Fëmijët me aftësi të kufizuara në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore 'përballen me përjashtim në shumë mjedise', gjë që i privon ata nga shërbimet dhe kujdesi bazë

Raporti i ri i UNICEF-it vë theksin mbi pabarazitë në kujdesin dhe qasjen në shërbimet esenciale tek fëmijët me aftësi të kufizuara

05 Dhjetor 2023
English
UNICEF/2021/S.Karahoda

GJENEVË, 1 dhjetor 2023 – Fëmijët me aftësi të kufizuara në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore, sipas një analize të re të të dhënave nga nëntë vende dhe territore në të gjithë rajonin të publikuar sot nga UNICEF, përballen me diskriminim në shtëpitë, shkollat dhe komunitetet e tyre.

Fëmijët me Aftësi të Kufizuara në Evropë dhe Azi Qendrore: Përmbledhja statistikore e mirëqenies së tyre përmban të dhëna nga Bjellorusia, Gjeorgjia, Kosova, Kirgistani, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turkmenistani dhe Uzbekistani që theksojnë pabarazitë e mëdha sa i përket qasjes në shërbimet bazë dhe kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. 

“Fëmijët me aftësi të kufizuara ende përballen me përjashtim në shumë mjedise: nga mbështetja e kufizuar në shkolla, mos leximi për ta apo mungesa e lojës në shtëpi, deri te përjetimi i disiplinës së dhunshme”, tha Regina De Dominicis, Drejtoreshë Rajonale e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore.

“Megjithëse është bërë përparim i konsiderueshëm, kemi nevojë që të gjitha shërbimet dhe mjediset të përshtaten dhe të bëhen gjithëpërfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara. Gjëja më e rëndësishme në këtë aspekt është eliminimi i stigmës dhe diskriminimit lidhur me atë se si perceptohen dhe trajtohen fëmijët me aftësi të kufizuara duke investuar në kapacitete në çdo nivel”.  

Në shumicën e vendeve ku ka të dhëna të disponueshme, fëmijët me aftësi të kufizuara përjetojnë shkallë më të lartë të agresionit psikologjik dhe ndëshkimit të rëndë fizik nga kujdestarët e tyre nëse bëjmë krahasim me fëmijët që nuk janë me aftësi të kufizuara. Më shumë se 80 për qind e fëmijëve në Kirgistan dhe Maqedoninë e Veriut përjetojnë agresion psikologjik krahasuar me 72 për qind dhe 69 për qind të fëmijëve që nuk janë me aftësi të kufizuara.

Në përgjithësi, fëmijët me aftësi të kufizuara kanë më pak gjasa të shkojnë në shkollë krahasuar me fëmijët që nuk janë me aftësi të kufizuara. Në Turkmenistan dhe Serbi, fëmijët me aftësi të kufizuara kanë më pak gjasa të marrin stimulimin adekuat të hershëm dhe kujdes të përgjegjshëm krahasuar me fëmijët që nuk janë me aftësi të kufizuara. Në këto vende, fëmijët me aftësi të kufizuara kanë gjithashtu më pak gjasa të kenë dy ose më shumë lodra. Në Uzbekistan, një e treta e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk përfshihen në lojëra ose aktivitete me prindërit e tyre ose të rriturit e tjerë në shtëpi.

Duke ditur këto sfida, UNICEF-i punon në të gjithë rajonin për të siguruar mbështetjen më të mirë të mundshme për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara, që nga vitet e hershme e deri në adoleshencë dhe gjatë kohës sa përgatiten për jetë cilësore të pavarur në komunitetet e tyre.

UNICEF-i prioritizon përpjekjet për mbylljen e institucioneve rezidenciale dhe krijimin e kujdesit alternativ në familje ose në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe për rritjen e investimeve në shërbimet e komunitetit.  

Në shumë vende, programet e vizitave në shtëpi janë zgjeruar për t'u dhënë familjeve të fëmijëve me aftësi të kufizuara mbështetjen e duhur dhe për t'i lidhur ata me shërbime të specializuara. Kjo ka rëndësi të madhe në parandalimin e ndarjes nga familja.

Në mbarë Evropën dhe Azinë Qendrore, UNICEF-i është duke punuar me qeveritë për t'i dhënë prioritet arsimit gjithëpërfshirës duke i bërë shkollat e zakonshme dhe mësimin të qasshëm, gjithëpërfshirës dhe të sigurt nga stigma, diskriminimi dhe dhuna.

Raporti ofron një sërë rekomandimesh për vendet me qëllim të mbështetjes më të mirë të familjeve dhe për të ndihmuar që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje të barabartë në shërbime gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin:

  • Bërja e shërbimeve sociale, sistemeve arsimore dhe mjediseve gjithëpërfshirëse dhe të qasshme me qëllim të parandalimit të ndarjes nga familja dhe për të siguruar që të gjithë fëmijët përfitojnë nga kujdesi dhe ndihma, të mësuarit, informacioni dhe loja e bazuar në komunitet.   
  • Mbrojtja e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga dhuna, abuzimi, neglizhimi dhe shfrytëzimi si dhe sigurimi i mbështetjes familjare dhe qasjes në mbështetje dhe drejtësi miqësore për fëmijët, mbështetjen përfshirëse për fëmijët me aftësi të kufizuara në rastet e shkeljeve të të drejtave.   
  • Rritja e qasjes në kujdesin për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale.   
  • Puna për të eliminuar stigmën dhe diskriminimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fuqizimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara për të informuar dhe influencuar politikat.  
  • Investimi në mbrojtjen sociale për fëmijët dhe familjet që u mundëson atyre të kenë qasje në shërbime kritike dhe zbut varfërinë, privimin dhe përjashtimin.  
  • Gjenerimi i të dhënave të forta dhe gjithëpërfshirëse që shkojnë përtej prevalencës dhe ndihmojnë në kuptimin e rezultateve për fëmijët me aftësi të kufizuara. 

#####

Shënime për redaktorët

UNICEF-i falënderon dhe vlerëson vendet e paraqitura në këtë raport për mbledhjen e të dhënave të ndara për fëmijët me aftësi të kufizuara përmes Anketave të Grupimeve me Tregues të Shumëfishtë. 

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme