Pikat fillestare të bisedës mbi shëndetin mendor: 11–13 vjeç

Ndryshimet fizike, paraqitjet dhe miqësitë – ka shumë për të gjurmuar në këtë kohë sfiduese.

Adolescent boy and his father spending quality time in nature
UNICEF/UN0364081/Merino

Ashtu siç fëmija juaj hyn në pubertet, ai është më i aftë t’i shprehë ndjenjat e tij dhe ka një ndjesi më të fortë për të drejtën dhe të gabuarën.

Fëmijët e kësaj moshe mund t’i bëjnë zgjedhjet e tyre për miqtë, sportin dhe shkollën. Me këtë pavarësi vijon një fokus më i madh në personalitetin, interesat dhe miqtë e tyre.

Ata po ashtu pësojnë edhe shumë ndryshime fizike siç është fillimi i cikleve menstruale për vajzat dhe trashja e zërit të djemve. Për disa fëmijë, këto ndryshime mund të jenë shqetësuese ose të frikshme.
 

Koha për t’u ndryshuar

Ndryshimet e shpejta fizike të kombinuara me shqetësimet për pamjen e tyre dhe rëndësinë e miqësive mund të ndikojnë në mirëqenien mendore dhe emocionale të fëmijës. Pra kjo mund të jetë një kohë sfiduese për fëmijët teksa ata lundrojnë në këtë fazë të rëndësishme të zhvillimit. Fakti që ata e dinë se mund të flasin me ju për shqetësimet ose problemet e tyre, bën ndryshim rrënjësor në botë e tyre.
 

Fëmijët e kësaj moshe mund

  • Të përjetojnë gjendje të ndryshme shpirtërore – duke shkuar përpara e prapa dhe duke përjetuar ngritje dhe rënie.
  • Të ndihen të ngarkuar nga detyrat e shkollës.
  • Të zhvillojnë problemeve/shqetësime rreth ngrënies së ushqimit.
  • Të ndjehen të trishtuar ose të shqetësuar që mund të çojë në mungesë besimi, vetëbesim të ulët dhe çështje të tjera në varësi të fëmijës.
     

Si ta filloni bisedën

  • Ndani kohë dhe hapësirë për ta filluar bisedën pa asnjë presion apo pritshmëri.
  • Shfrytëzoni mundësinë siç është koha kur bëni punët e shtëpisë, gatuani ose kur udhëtoni së bashku.
  • Lëreni bisedën të rrjedhë në mënyrë të natyrshme - të jetë bashkëbisedim dhe jo “parashtrim pyetjesh”.
  • Bëhuni të ndjeshëm ndaj disponimit të tyre – zgjidhni një kohë tjetër, nëse ata janë duke kaluar një ditë të keqe ose janë të zënë.
     

Komunikim i hapur, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë

Nëse vëreni ndryshime në disponimin (humorin) ose sjelljen e fëmijës suaj, tregojini me butësi se e keni vënë re dhe pyesni nëse do të dëshironin të flisnin për këtë. Për shembull:

  • Ata nuk duken aq të shoqërueshëm me miqtë e tyre si më parë - a kanë pasur ndonjë zënkë?
  • Suksesi në mësime fillon të bie – a ka ndonjë lëndë të caktuar me të cilën ata kanë vështirësi?
  • Duket se u është ndryshuar disponimi, janë më të mërzitur ose më të qetë – a thua vallë çka u zien në mendje?

Përkujdesuni të:

Dëgjoni: Përpiquni të dëgjoni në mënyrë aktive atë që ata thonë pa i lënë mendimet dhe gjykimet tuaja ta udhëheqin bisedën. Respektoni dhe inkurajoni mendimin e fëmijës suaj.

Miratoni: Sigurojini se i kuptoni mendimet dhe ndjenjat e tyre, inkurajojini të jenë të hapur me ju dhe sigurojini se jeni aty për ta. Kujtojuni atyre se edhe ju keni qenë në këtë moshë dikur dhe e mbani mend se i keni përjetuar të njëjtat ndjenja.

Ofroni zgjidhje: Pyetini ata nëse kanë menduar se çfarë mund të duhet të ndryshojë – “Çfarë mendoni se duhet bërë?” Nëse nuk kanë përgjigje, ofrojini të dëgjoni dhe bisedoni me ta. Mbështetini ata me gjëra që iu nevojiten për t'u ndjerë më mirë.
 

Mirëpo:

  • Mos iu tregoni atyre se çfarë duhet të bëjnë. Në vend të kësaj, pyesni se si mund të ndihmoni
  • Mos i neglizhoni ose minimizoni ndjenjat e tyre. Mbani mend, është e vështirë të hapesh për ndjenjat, të cilat mund të jenë konfuze për fëmijën.
  • Mos u futni në zënkë. Vëzhgoni mendimet dhe ndjenjat tuaja dhe kini kujdes nga konfliktet. Përpiquni të zgjidhni çdo konflikt ose debat sa më shpejt të jetë e mundur, nëse një gjë e tillë ndodh, kërkoni falje dhe filloni përsëri.
  • Mos i fajësoni të tjerët. Duke thënë “Ky është faji i shkollës suaj!” për shembull, ta eksternalizoni problemin, duke mos e zgjidh atë.
  • Mos bëni krahasim. Shmangni të thoni gjëra të tilla si “Fëmijët e tjerë nuk i kanë këto probleme”.

Mbani mend: Durimi dhe qëndrueshmëria janë me rëndësi kyçe

  • Në këtë moshë, fëmija juaj mund të shprehë më pak dashuri ndaj jush dhe ndonjëherë të duket i vrazhdë ose temperament.
  • Derisa ata bëhen më të pavarur dhe duan të kenë më shumë kontroll, ka shumë mundësi që ndonjëherë të hasni në rezistencë nga ata. Këto biseda janë të reja dhe ndonjëherë mund të jenë të pakëndshme për fëmijën tuaj.

Mbani mend, kjo mund të marrë pak kohë, por përpiquni t'ia bëni gjithmonë të qartë se i doni dhe jeni duke menduar vetëm për mirëqenien e tyre.