Mbështetje mësuesve për arsim cilësor
Në Ditën Botërore të Mësuesit, UNICEF-i bën thirrje për vendosjen e mësuesve në zemër të reformës së sistemit arsimor
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 5 TETOR 2024 – Në Ditën Botërore të Mësuesit e që festohet sot, UNICEF-i bën thirrje që mësuesit të vendosen në qendër të reformës së sistemit arsimor, pasi janë shtyllat kryesore për arsim cilësor.
“Për të arritur cilësi të lartë arsimimi nevojitet që profesioni i mësuesit të bëhet prestigjioz ashtu që studentët më të mirë që dëshirojnë të bëhen mësues, ta shohin atraktiv profesion e mësuesit. Gjithashtu, është me rëndësi të mbështeten me trajnime përkatëse për karrierë gjatë universitetit. Është thelbësore të ofrohen vazhdimisht trajnime të mësuesve për tema të ndryshme për të gjithë mësuesit në vend”, tha përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Michele Servadei.
UNICEF-i ka mbështetur Analizën e Sektorit të Arsimit të Malit të Zi 2015–2020 që tregoi se vetëm çdo i katërti mësues ndjek programet për zhvillim profesional. Ky studim vë në dukje gjithashtu nevojën për ta përmirësuar zhvillimin profesional të mësuesve duke rritur rëndësinë e studimeve të tyre për praktikën bashkëkohore të mësimdhënies duke u siguruar praktikë efektive shkollore si pjesë e edukimit fillestar të mësuesve dhe duke i bërë kurset e zhvillimit profesional më të përshtatshme dhe më të disponueshme për të gjithë mësuesit.
Bazuar në gjetjet e kësaj analize, UNICEF-i së bashku me BE-në, e mbështetë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit për ta zhvilluar një Strategji të re për Reformën e Sistemit Arsimor për periudhën 2025-2035.
Që reforma në arsim të jetë e suksesshme, duhet të përfshihen aktivisht të gjithë hisedarët, veçanërisht mësuesit, prindërit dhe nxënësit në zhvillimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e saj.
Mësuesit e kësaj shkolle ndanë rekomandimet e tyre për reformën në arsim.
“Për arsim më cilësor në Mal të Zi, duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë mes prindërve dhe mësuesve”, tha Dushanka Samarxhiq, mësuese në shkollën fillore “Njegosh” në Spuzh.
Për të treguar se sa të rëndësishëm janë mësuesit për arsimin cilësor dhe zhvillimin e fëmijëve, reporterët e rinj të UNICEF-it në Mal të Zi po nisin sot një fushatë në media sociale me rrëfim për mësuesit e tyre më të mirë.
“Kam kaluar në periudhë të ndjenjës së qenit e vetmuar dhe e pambrojtur për shkak të bullizmit që po e përjetoja në shkollë. Për fat të mirë, kisha pranë vetes mësuesen. Ajo më inkurajoi që të mos heq dorë nga arsimimi im”, tha Jasmina Berisha, reportere e re e UNICEF-it në Mal të Zi në video-mesazhin e saj në TikTok për Ditën Botërore të Mësuesit.
Reporter i ri i UNICEF-it në Mal të Zi Marko Zeçeviq e kujton mësuesin e tij më të mirë që e ka mësuar të mendojë për vetveten dhe të bëhet kozmopolit.
Dita Botërore e Mësuesit mbahet çdo vit më 5 tetor për të festuar për të gjithë mësuesit anembanë globit. Është rast që të përkujtohet roli i rëndësishëm të mësuesve dhe profesionistëve tjerë në sistemin arsimor në rritjen dhe zhvillimin e çdo fëmije dhe të drejtën e çdo vajze dhe çdo djali për arsimim.