Gjithçka ka të bëjë me aftësitë
Nisma “Prilike” e mbështetur nga UNICEF-i ofron mundësi që adoleshentët me aftësi të kufizuara, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, të përfshihen në përvoja pune praktike në sektorin privat në Mal të Zi

- Gjendet në:
- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 4 dhjetor 2022 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, UNICEF-i po bën thirrje për ofrimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. Nisma “Prilike” e mbështetur nga UNICEF-i është shembull i një mënyre për ta bërë këtë, pasi u ofron mundësi adoleshentëve me aftësi të kufizuara që, së bashku me bashkëmoshatarët e tyre, të angazhohen në përvoje pune praktike në sektorin privat në Mal të Zi.
Radovan Džuver është një nga 50 adoleshentët me aftësi të kufizuara që iu bashkuan kësaj nisme gjatë vitit 2022. Ai tha se kishte mësuar shumë se si punët duken vërtet në botën reale. Sipas tij, më shumë mundësi si kjo duhet të ofrohen për të rinjtë me ose pa aftësi të kufizuara, pasi i ndihmojnë ata të bëjnë zgjedhje të mira për karrierën e tyre dhe të përgatiten për të.
“Mesazhi im për të gjithë punëdhënësit në Mal të Zi është t'u japim një mundësi personave me aftësi të kufizuara,” tha Radovan.
Mentorja dhe punëdhënësja e tij, Jelena Perovic, theksoi se fakti që Radovani po bënte përvojë pune praktike në kompaninë e tyre kishte fuqizuar ndërgjegjësimin e tyre sa i përket rëndësisë së diversitetit brenda kompanisë së tyre.
“Ne duhet të fokusohemi në atë që mund ta bëjmë, jo në atë që nuk mund ta bëjmë. Për shembull, Radovanin e shoh si ligjërues, mentor, ose ndoshta si aktivist të OJQ-ve në të ardhmen. E shoh duke ndërgjegjësuar për faktin se ai mund të ofrojë shumë. Edhe pse është nxënës me aftësi të kufizuara në shkollë të mesme, ai është anëtar i një klubi noti, luan shah, këndon etj.”, shtoi Perovic.
Ashtu si Radovani, Borjana Radulović gjithashtu kishte përvojë të dobishme pune praktike përmes programit “Prilike”. Ajo mori komente pozitive nga klientët për masazhet e saj në praktikën për fizioterapi dhe u familjarizua me mënyrën se si funksionojnë pajisjet e ndryshme për fizioterapi.
“Do të doja t'u bëja thirrje të gjithë punëdhënësve në Mal të Zi që t'u japin një mundësi personave me aftësi të kufizuara,” tha Borjana.
Për mentoren dhe punëdhënësin e saj, Angela Vojvodic, ishte hera e parë që një vajzë e re me aftësi të kufizuara po bënte përvojë pune praktike tek ajo. Ajo theksoi se si kjo përvojë ishte e shkëlqyer për kompaninë.

“Mesazhi im për të gjithë punëdhënësit është që të përfshijnë më shumë të rinj me aftësi të kufizuara në punë, sepse puna me ta është vërtet përvojë fantastike. Ata mund të bëjnë shumë dhe dinë shumë. Pra, le t'u japim të gjithë atyre një mundësi," tha Vojvodic.
Marina Vujacic nga Shoqata e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara, një nga partnerët kryesorë të nismës “Prilike”, e cilësoi atë si një program mjaft të dobishëm për përgatitjen e të rinjve me aftësi të kufizuara për të bërë një jetë të pavarur produktive dhe të kënaqshme si të rritur.
“Mesazhi ynë për të gjithë të rinjtë është që ta shfrytëzojnë çdo mundësi që ju vjen. Në këtë epokë, programe si ky janë mjaft domethënës për të rinjtë, pasi u japin atyre mundësi t'i zhvillojnë aftësitë e komunikimit, të njihen me parimet bazë të marrëdhënieve të punës dhe proceseve të vendimmarrjes në vendin e punës”, theksoi Vujacic.
Për UNICEF-in, “Prilike” është një nga nismat e shumta që kjo organizatë po mbështet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë që i jep mundësi të barabarta çdo fëmije në Mal të Zi.
“Shumë shpikës, shkencëtarë, artistë të famshëm dhe personazhe të tjerë të famshëm kishin aftësi të kufizuara, si Beethoven, Frida Kahlo, Hawking, Picasso dhe shumë të tjerë. Kontributet e tyre për njerëzimin na kujtojnë mesazhin e UNICEF-it – Gjithçka ka të bëjë me aftësitë. Çdo fëmijë ka të drejtën e mundësive për të arritur potencialin e tij të plotë në jetë. Bashkohuni me ne për t'i dhënë çdo fëmije dhe të riu në Mal të Zi atë mundësi dhe ata do ta transformojnë këtë vend në potencialin e tij të plotë," tha Juan Santander, Përfaqësues i UNICEF-it në Mal të Zi.
Nina Krgovic nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e sheh "Prilike" si një nismë të shkëlqyer për të promovuar punësimin gjithëpërfshirës të të rinjve në Mal të Zi, në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE. Ajo kujton Garancinë Evropiane për Rininë, një nga politikat më inovative të tregut të punës të viteve të fundit, që angazhon të gjitha vendet anëtare të BE-së që t'u ofrojnë të gjithë të rinjve nën 30 vjeç mundësi pune si ato që u ofruan përmes programit "Prilike" në Mal të Zi.

“Të rinjtë me aftësi të kufizuara janë një grup i konsiderueshëm i burimeve njerëzore në çdo vend. Duke i përfshirë në nismat e punësimit të të rinjve, ne i ndihmojmë ata të bëhen qytetarë produktivë që do të kontribuojnë në ekonominë e vendit. Kjo është në interesin më të mirë të të rinjve dhe të gjithë Malit të Zi”, theksoi Krgovic.
Deri më tani, më shumë se 1500 adoleshentë, nga të cilët 50 ishin me aftësi të kufizuara, kanë pasur përvoja pune praktike përmes programit “Prilike”, zbatuar me mbështetjen e UNICEF-it dhe Fondacionit TUI Care dhe në partneritet me Shoqatën e të Rinjve me Aftësi të Kufizuara, Shoqatën për Prosperitet Demokratik – ZID dhe OJQ-në Digitalizuj.me.
Në vitet e ardhshme, me mbështetjen financiare të Fondacionit TUI Care, programi synon të përfshijë shkollat dhe sektorin privat më intensivisht për t'i siguruar çdo adoleshent në Mal të Zi të paktën një përvojë pune para përfundimit të shkollës së mesme. Në këtë mënyrë, të rinjtë do të jenë më të përgatitur për të bërë zgjedhje për punën dhe arsimimin e tyre në të ardhmen.