Nëna e dinte që qumështi i saj ishte zgjidhja më e mirë për Zoë
Jelena Vukmirović, nëna e një vajze 18-muajshe, flet për përvojën e saj dhe përfitimet e ushqyerjes me gji

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Podgoricë, 6 Korrik 2022 – Zoë i pëlqente të ushqehej me gji dhe nëna e saj kishte mjaft qumësht. Megjithatë, ditët e tyre të para pas daljes nga materniteti u përcollen me disa probleme.
Ajo qante dhe mua filloi të më zërë paniku sepse nuk e dija nëse ishte e uritur, sa qumësht ishte duke marrë apo sa i duhej”, kujton Jelena Vukmirović, nëna e një vajze 18-muajshe.
Ajo vendosi të mos dorëzohej dhe të kërkonte ndihmë. “Thirra konsulentët e ushqyerjes me gji dhe ata më shpjeguan se duhet të bëj më të mirën dhe të vazhdoj të ushqej foshnej me gji, sepse sa më shumë të ushqehet fëmija, aq më shumë qumësht do të prodhohet", thotë ajo.

Me gjithë faktin se nëna e saj e solli në jetë Zoë me prerje cezariane, ajo filloi ushqyerjen me gji dhe nuk kishte asnjë problem me gjinjtë. “Në fillim, ushqyerja me gji mund të jetë e pakëndshme; është pak e dhimbshme nëse nuk arrini t'i fusni të gjithë thithkën në gojë foshnjës. Megjithatë, une shkova në shkollë për ushqyerjen me gji dhe infermierja për vizita në shtëpi më shpjegoi se si të kujdesesha për gjinjtë e mi, si të aplikoja kremrat dhe pomadat e rekomanduara, kështu që ndjesia e parehatisë të kalojë shpejt.”
Ajo është në pritje të fëmijës së dytë dhe kur u pyet nëse do të ushqehente sërish me gji, ajo tha:
“Sigurisht që do ta bëj. Secila nga motrat e mia i ka ushqyer fëmijët me gji dhe kjo më duket e natyrshme”.
Nëna dhe Zoë ishin shpesh në park gjatë muajve të parë së bashku. Jelena më pas pa përfitimet e mëdha të ushqyerjes me gji, sepse ajo ishte në gjendje të ushqente foshnjen me gji kudo dhe kurdo.
“Qumështi është gjithmonë i disponueshëm, në temperaturën ideale, kështu që nuk keni nevojë të ngrohni ujin apo të ngriheni gjatë natës. Është falas dhe zgjedhja më e shëndetshme për fëmijën tim”

Sipas të dhënave të fundit, një në pesë fëmijë në Mal të Zi ushqehet ekskluzivisht me gji për gjashtë muajt e parë të jetës. Një numër shumë më i madh foshnjash mund të ushqehen vetëm me gji, por në mënyrë që kjo të ndodhë, duhet siguruar:
- Edukimi për ushqyerjen me gji për nënat dhe baballarët e ardhshëm;
- Mbështetje profesionale për ushqyerjen me gji – duke filluar nga materniteti, pediatri dhe infermieret që kryejnë vizita në shtëpi;
- Një mjedis mbështetës (p.sh. mbështetje në familje dhe komunitet më të gjerë shoqëror, ushqyerja me gji në vende publike);
- Heqja e praktikave ekzistuese të marketingut joetik të zëvendësuesve të qumështit të gjirit.
Ekspertët thonë se ushqyerja me gji ka efekt të mirë në zhvillimin e trurit dhe nofullës së fëmijës dhe zhvillimin e tyre kognitiv. Fëmijët të cilët ushqehen me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga infeksionet respiratore, infeksionet e veshit, infeksionet e zorrëve dhe ato urinare, ekzema dhe asma. Ata janë në rrezik më të ulët të obezitetit, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare në moshën e rritur. Nënat që ushqehen me gji kanë më pak gjasa të vuajnë nga kanceri i vezoreve dhe gjirit, osteoporoza dhe depresioni pas lindjes.
Për këto arsye, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, UNICEF rekomandon dhe mbështet ushqyerjen me gji.

Dr. Biljana Raičević-Fuštar, pediatre nga Qendra e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Podgoricë, thekson rëndësinë e mbështetjes që nënat duhet të marrin nga mjedisi i tyre më i afërt dhe punonjësit shëndetësorë.
“Vizitat e rregullta në qendrën e këshillimit lehtësojnë krijimin e kontaktit të ngushtë me plot besim, në mënyrë që nëna të komunikojë me pediatrin çdo lloj frike dhe dyshimi të saj pa frikën se do të kritikohet”, thotë Dr. Raičević-Fuštar.
Ajo përsërit se UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandojnë që nënat të fillojnë ushqyerjen me gji brenda orës së parë pas lindjes së fëmijës dhe të vazhdojnë t'i ushqejnë fëmijët ekskluzivisht me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës së fëmijës, pa iu dhënë pije apo ushqime të tjera. Rekomandohet që ushqyerja me gji të vazhdojë për aq kohë sa e dëshirojnë fëmija dhe nëna.
Përveç mbështetjes që vjen nga punonjësit e shëndetësisë, aplikacioni mobil Bebbo së fundmi është vënë në dispozicion të nënave. Ndër të tjera, ai ofron informacion dhe këshilla të besueshme për ushqyerjen me gji dhe ushqyerjen e foshnjave. Aplikacioni është falas dhe i disponueshëm në GooglePlay dhe Apple Store.
Programi për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme financohet nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga UNICEF-i në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.