Si ta kuptoni nëse fëmija juaj po bullizohet?
Shumë fëmijë dhe adoleshentë përjetojnë bullizëm. Por nuk është gjithmonë e lehtë për një prind të dijë kur është duke ndodhur kjo - ose kur duhet të ndërhyjë. Këtu janë shenjat kryesore të bullizmit në shkollë dhe atij online.
Deri në një në pesë fëmijë përjetojnë bullizëm në shkollë, ndërsa një në tre janë bullizuar ndonjëherë online.
Bullizmi mund të ndikojë në shëndetin mendor të fëmijëve, shëndetin e tyre fizik dhe performancën e tyre në shkollë. Ndoshta keni dëgjuar nga disa njerëz se bullizmi nuk është edhe aq serioz, ose se është një fazë nëpër të cilën duhet të kalojnë të gjithë fëmijët në mënyrë që të 'bëhen më të fortë'. Por kjo është e pavërtetë. Krahas ndikimeve të tij të menjëhershme, bullizmi mund të ketë pasoja të rëndësishme afatgjata. Disa hulumtime tregojnë se fëmijët ose adoleshentët që bullizohen janë në rrezik më të lartë për depresion, ankth, çrregullime paniku dhe vetëvrasje në moshën madhore.
Kjo do të thotë se është thelbësore që prindërit dhe mësimdhënësit të ndërhyjnë kur një fëmijë bullizohet. Por është e zakonshme që fëmijët të mos flasin menjëherë për bullizmin me prindërit e tyre ose të rriturit e tjerë dhe nuk është gjithmonë e lehtë të vërehet se kur është duke ndodhur.
Këtu janë disa shenja që duhen shikuar.
Ndryshimet në sjellje. Ndërsa sjellja e një fëmije ose adoleshenti mund të ndryshojë (madje edhe papritur) për shumë arsye, ndryshimet e pashpjegueshme mund të jenë shenjë e një lloji të ri stresi në jetën e tyre – siç është bullizmi. Disa fëmijë mund të jenë më të qetë ose të duken të tërhequr. Mund të duken se humbasin vetëbesimin që kishin më parë. Mund të duken më nervozë ose në ankth. Ose mund të duken tejet të zemëruar. Mund që gjithashtu të bëhen jashtëzakonisht të fshehtë(sekretë).
Edhe sjellja agresive – verbale ose fizike – ndaj të tjerëve mund të jetë shenjë e bullizmit. Në fakt, fëmijët që kanë përjetuar abuzim fizik ose emocional (qoftë nga bashkëmoshatarët apo të rriturit) kanë më shumë gjasa të shfaqin një sjellje të tillë edhe vetë.
Probleme me të ngrënit ose gjumin. Ndryshimet në zakonet e të ngrënit ose të gjumit mund të jenë shenjë se diçka tjetër është duke ndodhur. Kjo mund të përfshijë, për shembull, rastet kur fëmija ose adoleshenti fillon të hajë shumë më tepër ose shumë më pak se zakonisht, nuk mund të flejë ose fillon të ketë makthe.
Simptomat fizike. Madje, stresi mund të shfaqet edhe përmes simptomave fizike. Nëse një fëmijë ose adoleshent ankohet për probleme siç janë dhimbje barku, dhimbje koke ose të përziera, kjo mund të jetë si reagim ndaj një përvoje negative siç është bullizmi.
Shmangia nga shokët e shoqet, shkolla ose rrjetet sociale. Nëse një fëmijë ose adoleshent duket i/e frikësuar ose në ankth që të shkojë në shkollë, mungon në shkollë ose thotë se nuk ndihet mirë në mëngjes - për arsye që nuk mund të shpjegohen fizikisht - kjo mund të nënkuptojë që është duke u bullizuar në shkollë. Ose mund të ketë performancë më të dobët në shkollë sesa më herët.
Sigurisht, bullizmi mund të ndodhë edhe jashtë shkollës. Nëse një fëmijë nuk i takon më shokët e shoqet ose bashkëmoshatarët pas shkollës ose gjatë fundjavave, kjo mund të jetë një tregues se ai/ajo është 'lënë jashtë' grupeve të tij/saj shoqërore dhe është duke u bullizuar.
Në mënyrë të ngjashme, nëse më herët i kanë përdorur rrjetet sociale dhe tani i shmangin ato, ia vlen të shikohet nëse kanë përjetuar bullizim online.
Nuk dëshiron të flas për shokët e shoqet, shkollën apo rrjetet sociale. Në mënyrë të ngjashme, nëse një fëmijë më herët fliste për miqësitë e tij/saj dhe tani jo, kjo mund të jetë një shenjë e tensioneve në miqësi, duke përfshirë edhe bullizmin potencial. Kur një prind ose mësimdhënës e pyet se çfarë ishte duke bërë në rrjetet sociale, një fëmijë që është duke u bullizuar mund të zemërohet ose të shmangë shpjegimin.
Shenjat fizike. Nëse një fëmijë është duke u bullizuar fizikisht, mund ta vëreni se ky fëmijë ka lëndime, si p.sh. mavijosje. Rrobat e tij/saj mund të grisen. Ose sendet e tij/saj mund të 'humben', ose të dëmtohen.
Është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se ndonjë ose të gjitha gjërat që u përmendën më sipër mund të ndodhin për shumë arsye. Në vetvete, ato nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se një fëmijë po bullizohet. Megjithatë, nëse i vëreni këto shenja paralajmëruese, mund t'i ndërmerrni hapat e mëposhtëm për të kuptuar më shumë dhe për të ndërmarrë veprime sipas nevojës.
Çfarë mund të bëni nëse jeni të shqetësuar se fëmija juaj po shfaq shenja të bullizimit? Së pari, është e rëndësishme t'i kushtoni kohë lidhjes me fëmijën tuaj. Bëjani me dije fëmijës suaj se jeni në dispozicion për ta dëgjuar dhe se mund t'i ndajë lirshëm sfidat me ju, në mënyrë që të mund t'i ofroni mbështetje dhe ndihmë për t'i shqyrtuar opsionet. Pyeteni me butësi fëmijën tuaj për bullizmin dhe bëjani me dije se nuk duhet të ndihet në faj nëse dikush është duke e bullizuar.
Nëse fëmija juaj e pranon se është duke u bullizuar, falënderojeni që ua tregoi këtë dhe përpiquni të kuptoni se çfarë ka ndodhur. Mund të ndihmojë nëse shkruani çdo rast të bullizmit (madje edhe për ta pasur si dëshmi për ta ndarë me shkollën ose akterë të tjerë sipas nevojës). Merrni parasysh veprimet e mundshme që duhet ndërmarrë së bashku. Shmangni inkurajimin e fëmijës tuaj për ta përdorur agresionin ose dhunën si përgjigje ndaj bullizmit, pasi shpesh kjo mund t'i përkeqësojë gjërat; përkundrazi, shqyrtoni opsionin që t'u shmanget këtyre situatave dhe të flasë me një mësimdhënës ose autoritet tjetër. Lëreni fëmijën tuaj t'i përcaktojë hapat që duhen ndërmarrë dhe përpiquni t'i rezistoni "ndërhyrjes" për të ofruar zgjidhje derisa ta keni dëgjuar fillimisht atë. (Këtu janë disa këshilla nga UNICEF-i se si të komunikoni me adoleshentin tuaj).
Nëse fëmija është duke u bullizuar në shkollë, ose nëse është duke u bullizuar online nga nxënës të tjerë, drejtojuni shkollës së tij/saj dhe punoni me ta së bashku për të zgjidhur problemin. Shumica e shkollave e marrin seriozisht bullizmin dhe ndërmarrin veprime kundër tij. Por bullizmi duhet të raportohet në mënyrë që ato ta bëjnë këtë. Mos harroni se njerëzit që janë viktima të çfarëdo forme dhune, duke përfshirë çdo lloj bullizmi, meritojnë drejtësi dhe që autori i dhunës të mbahet përgjegjës.
Mund të ndihmojë edhe nëse e mbështetni fëmijën tuaj në mënyra të tjera. Për shembull, mund ta ndihmoni që ta rrisë vetëbesimin duke e inkurajuar që t'i bashkohet orëve mësimore ose aktiviteteve që i pëlqen dhe që ia mundësojnë të krijojë miqësi të reja. Njihni dhe përforconi pikat e forta të fëmijës suaj duke i dhënë mundësi që të shkëlqejë dhe duke i dhënë komente pozitive. Është thelbësore që ta trajtoni me dashamirësi dhe t'ia rikujtoni se gjithmonë mund të flasë me ju për çdo gjë, në mënyrë që të ndihet i/e mbështetur nga ju dhe në mënyrë që ta kuptojë se meriton të trajtohet me respekt dhe dhembshuri, e jo të bullizohet.