Çdo i pesti qytetar i Malit të Zi beson teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat
Sondazhi tregon se besimi në shkencë, institucionet e kujdesit shëndetësor dhe profesionistët është vendimtar për shëndetin publik.

- Crnogorski
- English
- Shqip
PODGORICË, 1 GUSHT 2021 - Sipas një sondazhi të kryer në mars të këtij viti nga agjencia kërkimore Ipsos në një mostër përfaqësuese kombëtare, çdo i pesti qytetar i Malit të Zi, pra 20 për qind e popullsisë, beson teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat. Sondazhi u krye me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Podgoricë dhe të UNICEF-it.
Sondazhi tregon se besimi në shkencë, institucionet e kujdesit shëndetësor dhe profesionistët është vendimtar për shëndetin publik. Gjegjësisht, prindërit që nuk i besojnë mjekut të fëmijës së tyre kanë tendencë të besojnë më shumë teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat, së bashku me qytetarët që nuk u besojnë institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe institucioneve akademike. Për më tepër, ata që nuk besojnë shkencën, por besojnë në fenomene të mbinatyrshme, paranormale që mbeten të pashpjegueshme nga shkenca e sotme, priren të besojnë më shpesh teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat.
Të dhënat e sondazhit që zbulojnë se teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat mbahen kryesisht në mesin e prindërve të cilët janë të shqetësuar se fëmija i tyre mund të pësojë efekte anësore serioze nga vaksina, ose se vaksinat e marra nga fëmijët nuk janë të sigurta, ose se këto vaksina mund të mos parandalojnë sëmundjen, tregojnë se një debat publik mbi vaksinat është i nevojshëm me qëllim diskutimin e të gjitha shqetësimeve të qytetarëve dhe ndërtimin e besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor. Për më tepër, një përqindje më e madhe e teorive të konspiracionit në lidhje me vaksinat pranohen nga ata prindër që thonë se nëse do të kishin një fëmijë sot, ata nuk do të donin që fëmija të merrte të gjitha vaksinat e rekomanduara, ose të paktën vaksinën MMR.
Të dhënat që tregojnë se njerëzit që besojnë teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat gjithashtu kanë tendencë të besojnë teoritë e konspiracionit në lidhje me koronavirusin dhe thonë se ata nuk do të vaksinoheshin kundër koronavirusit, ilustrojnë se dyshimet për vaksinat lidhen me sjelljen e qytetarëve gjatë pandemisë së koronavirusit.
Shkalla në të cilën shkrim-leximi mediatik është i rëndësishëm për shëndetin publik, tregohet nga fakti se teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat përqafohen më shumë nga ata qytetarë që janë ekspozuar ndaj një sasie të madhe të informacioneve të pasakta në lidhje me koronavirusin, si dhe nga ata që shpesh ndihen të frustruar kur kërkojnë informacione mbi këtë temë dhe të cilët asnjëherë ose rrallë i kontrollojnë informacionet që i hasin në mediat kryesore, siç janë programet e lajmeve në TV, radio, portalet e internetit ose në gazeta.
Fakti që ata qytetarë, të cilët thonë se kanë pushuar së qeni miq me dikë sepse nuk ishin dakord me pikëpamjet e tyre, priren të besojnë në teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat dëshmon më shumë për rëndësinë e forcimit të një kulture të dialogut përmes shkrim-leximit mediatik dhe debatit publik mbi vaksinat.
Sondazhet mbi teoritë e ndryshme të konspiracionit në të gjithë botën nënkuptojnë se shpesh ekziston një lidhje ndërmjet qëndrimeve ndaj teorive të konspiracionit dhe pikëpamjeve mbi shoqërinë dhe të drejtat e njeriut. Kjo është demonstruar edhe nga sondazhi malazez: një përqindje më e madhe e njerëzve që besojnë në teoritë e konspiracionit në lidhje me vaksinat besojnë se qeveria po ndërhyn shumë në jetën e përditshme të njerëzve dhe se duhet të ndalojë së treguari njerëzve se si ta jetojnë jetën e tyre. Për më tepër, ata kanë tendencë të pretendojnë se ka shumë këmbëngulje për të drejta të barabarta në Mal të Zi, si dhe se një numër i madh i problemeve në shoqërinë e sotme burojnë nga shembja e familjes tradicionale, në të cilën një burrë punon ndërsa një grua qëndron në shtëpi.
Mostra përfaqësuese kombëtare e analizuar për këtë sondazh përfshin 821 të anketuar të moshës 18 vjeç e më shumë nga i gjithë vendi. Të dhënat u mblodhën në periudhën nga 24 deri më 26 mars të këtij viti përmes një pyetësori telefonik me kohëzgjatje mesatare prej 20 minutash. Gjetjet kryesore të sondazhit janë në dispozicion në Uebfaqjen e UNICEF Mali i Zi.