se është e përshtatshme, nga ajo që nuk është e përshtatshme, çfarë është e saktë nga ajo çfarë nuk është e saktë. Kjo qasje inkurajon debatin dhe të menduarit rreth ideve, ndërsa roli ynë si prindër është t’i ndihmojmë ata në këtë drejtim dhe të diskutojmë pikëpamje të ndryshme.  

Teens connecting through phones

PAM: Me të gjitha shqetësimet e mia, kam parë vërtet disa përfitime të mahnitshme nga mediat sociale! Kohët e fundit, djali im u bashkua me një grup në internet që ua mësonte anglishten refugjatëve ukrainas - ai kurrë nuk do të kishte qenë në gjendje ta bënte këtë pa ndikimin e mediave sociale. Shoh fëmijë që kanë vështirësi të integrohen në shoqëri, duke njoftuar në internet njerëz me të njëjtat interesa, të cilët nuk mund t’i gjejnë në oborrin e shkollës. Ata udhëtojnë me kilometra për t’i takuar ata dhe përfundojnë duke krijuar një rreth miqsh! Gjithashtu më pëlqen se si adoleshentët tanë përdorin platformat sociale për t’u shprehur rreth çështjeve të rëndësishme socio-politike përreth tyre. 

“Unë e kam ditur, që mediat sociale janë një litar shpëtimi për të rinjtë, të cilët kanë vështirësi të krijojnë lidhje me bashkëmoshatarët në komunitetin e tyre lokal.”  
Lisa Damur 


3. Si keni folur me adoleshentin tuaj mbi përdorimin e mediave sociale dhe shqetësimet në raport me shëndetin mendor?  

LISA: Unë kam biseduar me adoleshentët e mi rreth asaj se si të sigurohem që, para së gjithash, mediat sociale t’ua bëjnë jetën më të mirë, e jo më të keqe. Njëkohësisht i inkurajoj të reflektojnë mbi arsyet pse iu drejtohen mediave sociale, kur i përdorin dhe si ndihen gjatë përdorimit të tyre. Kam folur gjithashtu me adoleshentët e mi rreth lidhjes së fortë midis gjumit dhe shëndetit mendor si dhe njëkohësisht edhe mbi rëndësinë kritike të sigurimit që mediat sociale të mos i privojnë ata nga një gjumë të rehatshëm gjatë natës.

ANDRU: Ka pasur raste kur fëmijët e mi kanë qenë dëshmitarë të sjelljes bullizuese në internet, andaj edhe i kam pyetur se çfarë bëni në raste të tilla. A rrini duarkryq? A komentoni, a nuk komentoni? A thoni: “Hej djema, mjaft më, kjo nuk është e përshtatshme as në këtë platformë e as gjetiu”? A mendoni se është e përshtatshme të raportohet një rast i tillë? Nëse po, kujt ia raportoni? Unë e di çfarë do të bëja, por jam e interesuar të di se çfarë do të bënin fëmijët e mi. Është e rëndësishme të jem në gjendje t’i ndihmoj dhe t’i inkurajoj ata të mendojnë për këto çështje dhe të parandaloj që gjërat të dalin jashtë kontrollit.

PAM: Mendoj se fëmijët tanë e dëgjojnë (me vëmendje) mesazhin kur iu përcillet me butësi, në vazhdimësi, në mënyra të ndryshme dhe me një dozë kureshtje. Kur i kemi pyetur se çfarë mendojnë se janë shqetësimet e mundshme mbi shëndetin mendor dhe i kemi lënë ata t’i shprehin këndvështrimet e tyre rreth çështjeve të ndryshme të mediave sociale, detyrimisht kemi arritur fitore reciproke në shtëpinë tonë. Biseda në tavolinë, pyetjet që ua kemi parashtruar se çfarë vërejnë tek miqtë e tyre, çfarë vërejnë te ne si prindër dhe më vonë, pyetja se çfarë vërejnë për veten e tyre, u jep atyre hapësirë ​​të mendojnë vërtet për problemet në vend që të na kundërshtojnë në çdo raund.  

Two girls on their phones.
UNICEF North Macedonia/2025

4. Si i qaseni përdorimit të mediave sociale në familjen tuaj?  

ANDRU: Unë mundohem ta kufizoj kohën kudo që mundem. Në fakt, përpiqem që t’i bind fëmijët më të rritur që ta kufizojnë vetë kohën që e kalojnë me pajisjet e tyre elektronike, në vend që kjo kërkesë të vijë vetëm nga unë, sepse 16-vjeçari im nuk do të dëgjojë domosdoshmërisht shumë. Si prind, mund të vendosësh shumë pengesa dhe restrikcione të ndryshme, por dua të jem në gjendje t’u besoj edhe atyre. Andaj mendoj se kjo është e gjitha, të përpiqem t’ua bart atyre atë besim. Por sigurisht, kur ky vetërregullimi është i vështirë, atëherë duhet të ndërhyj dhe t'i ndihmoj.

LISA: Ne kurrë nuk ia  lejojmë askujt përdorimin e pajisjeve teknologjike në tryezën e darkës ose në dhomën e gjumit. Këto rregulla të thjeshta - veçanërisht ajo për mbajtjen e pajisjeve teknologjike jashtë dhomave të gjumit - kanë funksionuar mirë për ne. Kufizimi i përdorimit të teknologjisë në hapësirat publike duket se e ka kufizuar kohën e përgjithshme të adoleshentëve tanë në internet. Andaj vendosja e një rregulli që të gjitha pajisjet të karikohen gjatë natës në kuzhinë, ka ndihmuar shumë familjen tonë të bëjmë gjumë të rehatshëm.

PAM: Që nga dita e parë ua kemi bërë të qartë se telefoni na përket neve – ata thjesht e kanë të huazuar nga ne. Ne bëmë marrëveshje për çështjet themelore - asnjë telefon në dhomën e gjumit pas orës 19:00, qoftë edhe nëse është fjala për detyra shtëpie. Shumica e gjërave të këqija ndodhin natën, kështu që ishim të qartë se nuk do të lejoheshin telefonat në dhomat e gjumit pas asaj ore. Në fillim, fëmijëve tanë u lejoheshin vetëm dy aplikacione, kështu që nuk kishte kurrë më shumë sesa, le të themi, Snapchat-in dhe Instagram-in në të njëjtën kohë - nëse donin TikTok-un, duhej ta zëvendësonin atë me njërin nga aplikacionet e instaluara. Ata edhe më tej duhet të kërkojnë të shkarkojnë një aplikacion të ri dhe duhet të shpjegojnë pse e duan. Arsyetimi "Të gjithë miqtë e mi e kanë atë..." nuk kalon në shtëpinë tonë dhe ata e dinë këtë. E drejta për të dhëna duhet fituar.   

Dad and son talking

5. Çfarë ka funksionuar mirë për familjen tuaj? 

LISA: Kemi arritur sukses, atëherë kur edhe ne si prindër i kemi zbatuar të njëjtat rregulla që i kemi vendosim për adoleshentët tanë. Kur adoleshentët tanë kanë kërkuar t’i kenë telefonat e tyre në dhomat e tyre, ne kemi mund në gjendje të themi: “Të kesh teknologji në dhomën e gjumit - madje edhe gjatë ditës - dëmton cilësinë e gjumit që e bën në atë dhomë. Ne i mbajmë pajisjet teknologjike jashtë dhomës së gjumit, me qëllim që ta mbrojmë gjumin tonë dhe - bashkë me të - shëndetin tonë fizik dhe mendor. Mbajtja e pajisjeve teknologjike jashtë dhomës sonë dhe lënia e tyre në dhomën tuaj do të ishte si të hipnim në makinë dhe të vendosnim rripat e sigurimit, por të mos kërkonim që ju ta vendosnit rripin tuaj të sigurisë”.

PAM: Në shtëpinë tonë koha e kaluar para ekranit kurrë nuk ka pasur të bëjë me çështjen "sa", por ajo matet me mënyrën se si ata i menaxhojnë të gjitha pjesët e rëndësishme të jetës së tyre, si ushtrimet, lidhjet në kohë reale me miqtë, detyrat e shtëpisë, punët rreth shtëpisë. Kur këto janë në vendin e duhur, ne jemi të lumtur që ata të kalojnë kohë në pajisjet e tyre përderisa nuk kanë ndonjë angazhim tjetër, madje nëse ndonjëri nuk arrin t’iu përmbahet këtyre kritereve, ne ia bëjmë me dije dhe ia lëmë një javë kohë në dispozicion që ta përmirësojë gabimin. Nëse nuk arrijnë ta ruajnë ekuilibrin, atëherë thjesht u themi se ne do ta mbajmë telefonin, derisa ta rikthejë ekuilibrin. Natyrisht jo gjithnjë atyre iu pëlqen ky vendim, por gjithsesi që e kuptojnë. Kjo na mban larg luftës për pushtet dhe zënkave të ashpra.  

ANDRU: Ne të gjithë e dimë që edhe prindërit përdorin pajisje, prandaj është e rëndësishme të jemi shembull i sjelljes së mirë. Sigurisht, prindërit bëjnë shumë gjëra të ndryshme me fëmijët në internet, si organizimi i kohës së dërgimit dhe marrjes nga shkolla ose gjetiu, pagesa e faturave  e të ngjashme. Pra është e rëndësishme që fëmijët të jenë të paktën të vetëdijshëm për këtë. Mirëpo nëse nuk mund ta lëmë një pajisje dhe të lexojmë një libër ose të bëjmë një bisedë, si presim që fëmijët tanë ta bëjnë një gjë tillë? Mundohuni të bashkëveproni sa më shumë që të mundeni me fëmijët tuaj. Edhe nëse është diçka aq e thjeshtë sa 15 minuta në ditë. Nuk duhet të jetë një kohë e gjatë, kjo ka më shumë të bëjë me cilësinë sesa me sasinë. Të kalosh 15 minuta në ditë me fëmijën tënd dhe t’i kushtosh vëmendje të plotë mund të jetë jashtëzakonisht e fuqishme për të, sepse në atë mënyrë i bën me dije se kujdesesh për të. Ata akumulojnë stres të shtuar në jetë nga gjithçka tjetër, andaj duhet ta ndajmë kohë të mjaftueshme edhe për fëmijët më të rritur.  

“Nëse nuk mund ta lëmë mënjanë një pajisje elektronike dhe ta lexojmë një libër ose ta zhvillojmë një bisedë, si mund të presim që fëmijët tanë ta bëjnë këtë?”  
Andru Grinfild  


6. Çfarë do të bënit më ndryshe? 

LISA: Do të doja të kisha folur më parë me adoleshentin tonë më të madh rreth algoritmeve, të cilat e dirigjojnë atë që shfaqet në rrjetet sociale. Adoleshentët duhet të kuptojnë se çdo gjë që bëjnë kur janë në internet - ajo që shikojnë, çfarë u pëlqen, çfarë komentojnë, atë çfarë e kalojnë duke lëvizur poshtë-arlt atë që shfaqet në ekran - ngarkohet në një bazë të dhënash të fuqishme, e cila përcakton se çfarë do të shohin më pas. Algoritmet janë të dizajnuara për të mbushur rrjetet sociale me postime, që janë shumë të vështira për t’u injoruar, pavarësisht nëse këto postime janë ose nuk janë të mira për adoleshentët.

PAM: Mendoj se do ta kisha prolonguar për më gjatë dhënien e një pajisjeje! 

social media and teen mental health: A boy on his phone
UNICEF North Macedonia/2025

7. Çfarë këshille u jepni prindërve të adoleshentëve, të cilat ende nuk janë në rrjetet sociale? 

ANDRU: Varet nga platforma aktuale, por gjëja më e rëndësishme që u them prindërve të fëmijëve, që nuk janë ende në mediat sociale është të jenë të vetëdijshëm se çdo gjë që postojnë ose vendosin në internet, ajo publikohet që ta shohin të gjithë. Po, është e vërtetë se ju mund të keni cilësime të ndryshme sigurie, mirëpo njerëzit mund të kenë qasje në gjëra të tilla. Thjesht kini kujdes për këtë dhe padyshim se e njëjta gjë vlen për secilin fëmijë, pavarësisht nëse kanë qenë në të apo jo - njerëzit shumë e nënvlerësojnë faktin që këto imazhe janë në rrjet. 

Phone transmitting information

LISA: Mendoj se është më mirë të prolongohet dhënia e qasjes në mediat sociale për adoleshentët, derisa ata të mos arrijnë t’i ruajnë miqësitë edhe pa rrjetet sociale. Adoleshentët e rinj shpesh mund të qëndrojnë në hap me bashkëmoshatarët e tyre dhe të bëjnë plane shoqërore vetëm përmes mesazheve. Të rriturit, të cilët duan t’ia japin adoleshentit të tyre një telefon të mençur mund të fillojnë duke ia ofruar një të tillë pa shfletues interneti ose pa aplikacione të mediave sociale. Pastaj, aplikacionet dhe shfletuesit mund të shtohen sipas nevojës, pasi adoleshenti të ketë dëshmuar gjykim të mirë gjatë dërgimit të mesazheve. Zakonisht deri në moshën 14 vjeçare, truri i adoleshentëve zhvillon një kapacitet të fortë për skepticizëm. Sa më skeptikë të jenë adoleshentët në lidhje me mediat sociale, aq më mirë është për ta. 

PAM: Planifikoni të bëheni amortizuesi i problemeve kur gjërat nuk shkojnë mbarë.  Dëgjojini ata, në vend që menjëherë t’ua ndaloni ose merrni pajisjen. Në këtë mënyrë sigurohemi që ata fillimisht të na drejtohen neve kur gjërat shkojnë keq. Nuk po them se nuk do të ketë pasoja, ato mund të vijnë më vonë. Por pikë së pari bëhuni prindi që thotë: “E ke përkrahjen time, si mund të të mbështes tani”. Nëse menjëherë i drejtohemi me reagim histerik, tërbim dhe ndëshkim, adoleshentët tanë do t’i fshehin gabimet e tyre në internet. Pastaj gjërat mund të përmbysen shumë më keq! 

“Prit sa më gjatë që të mundesh, sepse sapo të hipësh në autobusin e mediave sociale, ai shndërrohet shpejt në një tren, i cili lëvizë me shpejtësi!” 
Pam Tudin-Buhalter 


8. Çfarë u thoni prindërve që kanë vështirësi t’i bëjnë adoleshentët e tyre të shkëputen nga rrjetet sociale? 

ANDRU: Tani shumë fëmijë ngrenë duart lart dhe thonë: “Epo, nëse nuk jam në ekran, atëherë çfarë të bëj?” Ata e kanë marrë të mirëqenë se duhet patjetër ta hapin pajisjen e tyre elektronike. Pra, në vend që të thonë thjesht “lere pajisjen elektronike” ose “ndalo”, mendoj se është e rëndësishme që prindërit të angazhohen me ta dhe t’u mësojnë se çfarë mund të bëjnë kur nuk kane në dorë në një pajisje të tillë. Jepuni disa ide, luani lojëra me ta dhe dilni jashtë nëse është kohë e përshtatshme e ditës.

LISA: Për t’i ndihmuar adoleshentët të kalojnë më pak kohë në internet, duhet të pranojmë se ata shpesh i drejtohen mediave sociale kur kanë nevojë për diçka që të shpërqendron - dhe kjo nuk është gjithmonë diçka e keqe. Në fakt, shumë të rritur - përfshirë edhe mua - hyjnë në internet kur ndihemi të mërzitur ose të frustruar, sepse një lëvizje e shpejtë mund ta ofrojë një rikuperim te nevojshëm emocional. Ja çfarë u kam thënë adoleshentëve të mi: “Përdorimi i mediave sociale për shpërqendrim nuk paraqet domosdoshmërisht një problem, mirëpo ju duhet ta menaxhoni dozën shpërqendrimit. Kaloni kohë të mjaftueshme në mediat sociale për ta krijuar vullnetin e nevojshëm ose për të pushuar. Por, mos i përdorni aq shumë sa t’u krijojë sfida të reja, si bie fjala, të mbeteni prapa me detyrat e shkollës."

PAM: Nuk funksionon vetëm t’u thoni adoleshentëve të heqin dorë nga pajisjet elektronike – ndonjëherë është e vështirë edhe për mua të heq dorë nga një film i mirë serik! Duhet ta krijojmë një mjedis që u jep adoleshentëve tanë diçka që ndihet më mirë sesa një ekran dhe që diçka është reale, lidhje pa paragjykime dhe probabilitet të rrezikut mbi shëndetin. Për t’u zhvilluar truri i adoleshentit, ka nevojë për të qenë i ekspozuar në rrezik, kështu që kur ata kërkojnë të bëjnë hedhje me litar elastik (banxhi), thoni po!! Bëjeni bashkë me ta. Le ta ndjejnë rrezikun dhe le ta përjetojnë dopaminën në vende të tjera, në mënyrë që të mos orientohen në sjellje të rrezikshme në internet.    



Rreth ekspertëve

Andrew Greenfield është konsulent dhe psikolog i fëmijëve dhe edukimit me qendër në Sydney, Australi. Ai punon gjithashtu si konsulent për shkollat ​​dhe është komentator specialist në media. Ai është babai i tre fëmijëve.

Lisa Damour është psikologe, autore e librave më të shitur, bashkëpunëtore e New York Times dhe nënë e dy vajzave adoleshente.

Pam Tudin-Buchalter është bashkëthemeluese e KLIKD një kompani teknologjike për adoleshentë në Afrikën e Jugut. Ajo është gjithashtu psikologe klinike, psikologe mjeko-ligjore, folëse ndërkombëtare, autore dhe kolumniste. Ajo është nënë e dy djemve adoleshentë.