Vaksina kundër COVID-19 nuk ndryshon ADN-në e njeriut
Verifikim faktesh

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Gjatë krizës së COVID-19, kur po kalonim më shumë kohë në internet për shkak të mbylljes së shkollave, kafeneve, kopshteve dhe zyrave, në mënyrë të pavetëdijshme ndodh që të jemi bërë transmetues të informatave të ndryshme, burimet dhe autorët e të cilave nuk i kemi verifikuar.
Për të përcaktuar se a ishin të vërteta informatat a publikuara në media dhe në rrjetet sociale, ne u angazhuam në kontrollimin e postimeve, njëri prej të cilëve ishte një deklaratë se vaksina kundër virusit korona e ndryshon ADN-në e njeriut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ishte e para që iu përgjigj kësaj deklarate me shpjegimin:
“Teknologjia e vaksinës mRNA kundër COVID-19 është testuar në mënyrë rigoroze për siguri dhe testimet klinike kanë dëshmuar që vaksinat mRNA ofrojnë reagim imunitar afatgjatë. Teknologjia e vaksinave mRNA është studiuar me dekada, duke përfshirë në kontekstin e vaksinave kundër virusit Zika, tërbimit dhe gripit sezonal (influenza). Vaksinat mRNA nuk janë vaksina të gjalla virale dhe nuk ndërhyjnë në ADN-në e njeriut.
Opinionet e ekspertëve në lidhje me këtë temë u publikuan edhe në portalin BBC Serbia, siç thuhet në artikullin vijues:
“Injektimi i RNA-së në një person nuk i bën asgjë ADN-së së qelizave njerëzore”, thotë profesori Jeffrey Alond i Universitetit të Oksfordit. Ajo funksionon duke e udhëzuar trupin të prodhojë një proteinë që gjendet në sipërfaqen e virusit korona. Sistemi imunitar pastaj mëson se si t'i njohë dhe prodhojë antitrupat kundër asaj proteine.”
Ne gjithashtu pyetëm ekspertë nga Qendra Klinike e Malit të Zi (KCCG) nëse vaksina kundër COVID-19 mund ta modifikojë ADN-në e njeriut. Ja çfarë na thanë ata:
Materialet që e formojnë vaksinën kundër virusit korona kanë bazë të acidit ribonukleik (RNA), dhe, kur ato hyjnë në trup, nuk depërtojnë aspak në nukleus, kështu që nuk kanë mundësi të bien në kontakt me materialin trashëgues që përmban ajo; prandaj, konkludojmë se vaksinimi nuk do të shkaktojë ndonjë dëm në trup, veçanërisht në aspektin e ndryshimit të strukturës së zinxhirit të ADN-së.
Pasi kemi shqyrtuar faktet dhe provat në formën e pikëpamjeve dhe deklaratave të ekspertëve, kemi arritur në përfundim se informatat në lidhje me efektet e dëmshme të vaksinës kundër COVID-19 në ADN-në e njeriut janë të pabazuara dhe të pavërteta.
Duke i verifikuar informatat, ne e mësojmë të vërtetën dhe rëndësinë e imunizimit në kohën e virusit korona, por edhe rëndësinë e shkrim-leximit mediatik në jetën e përditshme, dhe si reporterë të rinj të UNICEF-it, ju ftojmë t'i verifikoni burimet dhe të zgjidhni çfarë shikoni, dëgjoni dhe lexoni.
Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.