Në botën digjitale, fëmijët kanë nevojë për prindër të cilëve mund t'u drejtohen
Gjatë Muajit Botëror të Prindërimit, UNICEF-i bën thirrje për investime në edukimin mediatik, digjital dhe mbi IA-në për fëmijët, prindërit, kujdestarët dhe shkollat
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 8 qershor 2026 – Kujdesi prindëror sot nuk nënkupton më vetëm t'i pyesësh fëmijët si u shkoi dita në shkollë, por edhe të kuptosh çfarë përjetojnë në internet. Prandaj, me rastin e Muajit Botëror të Prindërimit, që shënohet çdo vit në qershor, UNICEF-i bën thirrje për mbështetje më të madhe për prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit dhe shkollat, që t'i ndihmojnë fëmijët të orientohen në mënyrë të sigurt në botën digjitale dhe të përfitojnë prej saj.
“Kur ndodh diçka shqetësuese në internet, shumë prej nesh kanë frikë se të rriturit do të reagojnë në mënyrë të tepruar, do të na ndalojnë përdorimin e telefonave ose nuk do të kuptojnë çfarë po përjetojmë”, tha Bajram Krasniqi, reporter i ri i UNICEF-it në Mal të Zi. “Më së shumti ndihmon kur të rriturit janë të qetë, dëgjojnë dhe përpiqen të kuptojnë e ndihmojnë, e jo të gjykojnë.”
Reporterja e re e UNICEF-it në Mal të Zi, Iva Rashoviq, tha se shumë fëmijë dhe prindër po mësojnë njëkohësisht për botën digjitale.
“Prindërit tanë nuk janë rritur me rrjete sociale, mjete të IA-së apo njoftime të vazhdueshme si ne”, tha ajo. “Prandaj mendoj se fëmijët dhe të rriturit duhet të mësojnë së bashku si të mbrohen në internet, të dallojnë përmbajtjet e dëmshme dhe të flasin hapur për atë që ndodh në internet.”
Sipas studimit Disrupting Harm, të publikuar në prill 2026, vetëm rreth një e treta e fëmijëve të moshës 12-17 vjeç në Mal të Zi (35%) thonë se prindërit i ndihmojnë shpesh ose shumë shpesh kur diçka në internet i shqetëson. Studimi tregon gjithashtu se gati tri të katërtat e fëmijëve të kësaj grupmoshe (74%) thonë se dinë më shumë për internetin sesa prindërit ose kujdestarët e tyre.
“Fëmijët sot rriten në një botë digjitale që ndryshon më shpejt sesa mund ta ndjekin shumë të rritur”, tha Michele Servadei, përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi. “Njohuritë dhe aftësitë në fushën e medias, teknologjisë digjitale dhe IA-së po bëhen thelbësore për jetën - jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit dhe komunitetin e gjerë. Çdo fëmijë ka nevojë për të rritur të besuar që e dëgjojnë, e udhëzojnë dhe e mbështesin kur has vështirësi në internet, duke e ndihmuar njëkohësisht të mendojë në mënyrë kritike, të marrë vendime të informuara dhe të orientohet në mënyrë të sigurt në botën digjitale.”
Ndryshimet e shpejta teknologjike, rrjetet sociale, dhuna në internet dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale po e transformojnë fëmijërinë dhe po krijojnë sfida të reja për familjet, shkollat dhe institucionet, por edhe mundësi të reja për të nxënë, për pjesëmarrje dhe për zhvillimin e aftësive.
Duke punuar me fëmijët, prindërit, kujdestarët, shkollat dhe institucionet në mbarë Malin e Zi, UNICEF-i mbështet nisma që forcojnë edukimin mediatik, digjital dhe mbi IA-në, nxisin krijimin e mjediseve më të sigurta në internet dhe i ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë aftësitë që u duhen në një botë që ndryshon shpejt.
Nevojiten vazhdimisht investime më të mëdha në edukimin mediatik, digjital dhe mbi IA-në përmes sistemit arsimor, përfshirë reformat kurrikulare në vijim, si dhe mbështetje më e madhe për prindërit dhe mësimdhënësit, që fëmijët të orientohen të sigurt në botën digjitale dhe të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të ardhmen.