Ata mësojnë rreth të drejtave të fëmijëve përmes vizatimit dhe teatrit

Vajzat dhe djemtë romë dhe egjiptianë mësuan për të drejtat e fëmijëve dhe si t'i ushtrojnë ato

Milica Bogdanović
Edison
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
28 Janar 2021

PODGORICË, 28 JANAR 2021. –  Në krahasim me popullatën e përgjithshme, vajzat dhe djemtë romë dhe egjiptianë braktisin shkollën më shpesh, martohen në fëmijëri, ose shëndeti i tyre ndikohet negativisht nga shtatzënitë në adoleshencë.

Për të rritur vetëdijesimin për të drejtat e fëmijëve dhe mjetet e mbrojtjes në dispozicion, Qendra për Iniciativat Rome (CRI), mbështetur nga UNICEF-i dhe Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë, ka zhvilluar një program për fëmijët romë dhe egjiptianë që synon t'i edukojë ata për mënyrat e mundshme për të adresuar shkeljet.

Në punëtoritë e mbajtura nga CRI-ja morën pjesë 116 vajza dhe 114 djem, kryesisht nga komunitetet rome në Nikshiq, Berane dhe Podgoricë, të cilët mësuan rreth Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Një grup fëmijësh nga Nikshiqi, përfshirë Mirsadin (14), Sarandën (14) dhe Amelën (11), përdorën një qasje forum teatri për të nxjerrë në pah problemet që prekin komunitetet rome dhe egjiptiane, duke u dërguar një mesazh bashkëmoshatarëve të tyre rreth rëndësisë së të drejtës për arsim.

“Shfaqja nis me një ton paksa të pikëlluar, sepse prindërit e mi nuk më lejojnë të shkoj në shkollë, por dëshirojnë që unë të martohem. Në fund, të gjithë jemi të lumtur falë pedagogut të shkollës, i cili bisedoi me prindërit e mi dhe unë vazhdova shkollën”

Amela (11), aktorja e rolit kryesor në shfaqje
Amela
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2021
Amela përdori një qasje forum teatri për të nxjerrë në pah problemet që prekin komunitetet rome dhe egjiptiane.

Duke pasur parasysh situatën e COVID-19, Mirsadi, Saranda dhe Amela nuk arritën të performonin para një publiku të drejtpërdrejtë; por në vend të kësaj, pjesëmarrësit e punëtorive shikuan performancën e inçizuar të shfaqjes.

“Fëmijëve u pëlqeu shumë. Ata duartrokitën. Pyetën nëse kjo kishte ndodhur vërtet, kush ishte përfshirë. Aktorët arritën të bindnin publikun se ngjarja kishte ndodhur në të vërtetë”, vuri në dukje Fana Delija, Drejtoreshë Ekzekutive e CRI-së.

Përveç forum teatrit, një grup tjetër i fëmijëve nga Nikshiqi, përfshirë Edisonin (15) dhe Anitën (13), prezantuan të drejtat e fëmijëve përmes veprave të artit. Vizatimet, tani të ekspozuara në zyrat e CRI-së në Nikshiq, përshkruajnë situata të ndryshme ku e drejta për arsim, ndalimi i martesave të fëmijëve ose dhuna në familje apo e drejta për kujdesin shëndetësor ose janë mbështetur ose janë shkelur.

Anita
UNICEF në Mali të Zi / Dusko Miljanic / 2021
Anita prezantoi të drejtat e fëmijëve përmes veprave artistike.

“Jeta pa të drejtat e njeriut do të ishte e trishtueshme”.

Anita (13), një nga autorët

Fëmijët raportuan se kishin mësuar për rëndësinë e ushtrimit të të drejtave të tyre, veçanërisht të drejtës për arsim.

 

"Është tejmase e rëndësishme të përfundosh shkollën".

Edisoni (15), një nga autorët
Edison
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
Edison prezantoi të drejtat e fëmijëve përmes veprave artistike.

Si një segment i rëndësishëm i edukimit për të drejtat e fëmijëve, djemtë dhe vajzat nga komunitetet rome dhe egjiptiane theksuan se ata kishin mësuar se si të reagojnë dhe kujt t'i drejtohen në rast të ndonjë shkeljeje.

Në pyetjen se kujt do t'i drejtoheshin së pari nëse do të rrezikoheshin të drejtat e tyre, ata u përgjigjën njëzëri: "Shkollës!"

Fana Delija nga CRI-ja shtoi se, në raste të tilla, fëmijët mund t'i drejtohen edhe CRI-së, institucioneve përkatëse, Avokatit të Popullit dhe policisë.

“Edukimi për të drejtat e njeriut dhe fuqizimi i fëmijëve dhe të rinjve është një proces i mundimshëm, por mjaft i dobishëm në drejtim të mbrojtjes dhe respektimit më të mirë të të drejtave të fëmijëve”.

Fana Delija, Drejtoreshë Ekzekutive e CRI-së
Fana Delija, Drejtoreshë Ekzekutive e CRI-së
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
Fana Delija, Drejtoreshë Ekzekutive e CRI-së

Nada Djurovic Martinovic, Zyrtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në UNICEF, theksoi rëndësinë e punës intensive, që përfshin vajza dhe djem nga komunitetet rome dhe egjiptiane dhe të mësuarit e tyre rreth mundësive për ushtrimin e të drejtave të tyre për arsim dhe jetë të shëndetshme.

Nada Đurović - Martinović
UNICEF në Mal të Zi / Dusko Miljanic/ 2021
Nada Djurovic Martinovic, Zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve në UNICEF

“Është me rëndësi jetike që ata të jenë të vetëdijshëm për alternativat ndaj martesave të fëmijëve dhe se si të kenë qasje në drejtësi kur të drejtat e tyre shkelen”.

Nada Djurovic Martinovic, Zyrtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në UNICEF

CRI-ja ka zbatuar këtë projekt brenda kornizës së një iniciative gjithëpërfshirëse të Qasjes së Barabartë në Drejtësi për të Gjithë Fëmijët, zbatuar nga Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi, me asistencë teknike të siguruar nga UNICEF-i dhe mbështetur financiarisht nga Qeveria e Mbretërisë së Norvegjisë me qëllim fuqizimin e fëmijëve të cenueshëm që të kenë qasje të barabartë në drejtësi dhe t'u drejtohen institucioneve kur të drejtat e tyre shkelen ose nuk njihen.