Përkujdesje e kujdesshme
Çdo fëmijë meriton fillimin më të mirë të mundshëm në jetë
- English
- Македонски
- Shqip
Vitet e para të jetës janë më vendimtaret.
Nga shtatzënia deri në fëmijërinë e hershme, truri i fëmijës zhvillohet më shpejt se në çdo periudhë tjetër. Këto përvoja të hershme formësojnë shëndetin, të nxënit dhe mirëqenien gjatë gjithë jetës.
Në Maqedoninë e Veriut, shumë fëmijë mbijetojnë, por jo të gjithë arrijnë të zhvillohen dhe të përparojnë.
Sfida
Maqedonia e Veriut ka arritur progres të rëndësishëm në përmirësimin e mbijetesës së fëmijëve dhe rezultateve shëndetësore.
Megjithatë, po shfaqen rreziqe të reja dhe komplekse, dhe shumë fëmijë ende nuk marrin mbështetjen që u nevojitet në vitet më të hershme dhe më kritike të jetës.
Themelet e një zhvillimi të shëndetshëm nuk janë njësoj të forta për të gjithë fëmijët. Ata që lindin në familje të cenueshme - duke përfshirë fëmijët që jetojnë në varfëri, fëmijët romë, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që përballen me disavantazhe të shumëfishta - kanë më pak të ngjarë të përfitojnë nga shërbimet e hershme të mbështetjes. Fëmijët me vonesa në zhvillim ose aftësi të kufizuara shpeshherë identifikohen shumë vonë, me çka zvogëlohen mundësitë për ndërhyrje dhe mbështetje të hershme, gjatë viteve kur mund të ketë ndikimin më të madh.
Vazhdojnë të ekzistojnë mangësi kritike në kujdesin bazë shëndetësor dhe ushqyerje. Mbulimi me imunizim ende nuk është mjaftueshëm i lartë për t’i mbrojtur plotësisht fëmijët, ku vetëm 84,7% e fëmijëve marrin dozën e dytë të vaksinës kundër fruthit (MMR2), ndërsa 85,8% marrin dozën e tretë të vaksinës DTP, duke lënë disa foshnja të ekspozuara ndaj sëmundjeve që mund të parandalohen.
Presionet mjedisore po rriten. Ndotja e ajrit përbën një kërcënim serioz për shëndetin e fëmijëve, duke kontribuar në sëmundje të frymëmarrjes dhe vdekshmëri të parakohshme. Megjithatë, vetëm 59,7% e fëmijëve janë plotësisht të imunizuar kundër sëmundjeve pneumokokale. Përdorimi i përhapur i duhanit i përkeqëson edhe më tej këto rreziqe: 47% e të rriturve pinë duhan, duke rritur ekspozimin e fëmijëve ndaj tymit pasiv në shtëpi dhe në vende publike. Si ndotës kryesor i ajrit në mjediset e mbyllura, tymi i duhanit rrit rrezikun e infeksioneve respiratore, astmës dhe komplikimeve afatgjata shëndetësore, duke shtuar efektet e ndotjes së ajrit të ambient.
Në të njëjtën kohë, sfidat e ushqyerjes po ndryshojnë. Rreth 30% e fëmijëve jetojnë me mbipeshë ose obezitet, ndërsa shkalla e ushqyerjes ekskluzive me gji mbetet e ulët, vetëm 28%, gjë që ndikon në rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm që në fillim të jetës.
Qasja në shërbime mbetet e pabarabartë. Rreth 20.000 fëmijë nuk kanë sigurim shëndetësor, ndërsa fëmijët nga grupet e cenueshme – veçanërisht fëmijët romë – përballen me pengesa shtesë për shkak të vështirësive administrative, si mungesa e dokumenteve personale.
Këto sfida përkeqësohen nga mangësitë në sistemet e mbështetjes së hershme. Shërbimet shpesh janë të fragmentuara dhe familjet mund të mos marrin udhëzime të vazhdueshme dhe të integruara për shëndetin, ushqyerjen, të mësuarit e hershëm, kujdesin e përgjegjshëm dhe prindërimin pozitiv. Shumë prindër dhe kujdestarë, veçanërisht ata që përballen me vështirësi, nuk kanë qasje në informacionin dhe mbështetjen që u nevojiten për të nxitur zhvillimin dhe mirëqenien e shëndetshme të fëmijëve të tyre.
Veçanërisht e rëndësishme është fakti se ende nuk ekziston një sistem i plotë për monitorimin e vazhdueshëm të zhvillimit të fëmijëve në vitet e para të jetës. Pa zbulim të hershëm, rreziqet dhe vonesat mund të mbeten të paidentifikuara, duke humbur mundësinë për ndërhyrje në momentin kur ajo është më e nevojshme.
Si rezultat, shumë fëmijë e fillojnë jetën në disavantazh dhe këto dallime të hershme mund të thellohen me kalimin e kohës.
Zgjidhja
T’i sigurosh çdo fëmije fillimin më të mirë të mundshëm në jetë do të thotë të kalosh nga reagimi ndaj problemeve në parandalimin e hershëm të tyre dhe mbështetjen e familjeve që në fillim.
UNICEF-i punon me partnerët për të forcuar sistemet që ofrojnë mbështetje të hershme dhe të integruar për fëmijët dhe kujdestarët e tyre, duke u dhënë përparësi më të cenueshmëve – përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në rrezik për vonesa në zhvillim, fëmijët romë dhe fëmijët që jetojnë në varfëri.
Një pjesë kyçe e kësaj qasjeje është zgjerimi i rolit të motrave patronazhe. Përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me familjet – veçanërisht ato me të porsalindur të cenueshëm – këto shërbime ofrojnë mbështetje të besueshme dhe praktike aty ku është më e nevojshme: në shtëpi.
Kjo mbështetje shkon përtej kujdesit bazë shëndetësor. Familjet marrin udhëzime për zhvillimin e fëmijës, ushqyerjen, shëndetin mendor, kujdesin e përgjegjshëm, prindërimin pozitiv dhe mbrojtjen nga rreziqet mjedisore, si ndotja. Vizitat në shtëpi ndihmojnë prindërit të fitojnë vetëbesimin dhe aftësitë e nevojshme për të mbështetur të nxënit, zhvillimin dhe mirëqenien emocionale të fëmijëve të tyre që nga ditët e para të jetës.
Njëkohësisht, përpjekjet fokusohen në vendosjen e monitorimit universal të zhvillimit për fëmijët nga 0 deri në 6 vjeç, duke siguruar që zhvillimi i çdo fëmije të ndiqet dhe vonesat të identifikohen herët, kur ndërhyrjet kanë efektin më të madh. Identifikimi i hershëm u mundëson fëmijëve dhe familjeve qasje në mbështetje dhe shërbime në kohë, duke përmirësuar mundësitë për përfshirje, të nxënë dhe mirëqenie.
Integrimi është në qendër të kësaj pune. Shërbimet shëndetësore, ushqyerja, zhvillimi i hershëm i fëmijës dhe shërbimet sociale inkurajohen të bashkëpunojnë, duke siguruar mbështetje të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse, të përshtatur sipas nevojave të çdo fëmije dhe familjeje.
Duke investuar dhe vepruar herët, sistemet mund të parandalojnë sfida afatgjata, të zvogëlojnë pabarazitë dhe të mbështesin çdo fëmijë të arrijë potencialin e tij të plotë.
Fillim i shëndetshëm për një të ardhme më të mirë
Kur fëmijët marrin mbështetjen e duhur në vitet e tyre të para, atëherë ndikimi zgjat gjatë gjithë jetës.
Ata janë më të shëndetshëm. Mësojnë më mirë. Kanë më shumë gjasa të lulëzojnë në shkollë, në komunitetet e tyre dhe në jetë.
Duke forcuar sistemet e kujdesit dhe mbështetjes në fëmijërinë e hershme, Maqedonia e Veriut mund të sigurojë që: çdo fëmijë të arrijë fillim sa më të mirë të mundshëm, çdo prind dhe kujdestar ta gëzojë mbështetjen e nevojshme për të ofruar kujdes dhe asnjë fëmijë të mos lihet pas dore.
Sepse vitet e para janë më të rëndësishmet dhe çdo fëmijë meriton ta fillojë jetën fuqishëm.