Ushqyerja e sigurt me gji gjatë pandemisë Covid-19

Si ta ushqeni fëmijën tuaj bazuar në udhëzimet më të fundit të ekspertëve?

UNICEF
Dojenje, kovid
UNICEF Mali i Zi/Dusko Miljanic/2022
10 Gusht 2022

Nëse jeni nënë ose grua shtatzënë, është e natyrshme të keni pyetje se çfarë është më e sigurta për foshnjën tuaj gjatë pandemisë Covid-19.

Ka shumë prova në favor të ushqyerjes me gji. Deri më tani, nuk është vërtetuar transmetimi i Covid-19 nga ushqyerja me gji ose dhënia e qumështit të gjirit. Ushqyerja me gji, kontakti lëkurë me lëkurë dhe fillimi i hershëm i ushqyerjes vetëm me gji, e ndihmojnë foshnjën tuaj të zhvillohet dhe të gëzojë përfitime shëndetësore gjatë gjithë jetës.

Më poshtë ofrojmë disa përgjigje për pyetjet e zakonshme nga nënat e reja dhe gratë shtatzëna për t'ju ndihmuar që ju dhe foshnja juaj të keni përvojën më të sigurt, pavarësisht nëse ndiheni të shëndetshëm ose keni shenja dhe simptoma të Covid-19.

A duhet të ushqej me gji gjatë pandemisë?

Po. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që virusi që shkakton Covid-19 transmetohet përmes ushqyerjes me gji.

Qumështi i gjirit siguron antitrupa që janë të dobishëm për shëndetin e foshnjave dhe i mbrojnë ata nga infeksionet e shumta. Ushqyerja me gji ul ndjeshëm rrezikun e vdekjes tek të porsalindurit dhe foshnjat në gji, siguron përfitime gjatë gjithë jetës për shëndetin e fëmijëve dhe përmirëson shëndetin e nënave.

Mbani kontakt lëkurë më lëkurë me foshnjën tuaj të porsalindur. Mbështetja e fëmijës për trupin tuaj mundëson ushqyerjen e hershme me gji. Çelësi është tek koha, prandaj rekomandohet të filloni ushqyerjen me gji brenda orës së parë pas lindjes.

Nëse foshnja juaj është 6 muajsh ose më e vogël, ajo duhet të ushqehet vetëm se me gji. Kur fëmija të mbush 6 muaj, vazhdoni ushqyerjen me gji me shtimin e ushqimeve plotësuese të sigurta dhe të shëndetshme.

A mund ta bartni Covid-19 tek foshnja juaj duke ushqyer me gji?

Deri më tani, koronavirusi aktiv (ai që mund të shkaktojë infeksion) nuk është zbuluar në qumështin e gjirit të asnjë nëne me Covid-19, kështu që nuk ka gjasa që Covid-19 të mund të transmetohet përmes qumështit të gjirit. Studiuesit vazhdojnë të ekzaminojnë qumështin e nënave tek të cilat është konfirmuar apo dyshohet në Covid-19.

A duhet të ushqej me gji nëse kam apo dyshoj se kam Covid-19?

Po, duhet të vazhdoni ushqyerjen me gji me masat e duhura të kujdesit. Transmetimi i Covid-19 përmes qumështit të gjirit dhe gjatë ushqyerjes me gji nuk është vërtetuar.

Masat e kujdesit përfshijnë mbajtjen e një maskë mjekësore, nëse keni një të tillë, larjen e duarve me sapun dhe ujë ose një dezinfektues duarsh me bazë alkooli para dhe pasi të keni prekur foshnjën tuaj, dhe pastrimin dhe dezinfektimin e rregullt të sipërfaqeve që keni prekur. Gjinjtë duhet t’i lani vetëm nëse keni kollitur në to direkt para se të ushqeni me gji. Nëse nuk keni kollitur, nuk keni nevojë t’i lani gjinjtë para çdo ushqyerjeje.

A duhet ta marr vaksinën kundër Covid-19 nëse jap gji ose shtrydh qumështin nga gjiri?

Po, vaksinat kundër Covid-19 rekomandohen për nënat gjidhënëse të shëndetshme qoftë nëse japin gji ose shtrydhin qumështin nga gjiri.

A është e sigurt vazhdimi i ushqyerjes me gji pas marrjes së vaksinës kundër Covid-19?

Po, duhet të vazhdoni të ushqeni me gji pas marrjes së vaksinës për të mbrojtur foshnjën tuaj. Asnjë nga vaksinat aktualisht në përdorim, të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk përmban virus të gjallë, kështu që nuk ekziston rreziku i kalimit të virusit tek fëmija juaj nëpërmjet qumështit të gjirit.

Çfarë duhet të bëj nëse ndihem shumë keq për të ushqyer me gji?

Nëse ndjeheni shumë keq për të ushqyer me gji, përpiquni të gjeni mënyra të tjera për t'i siguruar fëmijës tuaj qumësht gjiri në mënyrë të sigurt. Provoni të shtrydhni qumësht dhe ta ushqeni fëmijën tuaj duke përdorur një filxhan ose lugë të pastër. Ju gjithashtu mund të konsideroni marrjen e qumështit të gjirit të dhuruar, nëse është i disponueshëm në afërsinë tuaj. Bisedoni me një këshillues për gjidhënie ose profesionist shëndetësor për opsionet tuaja.

Shtrydhja është gjithashtu e rëndësishme për të mbajtur furnizimin tuaj me qumësht në mënyrë që të mund ta ushqeni fëmijën me gji përsëri kur të jeni shëruar mjaftueshëm. Nuk ka një interval kohor të përcaktuar për sa kohë duhet pritur pas një rasti të konfirmuar ose të dyshuar të Covid-19.

Nëse shtrydhja nuk është e mundur dhe nuk keni në dispozicion qumësht gjiri të dhuruar, atëherë merrni parasysh mundësinë e angazhimit të një gruaje gjidhënëse, nëse kjo është një praktikë e pranuar në kulturën tuaj, ose t'i jepni foshnjës suaj formulë artificiale për foshnja, me kusht që të jetë e përgatitur siç duhet, të jetë e sigurt dhe e disponueshme.

A duhet ta ushqej me gji fëmijën nëse është i sëmurë?

Vazhdoni ta ushqeni me gji fëmijën edhe kur është i sëmurë. Nëse foshnja juaj është infektuar me Covid-19 ose një sëmundje tjetër, është e rëndësishme të vazhdoni ta ushqeni me gji. Ushqyerja me gji nxitë sistemin imunitar të foshnjës, kurse antitrupat e juaja kalojnë tek foshnja përmes qumështit tuaj, duke e ndihmuar atë të luftojë infeksionet.

Çfarë masash duhet të marr gjatë ushqyerjes me gji?

Ndiqni udhëzimet për larjen e duarve. Duhet të lani duart me ujë dhe sapun para dhe pas prekjes së foshnjës. Ju gjithashtu mund të përdorni dezinfektues duarsh me bazë alkooli. Është e rëndësishme të pastroni dhe dezinfektoni të gjitha sipërfaqet që keni prekur.

Lani pompat për shtrydhjen e gjirit, enët për ruajtjen e qumështit dhe enët e ushqimit pas çdo përdorimi siç bëni zakonisht.

 

Burimi: UNICEF Nju Jork