Si t’i mënjanoni stereotipet gjinore gjatë lojës

Lojë gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët.

By UNICEF
Girl crawling and playing through hoops in kindergarten
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2019

 Loja është me rëndësi thelbësore për të mësuarit dhe zhvillimin e çdo fëmije. Si prind, ju keni rol kyç në të gjitha këto – si në kohën që mund ta ndani për të luajtur me fëmijët tuaj, ashtu edhe për lodrat, lojërat dhe aktivitetet që i zgjedhni. 

Derisa e bëni këtë, a keni menduar nëse mund të kontribuoni, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, në përforcimin e stereotipave rreth gjinisë, aftësisë së kufizuar, racës, përkatësisë etnike apo kulturës? Mënyra se si e prindëroni fëmijën tuaj në shtëpi kontribuon në socializimin e fëmijëve (si ata mësojnë të sillen sipas normave shoqërore), ndërsa loja është njëra ndër fushë ku ndodh kjo dukuri. 

Për shembull, duke menduar për stereotipat gjinore, vajzat mund të inkurajohen të luajnë me kukulla brenda, ndërsa djemtë inkurajohen të luajnë jashtë. Përderisa kjo i mëson vajzat të jenë kujdestare që në moshë të re, mund gjithashtu ta pengojë aftësinë e tyre për të zhvilluar lloje të tjera të aftësive njohëse, fizike dhe sociale. Djemve u jepen shpesh lodra të tilla si armë për të luajtur dhe inkurajohen të marrin pjesë në aktivitete fizike, që shesh janë më agresive, me djem të tjerë ose kujdestarë meshkuj, të cilat mund të nxisin shprehje jo të shëndetshme të maskulinitetit.

Fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe fëmijët nga grupet e margjinalizuara, mund të mos përfaqësohen fare në lodrat me të cilat luajnë fëmijët tuaj ose në librat që lexojnë, ose mund të paraqiten sipas stereotipave, që kanë ndikim të dëmshëm për ta.

Si prind, ju keni ndikim të drejtpërdrejtë te vogëlushi juaj dhe aftësia e tij për ta parandaluar këtë lloj paragjykimi, përderisa angazhoheni në mësime argëtuese me fëmijën tuaj. Këtu janë dhënë disa mënyra se si mund ta inkurajoni lojën me barazi gjinore dhe gjithëpërfshirëse në shtëpi.

Inkurajoni ndjekjen e mësimit në shkollë dhe jepuni vajzave dhe djemve kohë të barabartë dhe të përshtatshme për të luajtur dhe për të marrë pjesë në punët e shtëpisë, pavarësisht nga gjinia e tyre.

Përkujdesuni që fëmijët tuaj të luajnë me lodra dhe lojëra, të cilat e zhvillojnë grupin e plotë të aftësive sociale dhe njohëse. Për shembull, kërkoni lojëra që e zhvillojnë shkrim-lexim, numërimin, aftësitë e orientimit në hapësirë, aftësitë kognitive dhe sociale ose lodra që e nxisin kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve.

Ndihmojini fëmijët tuaj të lexojnë libra dhe të shikojnë media, të cilat tregojnë histori gjithëpërfshirëse dhe pozitive për fëmijët në të gjithë diversitetin e tyre, që kremtojnë kultura të ndryshme, përfshijnë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe ofrojnë portretizime pozitive të roleve gjinore.

Lërini fëmijët tuaj të luajnë me lodra dhe lojëra të ndërlidhura tradicionalisht me gjininë e kundërt. Të dy vajzat dhe djemtë mund të luajnë me kukulla dhe lodra gatimi, si dhe të përfshihen në lojëra dhe sporte, të cilat kërkojnë aktivitet fizik. Në fund të fundit, lodrat dhe lojërat duhet të jenë mjete që u mundësojnë fëmijëve të bëhen nxënës të shkathët dhe përshtatës dhe të mësojnë aftësi si kreativiteti, komunikimi dhe zgjidhja e problemeve.

Shmangni lodrat dhe lojërat, të cilat i inkurajojnë qëllimisht stereotipat gjinore, siç ambalazhet rozë, njëbrirëshet, ylberin dhe zemra për vajza kundrejt paketimit blu, robotët, anijet kozmike dhe kutit e veglave për djemtë. Sigurohuni që lodrat dhe lojërat që u jepen fëmijëve të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ndryshme në paraqitjen e tyre. 

Bëhuni të vetëdijshëm për mënyrën se si marketingu dhe reklamimi mund t’i përforcojnë normat e dëmshme gjinore dhe t’i përjashtojnë fëmijët. Zgjidhni lodra, libra dhe lojërat, të cilat dërgojnë mesazhe pozitive për fëmijët tuaj.

Parandaloni fëmijët të luajnë me armë dhe lodra të dhunshme, duke përfshirë lojërat digjitale të dhunshme ose të seksualizuara. Industria e lojërave digjitale është një sektor me rritje të shpejtë, i cili gjithashtu është thellësisht i njëanshëm ndaj gjinisë, i seksualizuar dhe e miraton dhunën në pjesën më të madhe të përmbajtjes së saj. Këto lloj lojërash, të luajtura shpesh nga fëmijët, që në fakt i synojnë adoleshentët, kanë kapacitetin për t’i thelluar paragjykimet gjinore dhe për të promovuar sjellje dhe qëndrime jo të shëndetshme dhe të dëmshme te brezat e ardhshëm.

Zëvendësoni ose plotësoni lojërat digjitale me aktivitete fizike konstruktive, siç janë  sportet dhe lojërat në natyrë. Aktiviteti fizik është qenësor për zhvillimin e shëndetshëm të të gjithë fëmijëve, pa marrë parasysh gjininë e tyre, andaj fëmijët duhet të inkurajohen që të përfshihen në lojëra fizike sa më herët që të jetë e mundur përmes sportit, shkuarjes në fushën e sportit ose lojërave me miqtë e tyre. Si prind, përpiquni të mbështesni një gamë të plotë të aftësive njohëse dhe krijuese për fëmijët tuaj dhe sigurohuni që vajzat dhe djemtë të kenë kohë të barabartë të lojës, si në ambient të mbyllur, po ashtu edhe ambient të hapur.

Inkurajoni fëmijën tuaj të përkthejë zemërimin dhe zhgënjimin në zgjidhjen e problemeve, komunikim pozitiv dhe aktivitet fizik konstruktiv në vend që të përdorë agresionin ose ngacmimin.

Mbani mend, loja e ndërton marrëdhënien dhe lidhjen midis prindit dhe fëmijës, prandaj sigurohuni që ta shijoni çdo moment që e kaloni së bashku!

Ky artikull është mbështetur nga Fondacioni LEGO. Për ide argëtuese që e mbështesin mësimin, vizitoni Mësimi përmes lojës 


This article was supported by the LEGO Foundation. For fun ideas that support learning, visit Learning through Play.