Nuk është provuar se syzet të mbrojnë nga infeksioni i koronavirusit

Verifikim faktesh

Jovana Vujoviq, Reportere e re e UNICEF-it në Mal të Zi
fact checking blog visual
UNICEF Mali i Zi
19 Maj 2021

Në fund të shkurtit, është shfaqur informacioni në mediat lokale se personat që mbajnë syze kanë më pak gjasa të preken nga koronavirusi. Ne, reporterët e rinj të UNICEF-it, të angazhuar për verifikimin e fakteve, kemi vendosur të verifikojmë nëse këto pretendime mediatike janë të vërteta.

Tekstet theksojnë se hulumtimet kanë treguar që personat të cilët mbajnë syze janë dy ose tre herë më pak të ekspozuar ndaj rrezikut nga koronavirusi për shkak se supozohet se ata prekin më pak sytë me duar, gjë që i ndihmon të mos bartin virusin përmes duarve të tyre.

Sipas mediave, hulumtimi është kryer në Indi me 304 të anketuar mes moshës 10 dhe 18 vjeçare të cilët ishin shëruar nga COVID-19 dhe është botuar në faqen kineze të internetit medRxiv.

Në të kaluarën kemi analizuar tashmë informatat e transmetuar nga media vendase nga faqja e internetit medRxiv, e cila publikon raporte preliminare shkencore në mjekësi para se ato të rishikohen nga ekspertët.

Në seksionin "Rreth nesh" në atë faqe interneti, thuhet se kërkimi i postuar atje nuk duhet të botohet në media si burim i besueshëm informacioni, e as si udhëzime për stafin mjekësor për punën e tyre në të ardhmen.

Duke verifikuar postimet në këtë faqe interneti, kemi konstatuar se kjo analizë është duke vazhduar, dhe se rezultatet nuk janë ende përfundimtare.

Dallimi mes proceseve të vazhdueshme dhe të përfunduara është i madh, sepse rezultati përfundimtar i kërkimit mund të dalë i kundërt, përkatësisht shkencëtarët mund të arrijnë në përfundimin se personat që mbajnë syze nuk janë më pak të ekspozuar ndaj rrezikut nga koronavirusi.

Mediat kishin shkruar për këtë gjatë vjeshtës të vitit 2020, pasi hulumtuesit kishin vërejtur që në spitalet në Kinë kishte më pak persona të infektuar me dëmtime në të parë.

Më pas, mediat shkruan se para se të nxitojmë tek mjekët okulistë, duhet të marrim parasysh se mostra e këtij hulumtimi ishte e vogël dhe se hulumtimi tregonte vetëm një lidhje dhe jo një shkak dhe efekt të drejtpërdrejtë midis mbajtjes së syzeve dhe shkallës së infektimit me koronavirus.

Ekspertët u bëjnë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të mbajnë maska mbrojtëse dhe të respektojnë masat parandaluese kundër koronavirusit, pavarësisht nga ky hulumtim dhe hulumtimet e ngjashme.

Duke pasur parasysh të dhënat që kemi marrë, nuk mund të themi me siguri se informacioni është i saktë - që syzet mbrojnë nga koronavirusi - por mund të konkludojmë se mediat duhet të jenë më të kujdesshme kur publikojnë informata që nuk janë vërtetuar plotësisht shkencërisht. Për të mos rënë në kurthet e lajmeve të rrejshme (ang. fake news), është e rëndësishme të lexoni me kujdes, të verifikoni informacionin dhe të ndiqni burimet zyrtare.

Në përpjekje për të kontribuar në parandalimin e përhapjes së dezinformatave për koronavirusin dhe për t'i promovuar burimet e besueshme të informacionit, reporterët e rinj të UNICEF-it kanë vendosur të verifikojnë saktësinë e informacionit të publikuar në rrjete sociale dhe në media, informacion i cili ka tërhequr vëmendjen e publikut. Gjatë verifikimit të saktësisë së informacionit, ata kanë ndjekur shembullin e Platformës për Shpalosje para Publikut "Raskrinkavanje" dhe e kanë përdorur pjesërisht metodologjinë e saj e cila është në dispozicion të publikut.