Vaksina kundër COVID-19 NUK shkakton sterilitet
Verifikim faktesh

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Përveç pretendimeve se vaksina kundër COVID-19 mund të ketë efekt të dëmshëm mbi gratë shtatzëna, në media dhe në rrjetet sociale janë shfaqur informata që ajo gjithashtu mund të shkaktojë infertilitet tek meshkujt. Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi ka thënë më parë se vetë koronavirusi mund të shkaktojë sterilitet dhe se gjetjet e reja sugjerojnë që infeksioni SARS-CoV-2 mund të ndikojë në spermatogjenezë në një periudhë afatshkurtër në pacientët me simptoma mesatare të lidhura me COVID-19.
“Kur u vëzhguan vetëm pacientët me ethe si simptoma kryesore e infeksionit, numri i përgjithshëm i spermës lëvizëse ishte statistikisht dukshëm më i ulët në pacientët që vuanin nga koronavirusi" thekson Instituti i Shëndetit Publik (IJZCG).
Sidoqoftë, sa i përket ndikimit të vaksinave në sterilitet, në mes të dhjetorit të vitit 2020, Universiteti i Miamit (Miller School of Medicine) publikoi një studim mbi efektet e vaksinës kundër COVID-19 në fertilitet te meshkujt, i cili tregoi:
“Bazuar në mekanizmin me të cilin funksionon ARN, ne nuk presim që vaksinat kundër COVID-19 të ndikojnë në fertilitet tek meshkujt. Por padyshim që ne duam që të dhënat të konfirmojnë atë hipotezë.”
Për publikimin "Shkenca në Serbi", Dr. Milos Babiq, biolog molekular dhe neurobiolog, iu përgjigj disa prej pyetjeve të shpeshta në lidhje me koronavirusin dhe vaksinën, ndër të cilat ishte: "A shkaktojnë vaksinat sterilitet?" ndaj të cilës ai u përgjigj:
“Vaksinat nuk shkaktojnë sterilitet. Kjo thashetheme e pasaktë u fillua nga dy pseudo-shkencëtarë gjermanë dhe u përhap më tej në internet. Sipas të dhënave të verifikuara, infektimi me virusin mund të dëmtojë fertilitetin te meshkujt, dhe kjo është edhe një arsye tjetër pse vaksinimi është i nevojshëm për mbrojtje ndaj efekteve të tilla të koronavirusit".
Reporterët e rinj të UNICEF-it gjithashtu pyetën ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi (IJZCG) në lidhje me këtë.
Informatat e verifikuara në lidhje me virusin ndërlidhen me atë se virusi mund të çojë në dëmtim të fertilitet tek meshkujt dhe kjo është një nga arsyet pse rekomandohet vaksinimi për të zvogëluar efekte të tilla nga virusi. Nga ana tjetër, gjatë hulumtimit klinik në Pfizer dhe Moderna morën pjesë 30 gra që më pas mbetën shtatzënë, që tregon se vaksina nuk ka efekt të drejtpërdrejtë në fertilitet.
I njëjti mesazh u dha nga mjekët e Qendrës Klinike të Malit të Zi (KCCG). “Vaksinat kundër COVID-19 nuk mund të kenë ndonjë pasojë afatgjatë. Këto vaksina kanë kaluar të gjitha studimet klinike që kanë vërtetuar se kjo vaksinë nuk është e dëmshme për trupin e njeriut. Tani për tani, nuk ka asnjë studim ose asnjë hulumtim që konfirmon se këto vaksina mund të kenë një efekt të tillë në shëndetin tonë”, tha Dr. Gjorgje Krnjeviq i KCCG-së.
Duke qenë se një sasi e madhe e keqinformimit po qarkullon në media dhe në rrjetet sociale në mes të pandemisë së koronavirusit dhe gjatë vaksinimit kundër kësaj sëmundje, është jashtëzakonisht e rëndësishme që informatat të merren nga burime të besueshme. Reporterët e rinj të UNICEF-it ftojnë të gjithë lexuesit e tyre që të verifikojnë të gjitha informatat në faqet e internetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të Institutit të Shëndetit Publik, të Qendrës Klinike të Malit të Zi, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të UNICEF-it.
Ne e dimë se vaksinat i kanë mundësuar njerëzimit të përparojë duke zhdukur sëmundjet infektive, prandaj ju rekomandojmë që të mos besoni në gjithçka që lexoni në internet dhe të zgjidhni me kujdes informatat që ndani dhe të verifikoni saktësinë e tyre paraprakisht. Nëse nuk e dini ose nuk jeni të sigurt nëse informacioni i caktuar është i saktë, pyesni mjekun tuaj. Le të zgjedhim kë besojmë.
Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.