Zgjedhjet e karrierës së të rinjëve përmes kërkimit të punës
Me mbështetjen e UNICEF-it, nxënësve të shkollave të mesme në të gjithë Malin e Zi u jepet mundësia të eksplorojnë rrugët e mundshme të karrierës dhe ato akademike përmes përvojës praktike
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 25 nëntor 2024 – Programi “Prilike” (Mundësitë) i ka ofruar Mia Brajuskovic dhe Lazar Mikulic një rast unik për të fituar përvojë praktike dhe për të zbuluar se çka i pret ata në botën profesionale. Përmes punës në komunitet, Mia zhvilloi ndjeshmërinë dhe përmirësoi aftësitë e saj të komunikimit, ndërsa Lazari kuptoi se psikologjia është një fushë më e gjerë dhe më krijuese nga sa e kishte imagjinuar më parë.
Si pjesë e programit, të zbatuar nga OJQ-të “Qendra për Edukimin e Rinisë” dhe “ADP Zid”, me mbështetjen e UNICEF-it, nxënësve të shkollave të mesme në të gjithë Malin e Zi u jepet mundësia të eksplorojnë rrugët e mundshme të karrierës dhe ato akademike përmes përvojës praktike. Kjo nismë lidh të rinjtë me vendin e punës, duke i lejuar ata të zhvillojnë aftësi thelbësore prej të cilave do të kenë dobi jeta dhe karriera e tyre.
Gjatë praktikës së saj, Mia mësoi se si të përballet me sfidat e punës sociale. Punëtoritë me fëmijët u bënë një mundësi për të mësuarit reciprok për të drejtat e tyre, duke e ndihmuar atë të kuptojë rëndësinë e përshtatjes së qasjes së saj ndaj nevojave të të tjerëve. Kjo përvojë e forcoi dëshirën e saj për të punuar në këtë fushë.
“Nuk kisha pasur një përvojë të ngjashme më parë, kështu që mendoj se kjo është me të vërtetë një mundësi origjinale që të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë. Po e ndjej se, pas kësaj praktike, shumë gjëra kanë ndryshuar—jo në kuptimin që nuk dua të vazhdoj më këtë karrierë, por krejt e kundërta—dua ta ndjek atë edhe më shumë.”
Nga ana tjetër, Llazari fitoi një pasqyrë realiste në punën që është e përfshirë në psikologji— profesionin që ai e përfytyron si thirrjen e tij të ardhshme. Më parë, kuptimi i tij se çfarë do të thotë të jesh psikolog ishte i kufizuar, por ai thekson se falë përvojës praktike, ka arritur të vlerësojë gjerësinë, kreativitetin dhe diversitetin e kësaj fushe.
“Pas praktikës, kuptova se psikologjia është një disiplinë shumë më e gjerë, me shumë degë dhe specializime dhe ka një nivel të caktuar krijimtarie që do të doja ta shprehja.”
Sipas raportit të Komisionit Evropian të vitit 2024, 23% e të rinjve të moshës 15-24 vjeç ishin të papunë në vitin 2023, me rreth 72% të tyre që kërkonin punë për më shumë se një vit. Programe të tilla si "Prilike" janë kyçe në përgatittjen e të rinjve për tregun e punës dhe nxitjen e një mjedisi më të mirë për të reduktuar këto statistika alarmante.
Një nga mentorët e programit, Ljiljana Radisevic, thekson se sa qenësore është që të rinjtë të kenë mundësinë të eksplorojnë profesione të ndryshme dhe të kuptojnë më mirë potencialin e tyre.
“Kam vënë re se të rinjtë kanë filluar të mendojnë më gjerë për profesione të tilla si psikologu apo edukatori special, duke mos i kufizuar më ato në institucione të tilla si shkollat apo spitalet, por duke marrë parasysh mundësi më të gjera, si burimet njerëzore dhe puna me njerëzit në përgjithësi.”
Milena Pajoviç, një mësimdhënëse në shkollën e mesme të përgjithshme Slobodan Skerovic, beson se programi i ndihmon të rinjtë të zbatojnë njohuritë e tyre teorike përmes përvojës praktike.
“Programi ‘Prilike’ fuqizon dhe inkurajon të rinjtë që të përdorin njohuritë teorike që kanë marrë në shkollën e mesme në mënyrë praktike, pasi arsimi formal nuk ofron shumë mundësi për këtë. Ky program iu mundëson atyre që të testojnë karrierat potenciale, duke i ndihmuar ata ose të forcojnë idetë e tyre ose të ridrejtojnë fokusin e tyre në fusha të tjera të interesit."
Me mbështetjen e UNICEF-it, programi tani është pilotuar në 8 shkolla të mesme dhe synohet që në të ardhmen të futet në të gjitha shkollat.
“Për të mbështetur një tranzicion të mbarë nga shkolla në punë, ne duhet t'u ofrojmë të rinjve aftësi të shekullit të 21-të dhe të krijojmë mundësi që ata të eksplorojnë punë të ndryshme. Përvojat praktike janë thelbësore për t'i ndihmuar ata të zgjedhin shtigjet e arsimit dhe karrierës që janë më të përshtatshmet për potencialin e tyre," vuri ne dukje Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Michele Servadei.
Programi “Prilike” tregon se arsimi cilësor shkon përtej mësimit teorik—ai përfshin ofrimin e mundësive për të rinjtë për të eksploruar potencialin e tyre, për të fituar përvojë praktike dhe për t'u përgatitur në mënyrë aktive për të ardhmen e tyre.