Institucionalizimi i Mbrojtjes Sociale Reaguese ndaj Goditjeve në Kosovë

Një Udhëzues i ri për Qëndrueshmërinë e Sistemit

UNICEF
English
UNICEF/2024/A.Nimani
26 Janar 2026

Pas suksesit të ofrimit të mbështetjes së përkohshme gjatë COVID-19, Kosova, ashtu si shumë vende në botë, po shqyrton mënyra për të reformuar sistemin e saj të mbrojtjes sociale, jo vetëm për të ulur varfërinë, por edhe për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe për të përshtatur shpejt mbështetjen në përgjigje të goditjeve të ardhshme.

Megjithatë, në fillim të këtij procesi, praktikuesit u përballën me një pyetje të thjeshtë: si të institucionalizohet reagimi ndaj goditjeve dhe cilat reforma janë të nevojshme? Në vitin 2025, u ndërmor një hap i rëndësishëm për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje dhe për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale, me lansimin e Udhëzuesit për Mbrojtjen Sociale Reaguese ndaj Goditjeve në Kosovë (SRSP) (link këtu).

Nevoja për një Udhëzues

Në vitin 2024, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me mbështetjen e UNICEF-it në Kosovë, punoi me ekspertë për të realizuar një Vlerësim të Gatishmërisë (link këtu), duke reflektuar mbi përvojën e COVID-19 dhe duke vlerësuar nëse programet e mbrojtjes sociale të Kosovës mund të përshtaten përballë goditjeve të ardhshme. Vlerësimi ngriti një pyetje të thjeshtë, por të fuqishme: Nëse një goditje e madhe do ta godiste Kosovën nesër, a do të mund të reagonte sistemi i mbrojtjes sociale mjaftueshëm shpejt për t’i ndihmuar familjet në nevojë?

Vlerësimi u mbështet në ekspertizën e komunave, Qendrave për Punë Sociale dhe partnerëve nga spektri humanitar dhe zhvillimor. Ai analizoi se si programet kryesore të përfitimeve në para, si Skema e Asistencës Sociale (SAS) dhe Skema e Shtesave për Fëmijë (SSF), mund të përshtaten në raste emergjente dhe nëse sistemet mbështetëse janë të gatshme të ofrojnë ndihmë të shpejtë dhe të synuar.

Gjetjet ofruan si inkurajim ashtu edhe drejtim. Kosova ka shumë nga elementet e duhura: pronësi të fortë qeveritare, mbulim universal me dokumente identifikuese, kanale digjitale të pagesave dhe një fuqi punëtore aktive të mbrojtjes sociale në nivel komunal. Gjatë krizës së COVID-19, Qeveria demonstroi fleksibilitet duke dyfishuar përfitimet dhe duke zgjeruar përkohësisht kriteret e përfitimit për asistencën sociale – një dëshmi e qartë se përshtatja është e mundur kur nevojitet.

Megjithatë, rishikimi nxori në pah edhe sfida kyçe: boshllëqe në mbulim për familjet afër varfërisë, koordinim të kufizuar ndërmjet institucioneve të menaxhimit të fatkeqësive dhe atyre të mbrojtjes sociale, si dhe mungesën e një fondi të dedikuar rezervë për financimin e reagimeve emergjente. Këto mësime u bënë bazë për veprim.

Zhvillimi i Udhëzuesit: Shndërrimi i Analizës në Veprim

Reforma e mbrojtjes sociale zakonisht fokusohet fillimisht në atë se çfarë duhet bërë përmes përshtatjes së ligjeve ose politikave. Megjithatë, në Kosovë, praktikuesit vendosën të ndjekin një qasje sistemore, duke përdorur rekomandimet nga vlerësimi i gatishmërisë për të përcaktuar se si të institucionalizohet reagimi ndaj goditjeve në të gjithë sistemin e mbrojtjes sociale. Qëllimi kryesor ishte të sigurohej qartësi operacionale në komponentë të ndryshëm: shënjestrimi dhe kriteret e përfitimit, financimi, sistemet e të dhënave, dizajni i transfereve, sistemet e pagesave, koordinimi dhe mekanizmat e ankesave.

Kjo siguron që procesi i zhvillimit të akteve nënligjore dhe udhëzimeve administrative në kuadër të Ligjit të ardhshëm për Mirëqenie Sociale dhe Programet e Mbrojtjes Sociale të jetë në përputhje me realitetin operacional të përdorimit të programeve dhe sistemeve ekzistuese gjatë emergjencave.

Udhëzuesi ofron udhëzime praktike në të gjitha fazat, duke sugjeruar informacionin që duhet përfshirë në kornizën ligjore, si dhe mënyrat për të rritur shkallën e ndërhyrjes: zgjerimin e përkohshëm të mbulimit, përshtatjen e kritereve të përfitimit ose rritjen e përfitimeve, pa humbur kontrollin apo transparencën.

Udhëzuesi gjithashtu prezanton mjete të reja: mekanizma financimi të paracaktuar, përfshirë një fond rezervë të propozuar për të siguruar burime financiare brenda ditësh nga një krizë; mekanizma të qartë aktivizimi që përcaktojnë kur dhe si të lansohet asistenca emergjente; sisteme të integruara të të dhënave që lidhin regjistrat socialë, gjendjen civile dhe vlerësimet humanitare; si dhe procedura standarde të operimit për koordinimin ndërmjet Ministrisë, komunave dhe aktorëve humanitarë.

“Do të doja ta kishim pasur një udhëzues të tillë në fillim të pandemisë COVID-19, kur ishim nën presion të jashtëzakonshëm, duke pasur frikë për jetën dhe sigurinë e familjeve tona, ndërkohë që përpiqeshim të dizajnonim masa emergjente të mbrojtjes sociale pa asnjë përvojë paraprake. Udhëzuesi na ndihmon të kalojmë nga reagimi ndaj krizave në gatishmëri për to. Ai na jep strukturë dhe qartësi, që në kohë të vështira, reagimi ynë të jetë i shpejtë, i drejtë dhe i ndërtuar mbi sistemet që njerëzit tashmë i besojnë.”
Selvete Sadiku, Shefe e Divizionit të Asistencës Sociale, MFPT

Arsyetimi për Investimin në Mbrojtjen Sociale Reaguese ndaj Goditjeve në Kosovë

Në një klimë në ndryshim dhe një ekonomi globale të pasigurt, goditjet nuk janë më ngjarje të rralla. Për familjet që tashmë jetojnë në kufijtë e mbijetesës, një përmbytje, humbje e vendit të punës apo rritje e çmimeve mund t’i shtyjë shpejt nën kufirin e varfërisë. Në Kosovë, rreth 15,000 persona preken nga fatkeqësitë çdo vit, me dëme ekonomike prej 8.5 milionë eurosh; pritet rritje e intensitetit dhe shpeshtësisë së reshjeve dhe thatësirave: përmbytjet e shpejta po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në zonat malore, ndërsa përmbytjet e lumenjve ndodhin më shpesh në fushat dhe zonat e ulëta; gjithashtu, tërmetet mund të sjellin humbje prej 2 për qind të GDP-së në vitin 2050.

Prandaj, bërja e mbrojtjes sociale reaguese ndaj goditjeve nuk është një inovacion opsional, por një mburojë thelbësore për zhvillimin njerëzor.

Përfitimet shkojnë përtej emergjencave. Duke planifikuar mekanizma financimi, duke forcuar sistemet e të dhënave dhe duke trajnuar stafin në vijën e parë, Kosova po përmirëson gjithashtu performancën e përditshme të programeve të saj të mbrojtjes sociale. Kur sistemi ndërtohet për të përballuar kriza, ai bëhet më i fortë, më i drejtë dhe më efikas edhe në kohë normale.

Partneritet për Përparim

UNICEF-i në Kosovë e ka mbështetur MFPT-në në çdo hap të këtij rrugëtimi, nga lehtësimi i konsultimeve dhe misioneve në terren, deri te ofrimi i ekspertizës globale dhe mbështetjes teknike për hartimin e dokumenteve. Organizata ka sjellë gjithashtu mësime nga vendet fqinje që kanë operacionalizuar me sukses sisteme reaguese ndaj goditjeve, duke ndihmuar Kosovën të përshtasë njohuritë globale me realitetin e saj institucional. Këto iniciativa po kontribuojnë drejtpërdrejt në projektin e reformës së asistencës sociale të udhëhequr nga MFPT dhe të financuar nga Banka Botërore. UNICEF do të vazhdojë të punojë me Ministrinë dhe Bankën Botërore për të pilotuar elementët kyç të Udhëzuesit, për të zhvilluar materiale trajnimi dhe për të siguruar që planifikimi i gatishmërisë të bëhet pjesë e praktikës së përditshme.

Rruga përpara

Vlerësimi i gatishmërisë dhe Udhëzuesi nuk janë pika përfundimtare, por gurë themeli drejt një sistemi më të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale në Kosovë. Faza e ardhshme do të fokusohet në testimin e qasjes, përmirësimin e procedurave standarde dhe integrimin e parimeve të SRSP-së në legjislacionin kombëtar.

Kur të vijë kriza e radhës, pyetja nuk do të jetë më nëse sistemi mund të veprojë, por sa shpejt dhe sa efektivisht mund t’i arrijë familjet dhe fëmijët e tyre me mbështetjen e nevojshme.