Le të mbështesim nënat gjidhënëse – Për fillimin më të mirë në jetë

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 27 korrik 2022 – Java e 30-të Botërore e Gjidhënies, e festuar gjatë javës së parë të gushtit, fokusohet këtë vit në mbështetjen e komunitetit dhe familjes për gjidhënie. Megjithëse ndërgjegjësimi për rëndësinë e gjidhënies po rritet në Mal të Zi, duke çuar në rritjen e normave të gjidhënies në praktikë, duhet bërë shumë më tepër për të mbështetur nënat brenda dhe jashtë repartit të maternitetit. Sipas të dhënave të vitit 2021, vetëm një në katër nëna malazeze të fëmijëve të moshës 0 deri në 6 vjeç i kanë ushqyer foshnjat me gji brenda një ore pas lindjes. Tre nga pesë nëna konfirmuan se foshnja e tyre merrte ushqim suplementar në maternitet. Pothuajse të gjitha nënat (94%) pajtohen se nënat duhet të marrin mbështetje më të mirë nga punonjësit e shëndetësisë për gjidhënie të suksesshme.
Prandaj, në fund të vitit të kaluar, UNICEF, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, rifilloi Iniciativën Spitalore Miqësore për Fëmijët (BFHI). Koha që nga rifillimi është përdorur për të trajnuar trajnerë kombëtarë në standardet bashkëkohore BFHI dhe u krijua Komiteti Kombëtar i Gjidhënies. Këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të ofrohen trajnime kombëtare për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
“Pa dyshim, gjidhënia është një nga mënyrat më të mira për të siguruar fillimin më të mirë në jetë për çdo fëmijë. Orët dhe ditët e para në jetën e një të porsalinduri janë kyçe për vendosjen e ushqyerjes me gji. Por, nënat shpesh përballen me pengesa me daljen nga materniteti. Kështu, është thelbësore që nënat të mbështeten si në spitale ashtu edhe në komunitet, kryesisht përmes qendrave lokale të kujdesit shëndetësor dhe infermierëve patronazhues,” vuri në dukje me këtë rast Sabina Žunić, ushtruese e detyrës së Udhëheqëses së Zyrës së UNICEF-it në Mal të Zi.
Vlerësimi i shpejtë i materniteteve kundrejt standardeve të rishikuara të BFHI është bërë me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe aktualisht janë duke u zhvilluar udhëzime kombëtare për BFHI dhe këshillim në qendrat lokale të kujdesit shëndetësor.
“Me iniciativën e BFHI, Ministria e Shëndetësisë ngriti një komision i cili vizitoi të gjitha repartet e maternitetit në Mal të Zi dhe përgatiti raportin përfundimtar që u paraqit në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe Qendrën Klinike të Malit të Zi. Sipas raportit, Komisioni vuri në dukje përparime pozitive dhe rritje të normave të gjidhënies brenda një ore pas lindjes. Të gjitha maternitetet kanë parë një avancim,” tha Dr Slađana Ćorić, Drejtoreshë e Përgjithshme e Drejtorisë së Mbrojtjes së Shëndetit në Ministrinë e Shëndetësisë.
Një segment i rëndësishëm i mbështetjes në dispozicion në Mal të Zi ofrohet nga këshilltarët nga Shoqata e Prindërve, duke përdorur linjën e ndihmës për nënat gjidhënëse dhe duke ndihmuar me çdo problem që mund të hasin.
“Kemi kënaqësinë të shohim që më në fund gjidhënia po merr hapësirën dhe vëmendjen që meriton nga institucionet dhe shërbimet shëndetësore dhe se ka një vullnet për t'iu nënshtruar trajnimeve dhe për të përmirësuar praktikat. Një gjë e tillë ka munguar kryesisht për dekadat e fundit dhe ne jemi të inkurajuar të shohim ministrinë përkatëse duke u fokusuar në këtë fushë të madhe, me mbështetjen e UNICEF-it. Është e rëndësishme për ne që të jemi pjesë e përpjekjeve në lidhje me edukimin, por edhe promovimin e ushqyerjes me gji dhe ndihmën e nënave gjidhënëse, gjë që është jetike për ruajtjen e gjidhënies për një periudhë më të gjatë”, theksoi Kristina Mihailović, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Prindërve.
Informacione të shumta të bazuara në dëshmi dhe këshilla për gjidhënien janë të disponueshme edhe brenda aplikacionit popullor Bebbo, i zhvilluar nga UNICEF në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Aplikacioni është falas dhe i disponueshëm si për platformat iOS ashtu edhe për Android.