Kujdesi cilësor antenatal është kritik për një fillim të shëndetshëm në jetë
“Kujdesi cilësor antenatal është kritik për një fillim të shëndetshëm në jetë” – thotë Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it gjatë vizitës në repartin e maternitetit të Cetinjes
- Crnogorski
- English
- Shqip
CETINJE, Mali i Zi, 20 PRILL 2024 – “Kujdesi cilësor antenatal është kritik për një fillim të shëndetshëm në jetë”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore sot gjatë një vizite në repartin e maternitetit të Cetinjes.
De Dominicis, e shoqëruar nga Dr Vojislav Šimun, Ministër i Shëndetësisë i Malit të Zi, u takua me nënat, të porsalindurit dhe punonjësit shëndetësorë në repart dhe pa nga afër angazhimin e Malit të Zi drejt fuqizimit të kujdesit shëndetësor të nënës dhe të porsalindurve.
Gjatë vizitës, De Dominicis dhe Dr Šimun diskutuan lidhur me rekomandimet e paraqitura në vlerësimin e tretë të cilësisë së kujdesit të nënës dhe të porsalindurit në Mal të Zi. Raporti përshkruan mundësitë për të zbatuar protokollet e reja të kujdesit për nënën, për të ngritur aftësitë përmes trajnimit për punonjësit shëndetësorë në fushën e kujdesit për nënat dhe të porsalindurit dhe për të përmirësuar kushtet në mjediset e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë krijimin e më shumë dhomave individuale të lindjes dhe riorganizimin e spitaleve për t'u bërë më miqësorë me familjen.
“Dëshiroj të reflektoj mbi marrëdhënien e punonjësve me gratë që lindin, pasi është shembull i një pune humane, të përkushtuar dhe profesionale. Solidariteti i tyre, përkushtimi në punë dhe përpjekja e përditshme për ta mbajtur higjienën e mirë, i mbushë mangësitë kryesore të këtij spitali. Për shembull, ka dhoma që kanë nevojë për përshtatje, pajisje dhe shtretër të vjetër, kushte çnjerëzore të punës për punonjësit dhe për qëndrimin e nënave dhe foshnjave. Mbështetja për nënat për të arritur një marrëdhënie të afërt me foshnjat e tyre të mbushur me dashuri, dhe për të nisur mbarë ushqyerjen me gji të menjëhershme përmes programit miqësor për foshnjën është e mundur vetëm me përshtatjen e plotë të këtij reparti.” tha nëna Snežana Minić teksa fliste për përvojën e saj në maternitetin e Cetinjes me Drejtoreshën Rajonale të UNICEF-it, Regina De Dominicis dhe Ministrin e Shëndetësisë, Dr Vojislav Šimun.
Nëna Anita Miketić foli për rëndësinë e programit miqësor për foshnje.
“Mezi po e pres programin miqësor për foshnje. Mendoj se do të thotë shumë për foshnjën të jetë menjëherë me nënën dhe, sigurisht, kjo përmban ndryshim edhe për nënën. Gjithashtu, më duhet të nënvizoj rëndësinë e rolit të baballarëve në momentet e para pas lindjes së foshnjës. Prania e babait e bën nënën më të sigurt dhe më të fortë. Shumë baballarë e konsiderojnë atë një përvojë të paçmueshme”, tha Miketić.
“Një fillim i shëndetshëm në jetë varet nga qasja në kujdes shëndetësor cilësor për nënat dhe foshnjat. Është e mrekullueshme të shohësh ndikimin e investimeve të mëdha në kujdesin shëndetësor të nënave dhe të porsalindurve”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.
UNICEF-i po punon me qeveritë dhe partnerët në vendet në mbarë botën për të ndihmuar që të gjitha foshnjat dhe nënat të kenë qasje në kujdes shëndetësor të përballueshëm dhe me cilësi të lartë para, gjatë dhe pas lindjes.
Përmirësimi i cilësisë së kujdesit për të gjitha nënat dhe foshnjat sa më shpejt të jetë e mundur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare është prioritet kyç për Ministrinë e Shëndetësisë të Malit të Zi.
“Shëndeti i mirë i foshnjave dhe nënave dhe një mjedis stimulues i përshtatur për foshnjat dhe nënat në maternitet është synimi ynë i përbashkët, për të cilin jemi të vendosur ta arrijmë në periudhën e ardhshme. Ndonëse një përmirësim është evident krahasuar me raportet e kaluara në këtë fushë, vlerësimi i fundit i cilësisë së kujdesit shëndetësor të nënës dhe të porsalindurit, të cilin Ministria e Shëndetësisë e ka zbatuar me mbështetjen e UNICEF-it, njohu fushat kryesore që kanë nevojë për përmirësim dhe dha rekomandime për përmirësimin e cilësisë së kujdesit në të gjitha spitalet në Mal të Zi. Falënderoj UNICEF-in për ndarjen e ekspertizës së tyre me sistemin shëndetësor malazez dhe kontributin në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në këtë fushë”, tha Dr Vojislav Šimun, Ministër i Shëndetësisë.