Respekt – për çdo fëmijë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, reporterët e rinj të UNICEF-it u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Malit të Zi që të respektojnë njëri-tjetrin dhe të ushqejnë kulturën e dialogut.

16 Nëntor 2022
4. generacija
UNICEF Mali i Zi/Krsto Vulovic/2022
Blocks
Ipsos podatak
UNICEF Mali i Zi

PODGORICË, 16 nëntor 2022 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, e cila festohet në të gjithë globin më 16 nëntor, reporterët e rinj të UNICEF-it u dërguan një mesazh të gjithë qytetarëve të Malit të Zi përmes një videoje në TikTok video: “Nuk duhet të pajtohemi domosdo, por të paktën le të respektojmë njëri-tjetrin.”

“Është e nevojshme të shpjegohet pse ‘ndryshe’ nuk do të thotë ‘më keq’”, tha me këtë rast Luka Vujovic, një reporter i ri i UNICEF-it dhe u bëri thirrje bashkëmoshatarëve të tij që të punojnë së bashku edhe me ata të cilët janë të ndryshëm në çdo aspekt.

Reporterët e rinj të UNICEF-it krijuan një video në TikTok për të rikujtuar situata nga jeta e tyre, si për shembull kur ata mbështesin klube të ndryshme sportive ose kanë mendime që ndryshojnë nga mendimet e miqve dhe anëtarëve të familjes së tyre, dhe u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve që të respektojnë njëri tjetrin dhe të ndërtojnë një mjedis pa dhunë.

Reporterja e re e UNICEF-it Nada Stanisic beson se kultura e dialogut, respekti i ndërsjellë dhe pranimi i diversitetit mësohet në moshë të re në familje, kopsht të fëmijëve, shkollë dhe komunitetin lokal, por edhe përmes mediave. Ajo u bëri thirrje shkollave të organizojnë seminare të rregullta për të inkurajuar pranimin e diversitetit. Programi i UNICEF-it i quajtur "Vlerat dhe virtytet e mia" është shembull i shkëlqyer i kësaj, theksoi Stanisic.

“Çdo familje duhet të ofrojë çdo ditë shembuj të mirësjelljes përmes të cilave tregohet respekti i ndërsjellë, pavarësisht nga dallimet në opinione dhe mosha mes anëtarëve të saj, ndërsa media, të gjithë liderët dhe të famshmit duhet të promovojnë një sistem vlerash të bazuar në respektimin e diversitetit, në vend që të shpërndajnë fyerje dhe gjuhë urrejtjeje”, tha Stanisiç.

Përfaqësuesi i UNICEF-it në Mal të Zi, Juan Santander, shfrytëzoi rastin për të kujtuar se dhuna ndaj fëmijëve dhe dhuna me bazë gjinore janë pranuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e Malit të Zi si çështje me shqetësim serioz.

“Ndërtimi i një kulture pa dhunë është prioritet për shoqërinë malazeze. Për të arritur këtë qëllim, institucionet përkatëse, si shkollat, qendrat për punë sociale, policia, gjyqësori dhe qendrat e kujdesit parësor shëndetësor, duhet të bashkojnë forcat në çdo komunitet lokal. Është gjithashtu jetike që Mali i Zi të përgatisë një Strategji të re për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna, e cila do të përfshijë dhunën në internet dhe gjuhën e urrejtjes”, tha Santander.

Sipas anketës Global Kids Online 2016, të kryer me mbështetjen e UNICEF-it, pothuajse një e treta (28%) e të rinjve në Mal të Zi të moshës 12 deri në 17 vjeç konfirmuan se ishin viktima të dhunës së bashkëmoshatarëve. Po e njëjta anketë zbuloi se një e treta e të rinjve të moshës 12 deri në 17 vjeç (32%) deklaruan se shpesh humbin durimin dhe zemërohen lehtë. Të dhënat tregojnë nevojën për të forcuar aftësitë sociale dhe emocionale të fëmijëve në mënyrë që ata të mësojnë se si të menaxhojnë emocionet e ndryshme, të përmirësojnë komunikimin dhe të adoptojnë sjellje adekuate për zgjidhjen paqësore të konflikteve.

Për të gjitha këto arsye, që nga viti 2015 UNICEF-i ka mbështetur zbatimin e programit “Vlerat dhe virtytet e mia”, i cili synon të nxisë zhvillimin e aftësive sociale dhe emocionale brenda sistemit të arsimit të zakonshëm. Programi fokusohet në tolerancën, kreativitetin, ndjeshmërinë dhe punën në grup.

Në dhjetor të vitit të kaluar, 76 për qind e qytetarëve të Malit të Zi që morën pjesë në një anketë të Ipsos thanë se ata besonin se thellimi aktual i ndarjeve në Mal të Zi dhe gjuha e urrejtjes përmes së cilës promovohen konfliktet ndëretnike dhe fetare, kishin efekte negative në shëndetin mendor të të rinjve dhe gatishmërinë e tyre për të pranuar diversitetin.

Përjetimi i dhunës dhe gjuhës së urrejtjes mund të minojë vetëbesimin e të rinjve, si dhe të rrezikojë shëndetin e tyre mendor dhe fizik, madje edhe jetën e tyre. Përvoja të tilla mund t'ia vështirësojnë përqendrimin dhe të jenë të suksesshëm në shkollë dhe mund të humbin besimin e tyre tek bashkëmoshatarët – duke çuar në izolim ose ulje të ndjeshme të shoqërimit me bashkëmoshatarët, gjë që është e rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e duhur të çdo fëmije.

Fëmijët që janë viktima të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës së bashkëmoshatarëve mund të kontaktojnë shkollën e tyre, qendrën për punë sociale, policinë dhe Mbrojtësin e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe linjën telefonike kombëtare 116-111 për fëmijë dhe të rinj, e cila nuk shërben vetëm si shërbim për të cilin mund të raportohet dhuna, por edhe si burim i mbështetjes dhe këshillave psikologjike për çdo çështje që shqetëson fëmijët dhe të rinjtë.

Dita Ndërkombëtare e Tolerancës festohet në të gjithë botën që nga viti 1995 me qëllim promovimin e respektit për opinionet e ndryshme, kulturës së dialogut dhe jo dhunës.

Kontakte me mediat

Jelena Perović
Communication Officer
UNICEF Montenegro
Tel: +382 69 225 315

Për çdo fëmijë - respekt