Ushqyerja me gji - fillimi më i mirë i jetës

UNICEF-i dhe OBSH-ja rekomandojnë që nënat të fillojnë të ushqejnë foshnjat me gji brenda orës së parë pas lindjes dhe që të vazhdojnë ushqyerjen me gji gjatë 6 muajve të parë

UNICEF Mali i Zi
Dojenje
UNICEF Crna Gora/Duško Miljanić/2009
21 Gusht 2021

PODGORICË, 3 Gusht 2021 - Ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e ushqyerjes me gji është rritur në Malin e Zi gjatë dekadës së fundit dhe kjo ka çuar në rritje të ushqyerjes me gji. Vetëm një në pesë foshnje të moshës nga tre deri në gjashtë muaj ushqeheshin ekskluzivisht me gji në vitin 2009, ndërsa tani një në dy foshnje ushqehen me gji në të njëjtën moshë.

Megjithatë, ka akoma shumë punë për të bërë. Në veçanti, duhet të ofrohet mbështetje adekuate për t'u mundësuar nënave që të fillojnë të ushqyerjen me gji menjëherë pas lindjes dhe ta vazhdojnë këtë edhe pas daljes nga spitali. Në Malin e Zi, vetëm një në katër nëna të foshnjave nga të porsalindur deri në gjashtë muaj i ushqyen foshnjat e tyre me gji për herë të parë gjatë orës së parë pas lindjes. Tre në pesë nëna konfirmuan se foshnjat e tyre kishin marrë ushqim shtesë në spitalin e lindjes. Pothuajse të gjitha nënat (94%) pranuan se ishte e nevojshme të përmirësohej mbështetja e ofruar nga profesionistët shëndetësorë në mënyrë që ushqyerja me gji të arrihet sa më shumë.

Një anketë përfaqësuese kombëtare, është bërë nga ana e Agjencisë Kërkimore Ipsos në Mars të këtij viti, me prindërit e foshnjave duke filluar nga të porsalindurit deri në gjashtë muaj, me mbështetjen e UNICEF dhe BE. Hulumtimi i tyre parashtroi këto gjetje kryesore dhe do të publikohet sot me rastin e Javës Botërore të Ushqyerjes me Gji. Kjo ngjarje shënohet gjatë javës së parë të gushtit për të rritur ndërgjegjësimin se ushqyerja me gji është fillimi më i mirë i jetës për çdo foshnjë. Ushqyerja me gji sjell shëndet gjatë gjithë jetës së bashku me shumë përfitime të mirëqenies për nënat dhe foshnjat e tyre. Provat në dispozicion tregojnë se ushqyerja vetëm me gji luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen kundër mbipeshës dhe obezitetit në fëmijëri. Është vërtetuar gjithashtu se ajo siguron mbrojtje të fuqishme kundër rrezikut të zhvillimit të një sërë gjendjesh kronike në periudhat e më vonshme në jetë.

Me gjithë faktin se ushqyerja me gji është sjellje e natyrshme dhe instiktive, ajo gjithashtu duhet të mësohet për të qenë e suksesshme. Kërkime të shumta kanë demonstruar se nënave u duhet mbështetje aktive në mënyrë që të krijojnë dhe mbajnë praktikat e përshtatshme të ushqyerjes me gji.

Ushqyerja me gji në muajt e parë të jetës nuk mund të zëvendësohet me asnjë lloj ushqimi me formulë, ashtu siç nuk mund të zëvendësohet afërsia dhe siguria e ofruar nga krahët e nënës me asnjë formë tjetër të vëmendjes. Ne duam që fëmijët tanë të zhvillohen dhe të rriten në mjedise të shëndetshme. Unë besoj se krijimi i Komitetit Kombëtar për Ushqyerjen me Gji do të kontribuonte ndjeshëm në realizimin e aktiviteteve tona të planifikuara, të cilat synojnë të rrisin normat e ushqyerjes me gji.

Dr Jelena Borovinic Bojovic, Ministre e Shëndetësisë

OBSH dhe UNICEF lansuan Iniciativën e Spitaleve Mike për Foshnjat në 1992 për të forcuar praktikat e maternitetit në mbështetje të ushqyerjes me gji. Me mbështetjen e UNICEF-it, Iniciativa e Spitaleve Mike për Foshnjat u prezantua në Malin e Zi në vitin 2000, në shtatë nga njëmbëdhjetë maternitete. Megjithatë, nevojitet punë për të përfunduar këtë proces dhe për ta harmonizuar atë me standardet më të fundit. Iniciativa Mike për Foshnjat përfshin 10 hapa që inkurajojnë ushqyerjen e suksesshme me gji, të tilla si: informimi i nënave për përfitimet e ushqyerjes me gji; staf trajnues për të ndihmuar gratë që ushqejnë me gji; sigurimi që nënat dhe foshnjat qëndrojnë së bashku 24 orë në ditë ndërsa janë në spital dhe vendosja e standardeve për grupet mbështetëse të ushqyerjes me gji për të ndihmuar nënat pasi të dalin nga spitali.

UNICEF do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të tyre shëndetësore, në mënyrë që çdo foshnje të ketë fillimin më të mirë të jetës. Kjo përfshin inkurajimin e ushqyerjes me gji menjëherë pas lindjes dhe mbështetjen aktive të nënave për të vazhduar ushqyerjen me gji përmes ofrimit të shërbimeve të përshtatshme shëndetësore, mbështetjes së familjes dhe mbështetjes në vendin e punës.

Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF -it në Malin e Zi

UNICEF-i dhe OBSH-ja rekomandojnë që nënat të fillojnë të ushqejnë me gji brenda orës së parë pas lindjes dhe që ato duhet t’i ushqejnë foshnjat e tyre me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës së tyre. Sipas Shefes së Zyrës së OBSH-së në Malin e Zi, Dr Mina Brajović, ushqyerja me gji mund dhe duhet të vazhdojë edhe gjatë pandemisë COVID-19.

Provat në dispozicion sugjerojnë që gratë me COVID-19 mund të ushqejnë me gji nëse dëshirojnë për aq kohë sa të marrin masat paraprake të mëposhtme: të praktikojnë higjienën respiratore siç është mbajtja e maskës gjatë ushqyerjes, larja e duarve për 20 sekonda para dhe pas prekjes së foshnjës së tyre dhe pastrimi dhe dezinfektimi i çdo sipërfaqe që kanë prekur.

dr Mina Brajovic, Shefe e Zyrës së OBSH-së në Malin e Zi

Ajo vazhdoi tutje duke thënë se normat ekskluzive të ushqyerjes me gji janë më të ulëta në Rajonin Evropian të OBSH-së sesa në çdo rajon tjetër të OBSH-së, ku afërsisht 13% e foshnjave ushqehen ekskluzivisht me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës.

Falë mbështetjes nga BE-ja dhe UNICEF-i, punonjësit shëndetësorë do të marrin trajnim si pjesë e Iniciativës së Spitaleve Mike për Foshnjat në Mal të Zi në stinën e vjeshtës. Pas kësaj, të gjitha maternitetet do të vlerësohen për të bërë plan për mbështetjen e tyre me qëllim të arritjes së standardeve ndërkombëtare të kërkuara nga Iniciativa e Spitaleve Mike Foshnjat. Gjithashtu, me mbështetjen e BE-së dhe UNICEF-it, Ministria e Shëndetësisë do të punojë në harmonizimin e Kodit Kombëtar për Tregtimin e Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga OBSH-ja. Këto standarde zbatohen dhe mbështeten nga Rrjeti për Monitorimin dhe Mbështetjen Globale për Zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Tregtimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit, i njohur gjithashtu si NetCode, rrjet ky i cili punon për të siguruar që zëvendësuesit e qumështit të gjirit të mos tregtohen në mënyrë të papërshtatshme.