Temperaturat më të larta ndikojnë në mbijetesën e koronavirusit të ri
Verifikim faktesh
- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
Sputnik.rs publikoi një artikull që pretendon se ekspertët grekë kanë kryer hulumtime dhe kanë zbuluar se si vepron koronavirusi i ri kur ekspozohet ndaj temperaturave më të larta.
Artikulli në këtë portal online thotë se "megjithëse të dhënat mbi efektin e temperaturës në përhapjen e koronavirusit deri më tani kanë qenë të ndryshme, hulumtimi më i fundit i kryer në Greqi duket se tregon se virusi transmetohet më pak në vendet me temperatura të larta".
Më tej, Sputnik shkruan:
"Kemi gjetur efekt të qartë të temperaturës në shkallën e përhapjes së kësaj sëmundjeje, sepse vendet me temperatura më të ulëta të ajrit, veçanërisht ato me temperaturë mesatare prej 0 deri në 18 gradë Celsius, kanë treguar rritje më të madhe të rasteve të reja me COVID-19 në ditë dhe një numër të përgjithshëm të rasteve të konfirmuara që është më i lartë krahasuar me vendet me temperatura mesatare më të larta", tha Yurgulianis për ANU.
Ky informacion ishte publikuar nga disa portale online në të gjithë rajonin – Krstarica, Srbininfo dhe Glas javnosti. Artikulli u shpërnda edhe në faqet e tyre në rrjetet sociale, gjë që çoi në rritje të numrit të njerëzve që e panë këtë informacion.
Vullnetarët - reporterë e rinj të UNICEF-it konsultuan uebfaqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për ta verifikuar këtë pretendim:
“Bazuar në dëshmitë e deritanishme, virusi COVID-19 mund të transmetohet në të gjitha zonat, përfshirë zonat me mot të nxehtë dhe të lagësht. Pavarësisht nga klima, merrni masa mbrojtëse nëse jetoni ose udhëtoni në një zonë që raporton për raste me COVID-19. Mënyra më e mirë për t'u mbrojtur nga COVID-19 është duke larë duart shpesh. Duke vepruar kështu ju eliminoni viruset që mund të jenë në duart tuaja dhe shmangni infeksionin që mund të ndodhë duke prekur më pas sytë, gojën ose hundën".
Gjithashtu, OBSH-ja ka raportuar se nuk ka asnjë arsye për të besuar se moti i ftohtë mund të mbysë koronavirusin e ri ose sëmundjet tjera. Temperatura mesatare e trupit të njeriut mbetet rreth 36.5 deri 37 gradë Celsius, pavarësisht nga temperatura e jashtme ose moti.
Ne gjithashtu pyetëm Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) të Malit të Zi nëse kishte ndonjë efekt të dukshëm të temperaturës në shpejtësinë e përhapjes së koronavirusit.
"Nuk është e mundur të konkludohet me saktësi nëse kjo gjë është rezultat i ndikimit të izoluar të temperaturës së ajrit ose disa faktorëve të tjerë që shkojnë bashkë me të, siç janë ndryshimet në sjelljen dhe zakonet e njerëzve (p.sh. kur moti është i ngrohtë, njerëzit kanë tendencë të kalojnë më pak kohë në ambiente të mbyllura, veçanërisht në pranverë), sasia e rrezeve ultravjollcë të diellit për të cilat dihet se mbysin mikroorganizmat, dhe të ngjashme”, shkruante deklarata e ISHP-së.
Gjithashtu i pyetëm nëse raportimet e mediave rajonale se "vendet me temperatura mesatare më të ulëta të ajrit, veçanërisht ato me temperaturë mesatare prej 0 deri në 18 gradë Celsius, po përjetojnë rritje më të madhe të rasteve të reja me COVID-19 në ditë dhe një numër të përgjithshëm të rasteve të konfirmuara që është më i lartë krahasuar me vendet me temperaturë mesatare më të lartë” ishin të bazuara në gjetje shkencore.
“Shumë infeksione të frymëmarrjes, veçanërisht gripi, kanë një model të qartë sezonal dhe mbeten më të zakonshme në fund të vjeshtës dhe në dimër. Kjo ka shumë të ngjarë të jetë pasojë e zakoneve dhe sjelljes së njerëzve në lidhje me kalimin e kohës më shumë brenda në shtëpi së bashku me njerëzit e tjerë. Gjithashtu është pasojë e ndryshimeve të caktuara në membranat e mukozës të hundës dhe gojës - vendet më të zakonshme ku virusi hyn në trup. Ndoshta këtu janë të përfshirë shumë faktorë, e jo se temperatura e ajrit si e vetme kontribuon në ndryshime të tilla”, pohon Instituti i Shëndetit Publik.
Bazuar në të gjitha këto argumente, mund të konkludojmë se informacioni që virusi përhapet më shpejt në vendet me temperaturë më të ulët nuk mund të konsiderohet fakt shkencor.
Reporterët e rinj të UNICEF-it u bëjnë thirrje qytetarëve të Malit të Zi që të verifikojnë të gjithë informacionin që e lexojnë në media dhe rrjete sociale dhe të përdorin vetëm burime të besueshme informacioni – uebfaqet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe UNICEF-it.
Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.