Qytetarët mbështesin imunizimin e fëmijëve kundër fruthit, shytave dhe rubeolës

Vetëm 8 për qind e qytetarëve të Malit të Zi nuk pajtohen me deklaratën se fëmijët duhet të vaksinohen kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, sipas anketës që është përfaqësuese në nivel kombëtar dhe që është kryer nga agjencia hulumtuese Ipsos

UNICEF Mali i Zi
Beba na pregledu kod doktora
UNICEF Mali i Zi / Duško Miljanić / 2021
20 Mars 2022

Podgoricë, 20 mars 2022 – Një në katër prindër kontaktuan një pediatër dhe e vaksinuan fëmijën e tyre pasi panë fushatën për promovimin e imunizimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës të udhëhequr nga Instituti i Shëndetit Publik me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, UNICEF-it dhe Delegacionit të BE-së në Mal të Zi. Këto janë gjetjet e anketës së Ipsos që është përfaqësuese në nivel kombëtar, të kryer në janar të këtij viti me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it.

Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nisi fushatën për imunizimin rutinë në dhjetor të vitit 2021 me qëllim të rritjes së niveleve të ulëta të imunizimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, të cilat vendosin shumicën e fëmijëve më të vegjël të Malit të Zi në rrezik shtrimi në spital apo edhe vdekje në rast të shpërthimit epidemik të fruthit.

“Gjithnjë e më shumë prindër po e shtyjnë vaksinën kundër FSHR me iniciativën e tyre, duke pritur derisa fëmija i tyre të fillojë të flasë ose të ecë, gjë që e vë fëmijën e tyre në rrezik të sëmundjeve potencialisht të rrezikshme. Fëmijët deri në moshën 2 vjeç janë në rrezik të veçantë, sepse mund të zhvillojnë komplikime të rënda shëndetësore. U bëjmë thirrje edhe një herë prindërve që ta respektojnë orarin e vaksinimit sepse është zgjedhja më e mirë që ata do të bëjnë për fëmijën e tyre.”

Dr. Igor Galic, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik

Vetëm 8 për qind e qytetarëve të Malit të Zi nuk pajtohen me deklaratën se fëmijët duhet të vaksinohen kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, sipas anketës që është përfaqësuese në nivel kombëtar dhe që është kryer nga agjencia hulumtuese Ipsos në janar të vitit 2022.

“Pandemia COVID-19 ka ndikuar negativisht në imunizimin rutinë të fëmijëve në mbarë botën, duke i ekspozuar ata ndaj rreziqeve të sëmundjeve tepër infektive dhe të rrezikshme që njerëzimi i kishte harruar, falë vaksinave. Vaksinimet kundër fruthit parandaluan mbi 23 milionë vdekje në mbarë botën ndërmjet vitit 2000 dhe 2018. Le të mbrojmë çdo fëmijë duke ndjekur imunizimin rutinë.”

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi

Qytetarët e Malit të Zi u besojnë më së shumti pediatërve, mjekëve në përgjithësi dhe personelit tjetër mjekësor në lidhje me të gjitha çështjet në lidhje me imunizimin rutinë të fëmijëve. Katër nga pesë prej tyre e identifikojnë pediatrin e fëmijës në qendrën kujdesit parësor shëndetësor si personin më të ditur dhe më të aftë për t'u konsultuar për sëmundjet infektive të fëmijëve, ndërsa prindërit dhe gjyshërit e tjerë konsiderohen si më pak të ditur për këtë çështje.

BE-ja, UNICEF-i dhe ISHP-ja sjellin ndër mend se vaksinat janë ndër arritjet më të mëdha të shëndetit publik modern. Nga fundi i shekullit të 18-të e deri më sot, ato kanë parandaluar shpërthimin e sëmundjeve të shumta infektive dhe kanë shpëtuar miliona jetë. Lija, e cila mbyti 300 milionë njerëz vetëm gjatë shekullit të 20-të, u çrrënjos me sukses në vitin 1979 falë futjes në përdorim të një vaksine të sigurt dhe efektive. Poliomieliti – një sëmundje e rrezikshme që ka mbytur miliona njerëz dhe ka paralizuar ose ka lënë të paaftë miliona njerëz – tani, falë vaksinave, është një sëmundje endemike e rrezikshme në vetëm dy vende – Pakistan dhe Afganistan – dhe është në rrugën e duhur për t’u çrrënjosur përfundimisht në të gjithë botën. Tetanusi te nënat dhe të porsalindurit, i cili është fatal për të porsalindurit, falë imunizimit është eliminuar pothuajse plotësisht në mbarë botën, duke mbetur në vetëm 12 vende që nga dhjetori i vitit 2020.

Në janar të vitit 2022, anketa e Ipsos mbi imunizimet u krye me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it në një mostër që është përfaqësuese në nivel kombëtar, të përbërë nga 810 qytetarë të Malit të Zi të moshës 18 vjeç e lart. Mbledhja e të dhënave është realizuar përmes një ankete telefonike, me një pyetësor me një kohëzgjatje mesatare prej 11 minutash, në periudhën 21-24 janar të këtij viti. Gjetjet kryesore të kësaj ankete, si dhe anketat e mëparshme, mbi njohuritë, qëndrimet dhe sjelljen e qytetarëve në lidhje me koronavirusin dhe imunizimin gjenden në faqen e internetit të UNICEF-it në Mal të Zi.

Nëpërmjet projektit të financuar nga BE-ja, BE-ja dhe UNICEF-i mbështesin përpjekjet e qeverisë në luftën kundër pandemisë COVID-19 dhe forcimin e shërbimeve rutinë të imunizimit.