Vaksinat dhe efektet anësore - nuk ka dëme afatgjata në shëndet
Verifikim faktesh

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Në internet po qarkullojnë teori të ndryshme konspirative dhe mite rreth vaksinave. Ne jemi të interesuar të mësojmë nëse pretendimet e ndryshme në lidhje me efektet anësore dhe informatat në lidhje me efektin e dëmshëm afatgjatë të vaksinave në shëndetin e qytetarëve të vaksinuar janë të vërteta.
Informatat që shpesh i kemi hasur në media dhe në rrjete sociale janë:
- Vaksina kundër virusit korona ka efekte anësore negative
Ne e pyetëm Dr. Marija Bozoviq nga Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi (IJZCG) se cilat janë efektet anësore të mundshme dhe se a janë ato të zakonshme:
Studimet e kryera mbi efektet anësore të vaksinave kanë treguar se nuk ka efekte anësore serioze pas vaksinimit. Sa i përket efekteve anësore të vogla pas vaksinimit, këto mund të jenë në formën e një efekti të lokalizuar, si dhimbje, ënjtje ose skuqje në vendin e injektimit dhe nga ana tjetër disa efekte sistemike në formë të etheve, pastaj dhimbje në muskuj dhe nyje, të përzier dhe të fikët.
Dr. Bozoviq thekson se shfaqja e këtyre efekteve nuk është diçka për t'u shqetësuar, duke pasur parasysh se imuniteti i njeriut aktivizohet pas vaksinimit dhe organizmi prodhon antitrupa.
Këto efekte të shkaktuara nga vaksinimi zgjasin për disa orë dhe janë me mijëra herë më të rralla se efektet negative që ndodhin pas infektimit me virusin korona.
Organizata Botërore e Shëndetësisë poashtu iu përgjigj kësaj pyetje:
“Efektet anësore të raportuara të vaksinave kundër COVID-19 ishin përgjithësisht të lehta, mesatare dhe me kohëzgjatje të shkurtër. Këto efekte përfshijnë: temperaturë të lartë, lodhje, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, ethe, diarre dhe dhimbje në vendin e injektimit. Shanset që ndonjë prej këtyre efekteve anësore të paraqiten pas vaksinimit ndryshojnë në varësi të vaksinës specifike kundër COVID-19.”
Ne gjithashtu i pyetëm ekspertët në Qendrën Klinike të Malit të Zi (KCCG) nëse vaksinat kundër COVID-19 mund të shkaktojnë pasoja shëndetësore afatgjata. Dr. Djordje Krnjeviq tha:
Vaksinat kundër COVID-19 nuk mund të shkaktojnë pasoja afatgjata. Këto vaksina i janë nënshtruar testimeve klinike të cilat kanë dëshmuar saktësisht se vaksina nuk është e dëmshme për trupin e njeriut.
Tani për tani, nuk ka asnjë studim ose hulumtim që ka konfirmuar se vaksinat mund të kenë efekte negative afatgjata në shëndetin tonë, tha Dr. Krnjevic.
OBSH-ja, një burim i besueshëm dhe ekspertësh i informacionit mbi këtë temë, pohon se vaksinat janë të sigurta - që gjithashtu do të thotë se ato nuk shkaktojnë ndonjë efekt afatgjatë negativ në shëndet.
“Ekzistojnë masa të rrepta mbrojtëse për të garantuar sigurinë e të gjitha vaksinave kundër COVID-19. Përpara se të vërtetohen nga OBSH-ja dhe agjencitë rregullatore kombëtare, vaksinat kundër COVID-19 duhet t'i nënshtrohen testimit rigoroz në testime klinike për të demonstruar se ato i përmbushin masat ndërkombëtarisht të dakorduara për siguri dhe efikasitet."
OBSH-ja gjithashtu thekson që monitorimi i sigurisë së vaksinave ofrohet në nivele kombëtare, rajonale dhe globale dhe se kjo është praktikë e zakonshme në të gjitha programet kombëtare të imunizimit.
Si përfundim i këtij hulumtimi, mësuam se efektet anësore të vogla për shkak të vaksinimit janë të mundshme dhe se ato nuk zgjasin shumë, nuk ndikojnë në shëndetin e njeriut për një periudhë afatgjate dhe janë jashtëzakonisht të rralla. Vaksinat janë të sigurta, efektiviteti i tyre monitorohet vazhdimisht dhe nuk ka studime që kanë dëshmuar se ato shkaktojnë pasoja afatgjata negative në shëndet.
Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.