Kultura e dialogut - themeli i demokracisë
“Simulimi i punës së parlamentit për nxënësit e shkollave të mesme” u ofron të rinjve një mundësi për të zhvilluar një kulturë të dialogut dhe për të forcuar demokracinë në Mal të Zi

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 3 nëntor 2022– Kultura e dialogut është themeli i demokracisë. Kjo mësohet që në moshë të re dhe programi “Simulimi i punës së parlamentit për nxënësit e shkollave të mesme” u ofron të rinjve mundësinë për të zhvilluar një kulturë të dialogut dhe në këtë mënyrë për të forcuar demokracinë në Mal të Zi, tha Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, në hapjen e kësaj nisme edukative të Parlamentit të Malit të Zi.

“Le të fillojmë nga fakti se ne jemi dakord të mos pajtohemi, domethënë që mund të kemi mendime të ndryshme, gjë që është krejtësisht në rregull. Kjo është mëse normale dhe e dëshirueshme, sepse sa më shumë prej nesh ta shikojmë të njëjtin problem nga këndvështrime të ndryshme, aq më mirë e kuptojmë atë. Çdo zgjidhje për një problem ka disa anë të mira dhe disa të këqija. Qëllimi është të angazhohemi në dialog për të zgjedhur një zgjidhje dhe për të rënë dakord se si synojmë t'i kapërcejmë sfidat e kësaj zgjidhjeje.”
Dijana Lekovic, nxënëse në shkollën e mesme të përgjithshme ‘Petar I Petrovic Njegos’, beson se të rinjtë kanë nevojë për më shumë edukim për sistemin politik. “Është e nevojshme të forcohet edukimi qytetar për të rinjtë që të jenë më aktivë në jetën e komunitetit,” tha Lekoviç.
Jovan Sekuliq, nxënës në Shkollën e Mesme Ekonomike “Mirko Vesovic”, tha se falë programit të simulimit, ai kishte mësuar për të gjitha elementet e punës së Parlamentit. “Mësimi më interesant ishte diskutimi i termit ‘demokraci’,” theksoi Sekuliq.
Qëllimi i programit “Simulimi i punës së Parlamentit” është të ndihmojë adoleshentët të njihen praktikisht me procesin e miratimit të një ligji, që nga hyrja e tij në procedurë parlamentare, deri te vendimmarrja në seancë plenare. Në këtë mënyrë, të rinjtë mund të fitojnë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë pjesë në hartimin e politikave dhe ligjeve që ndikojnë në jetën e tyre.

Kryetarja e Parlamentit, Danijela Gjuroviq, vlerësoi se fëmijët dhe të rinjtë janë të interesuar për mënyrën se si merren vendimet e rëndësishme shtetërore, por nuk kanë mundësi të mjaftueshme për të mësuar rreth temave nga fusha e edukimit qytetar. “Jam e kënaqur që kam mundësinë të flas me ju sot në sallën plenare të Parlamentit të Malit të Zi,” tha Gjuroviç.
Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Mal të Zi, Karen Maddocks, theksoi se të rinjtë duhet të kenë zë në procesin politik, qoftë në parlament, parti politike, organizata joqeveritare apo media.
“Shpresoj që mundësia që keni sot për të qenë në rolin e deputetit nuk do të jetë kontakti juaj i vetëm me parlamentin. Ju inkurajoj që të vazhdoni t'u kujtoni politikanëve - përfaqësuesve tuaj - se ata janë këtu për t'u shërbyer interesave tuaja," tha Maddocks.

Nxënësit e shkollave të mesme ishin të etur për të mësuar se si shteti synon t'u mundësojë të rinjve të familjarizohen me punën e organeve shtetërore dhe nëse më shumë nxënës të shkollave të mesme do të përfshihen në programe të ngjashme të simulimit dhe të zbulojnë se në cilin vend ballkanik të drejtat e fëmijëve dhe të rinjëve janë nën kërcënimin më të madh, etj.
Gjatë ditës së parë të programit, pjesëmarrësit simuluan punën që zhvillohet gjatë seancës konstituive të parlamentit, e më pas punën në klubet e deputetëve dhe komisionet parlamentare.
Programi “Simulimi i punës së Parlamentit” organizohet për të dytin vit nga Qendra Edukative e Parlamentit të Malit të Zi me mbështetjen e zyrës së UNICEF-it në Mal të Zi. Në simulimin e sivjetmë morën pjesë nxënës nga katër shkolla të mesme – shkolla e mesme e përgjithshme ‘Slobodan Skerovic’ dhe shkolla e mesme ekonomike ‘Mirko Vesovic’ nga Podgorica, shkolla e mesme e përgjithshme 'Cetinje' dhe shkolla e mesme e përgjithshme ‘Petar I Petrovic Njegos’ nga Danilovgrad.