Eduten - Platforma digjitale e të mësuarit të matematikës
Mësuese Nertila Muçka, ndan përshtypjet e saj
Ne në UNICEF, në partneritet me Ministrinë e Arsimit, jemi të lumtur të njoftojmë nisjen e programit Eduten, një nismë novatore që vendos në qendër fëmijët, mësuesit dhe të mësuarit nëpërmjet lojës së lëndës së matematikës. I krijuar nga Universiteti i Turku-t dhe i dëshmuar për ndikimin e tij global, Eduten është më shumë se një platformë digjitale; ky mjet digjital ka transformuar mënyrën se si fëmijët angazhohen me matematikën në mbi 50 shtete dhe në 70% të shkollave në Finlandë. Eduten kombinon metoda efektive të mësimdhënies me teknologjinë moderne për ta bërë të nxënit të matematikës argëtues, gjithëpërfshirës dhe efikas.
Në Shqipëri, 30 shkolla po marrin trajnim praktik për të fuqizuar mësuesit në përdorimin e platformës dhe për të nxitur besimin, kureshtjen dhe qëndrueshmërinë në klasat e tyre. Nga kjo fazë fillestare do të përfitojnë rreth 2,000 nxënës të klasave të treta dhe të katërta, duke i ndihmuar të përmirësojnë aftësitë e tyre në matematikë dhe duke forcuar vetëbesimin te ta.
Patëm mundësinë të flasim me mësuese Nertila Muçka, Durrës, për këtë përvojë unike dhe për mënyrën se si ka transformuar ajo klasën e saj. Lexoni më poshtë intervistën e saj:
Çfarë menduat kur mësuat për herë të parë rreth trajnimit mbi Eduten, që përdor lojërat për të mësuar matematikën?
Kur mësova për herë të parë për trajnimin e Eduten mbi përdorimin e lojërave në mësimdhënien e matematikës, u ndjeva e intriguar dhe kurioze, ndoshta sepse gjithmonë kam qenë e apasionuar pas teknologjisë. Njëkohësisht pyesja veten nëse do të ishte e realizueshme në praktikë.
Si mësuese prej shumë vitesh, kam parë shumë trende arsimore që vijnë e ikin – a është “gamifikimi” thjesht një trend? Unë e mbështes fuqimisht idenë për ta bërë matematikën më argëtuese dhe interaktive në klasë, veçanërisht pasi shumë nga nxënësit e mi e kanë të vështirë të angazhohen me mësimet tradicionale.
Çfarë ju motivoi të merrnit pjesë në këtë trajnim dhe si ju dukë struktura e tij? Ishte angazhuese?
Arsyeja ime për të marrë pjesë ishte rritja e angazhimit dhe këmbënguljes së nxënësve në matematikë. E kuptova se nxënësit shpesh tregojnë pak vëmendje gjatë ligjëratave ose kur punojnë me fletoren e punës, ndaj kërkoja mjete që do ta bënin mësimin më tërheqës. Sesioni ishte i organizuar shumë mire, fillimisht baza teorike, më pas shembuj praktikë dhe në fund procedura konkrete për të krijuar lojërat tona. Materiali ishte i gjerë, duke përfshirë lojëra, enigma, lojëra tavoline dhe aplikacione digjitale të fokusuara në aftësi specifike matematikore. Ishte jashtëzakonisht interaktiv dhe facilitatorët angazhoheshin me ne për të shpjeguar konceptet, çka e mbante procesin argëtues dhe të gjallë. Ajo që më bëri të reflektojë më shumë ishin shembujt praktikë nga mësues të tjerë, si dhe diskutimet në grup, të cilat forcuan konceptet e trajtuara.
Si do t’i aplikoni strategjitë e mësuara në klasën tuaj? Çfarë sfidash parashikoni në zbatimin e këtyre qasjeve të reja?
Do të nis t’i përdor këto teknika duke futur lojëra të shkurtra në fillim të mësimeve për të tërhequr vëmendjen te nxënësit, si përsëritje ose edhe si vlerësim formativ. Për shembull, mund të përshtas një lojë të thjeshtë për të praktikuar shumëzimin ose një lojë me figura për të punuar me thyesat.
Sfidat lidhen kryesisht me infrastrukturën. Na është premtuar që fëmijët do të kenë më shumë laboratorë dhe internet të sigurt në shkolla. Sfida të tjera mund të jenë menaxhimi i kohës, integrimi i lojërave në një kurrikulë të ngarkuar dhe sigurimi që të gjithë nxënësit të marrin pjesë në mënyrë të barabartë, veçanërisht ata që mund të ndihen të intimiduar nga konkurrenca.
Duhet gjithashtu të sigurohemi që lojërat të jenë të harmonizuara me objektivat mësimore, në mënyrë që të mos perceptohen si shpërqendrim. Jam e bindur se integrimi i lojërave do ta ndryshojë tërësisht qasjen e nxënësve ndaj matematikës, duke e kthyer atë nga një detyrë në një sfidë emocionuese. Pres që ata të jenë më të motivuar, më bashkëpunues dhe më të gatshëm për të marrë iniciativa, gjë që besoj se do të përmirësojë ndjeshëm të nxënit e tyre.
Cilat aftësi dhe njohuri të reja nga trajnimi janë më të aplikueshme? Si mendoni se do të ndikojë ky trajnim në mësimdhënien tuaj në të ardhmen?
Gjëja më e vlefshme që mësova është se funksionon në çdo kurrikulë. Analitika e të nxënit e Eduten ofron të dhëna në kohë reale mbi progresin e nxënësve. Mësuesit mund të ndjekin ecurinë e tyre si individualisht ashtu edhe në grup.
Më pëlqeu qasja për krijimin ose përshtatjen e lojërave të thjeshta të përditshme që përforcojnë koncepte specifike matematikore. Gjithashtu mësova si të balancoj argëtimin me edukimin, në mënyrë që loja të mos bëhet thjesht zbavitje pa qëllim mësimor. Këto njohuri janë të paçmueshme, sepse më ndihmojnë të jem më kreative dhe më e fokusuar te nxënësit e mi.
Ky trajnim më inkurajoi të jem më dinamike dhe më e përqendruar te nxënësi në mësimdhënie. Planifikoj të shtoj më shumë elementë të bazuar në lojë, duke përfshirë edhe bashkëkrijimin e lojërave me nxënësit, gjë që do t’i bëjë orët më gjithëpërfshirëse dhe më fleksibile për ritme të ndryshme të të nxënit.
Është frymëzuese të lidhesh me edukatorë të tjerë dhe të mësosh ide të reja.
Çfarë këshille do t’u jepnit mësuesve që hezitojnë të adoptojnë mësimdhënien e bazuar në lojë?
Një kolegu që ndihet i pasigurt për mësimdhënien e bazuar në lojë, do t’i sugjeroja të hidhet në veprim dhe të nisë me hapa të vegjël – të provojë një lojë në javë dhe të reflektojë mbi përvojën.
Siç mësuam në këtë trajnim, lojërat nuk janë për të zëvendësuar mësimdhënien bazë, por për ta përmirësuar atë. Mos u shqetësoni nëse në fillim nuk duket e lehtë; nxënësit tanë do të na udhëheqin dhe buzëqeshjet e tyre do të na rrisin besimin.