Donacionet e UNICEF-it për punonjësit e shëndetësisë,mësuesit, prindërit dhe fëmijët gjatë pandemisë
Që kur u themelua në vitin 1946, UNICEF-i ka ofruar ndihmë për fëmijët dhe kujdestarët në vendet që përballen me emergjenca në mbarë botën.

- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 2 mars 2022 – UNICEF-i deri më tani ka dhënë më shumë se një milionë euro donacione për Malin e Zi për t’u siguruar që vaksinat të ruhen siç duhet, se ka mjaftueshëm teste PCR, ilaçe shumë të nevojshme dhe pajisje mbrojtëse për punonjësit shëndetësorë, mësuesit, prindërit dhe fëmijët gjatë pandemisë.
“Që kur u themelua në vitin 1946, UNICEF-i ka ofruar ndihmë për fëmijët dhe kujdestarët në vendet që përballen me emergjenca në mbarë botën. Gjatë krizës globale të shkaktuar nga pandemia, UNICEF-i ka siguruar donacione për Malin e Zi për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve më kritike dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë kështu në të ardhmen.”
Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i bëri thirrje për hapjen e shkollave duke respektuar masat epidemiologjike. UNICEF-i siguroi maska pëlhure për më shumë se 20,000 fëmijë në Mal të Zi për t'i mbështetur ata që ta ndjekin mësimin gjatë pandemisë.
Meqenëse pandemia ndërpreu sistemet e transportit dhe furnizimit, ishte e vështirë për vendet të siguronin edhe pajisjet më elementare shëndetësore, si doreza, maska, rroba izolimi, shiringa dhe të ngjashme. Bazuar në informatat e dhëna nga sistemi shëndetësor i Malit të Zi për nevojat e tij, UNICEF-i deri më tani ka siguruar pothuajse dy milionë doreza dhe pothuajse gjysmë milioni maska kirurgjikale për punonjësit e shëndetësisë, si dhe 10,000 rroba izolimi, 22,000 kominoshe dhe më shumë se 66,000 mbulesa këpucësh.

Për të siguruar që vaksinat ruhen siç duhet, UNICEF-i ka siguruar një dhomë të ftohtë moderne për ruajtje të vaksinave, një numër frigoriferësh vaksinash dhe pajisje të tjera ndihmëse, të tilla si një gjenerator energjie, stabilizues të tensionit dhe pajisje të vazhdueshme të monitorimit të temperaturës të cilat vazhdimisht, pra 24/7, matin dhe regjistrojnë temperaturat e ruajtjes së vaksinave.
UNICEF-i i është përgjigjur gjithashtu nevojës për të siguruar ilaçe të ndryshme që përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19, si deksametazon, i cili është siguruar për të gjithë pacientët me COVID-19 në një shumë totale prej rreth 130,000 €.
Për ta mbështetur testimin e njerëzve për koronavirus, UNICEF-i deri më tani ka ofruar pothuajse 10,000 teste PCR për Malin e Zi.
Në fund, në mars të vitit të kaluar, vaksinat kundër COVID-19 mbërritën në Mal të Zi për imunizimin e punonjësve shëndetësorë dhe qytetarëve më të cenueshëm, falë prokurimit të qeverisë përmes iniciativës COVAX dhe logjistikës dhe transportit të organizuar nga UNICEF-i.