Këshilla për siguri nga zjarret
Mësoni se si zjarret ndikojnë tek fëmijët dhe mënyrat për ta mbrojtur familjen tuaj.
- English
- Македонски
- Shqip
Zjarret e pyjeve po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në të gjithë botën. Rritja e temperaturave globale po shkakton mjedise më të nxehta dhe më të thata, të cilat krijojnë kushte ideale për këto zjarre vdekjeprurëse dhe shkatërruese. Zjarret e pyjeve paraqesin një rrezik të menjëhershëm për çdo gjë që u del përpara, ndërsa tymi nga zjarret paraqet një rrezik të gjerë dhe afatgjatë, në veçanti për fëmijët.
Derisa zjarret në pyje rriten si për nga përmasa, po ashtu edhe për nga shpeshtësia, edhe për shkak të faktit se tymi lëviz në distanca të gjata, është e rëndësishme që prindërit dhe kujdestarët të mësojnë se si t’i mbrojnë familjet e tyre nga pasojat e dëmshme të tymit të këtyre zjarreve.
Faktet në lidhje me zjarret e pyjeve
Facts about wildfires
Zjarret e pyjeve janë djegie të paplanifikuara dhe të pakontrolluara të vegjetacionit.
Zjarret shpesh shkaktohen nga njerëz që nuk janë të kujdesshëm, por një kombinim i kushteve ekstreme të motit, siç janë thatësirat dhe erërat e forta, si dhe rrufetë, mund të shkaktojnë një zjarr të vogël ose ta shndërrojnë shpejt një zjarr të vogël në një zjarr të madh të pakontrollueshëm.
Tymi i zjarreve të pyjeve është ndërlidhur me probleme të frymëmarrjes si astma, sëmundjet e zemrës, çrregullimet e trurit dhe sistemit nervor, gjendjet e shëndetit mendor si dhe sëmundjet siç është kanceri.
Ekspozimi ndaj tymit të zjarreve në pyje shkakton dëm më të madh ndaj grave shtatzëna dhe fëmijëve. Mund ta prekë si gruan shtatzënë ashtu edhe fetusin, duke rritur rrezikun e diabetit gjestacional, hipertensionit, lindjes së parakohshme, peshës së ulët në lindje dhe humbjes së shtatzënisë ose lindjeve të foshnjave pa jetë.
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë në rrezik më të lartë për të pësuar sëmundje të frymëmarrjes, probleme metabolike dhe çrregullim kognitiv.
Ndikimi i zjarreve në pyje gjithashtu shkon përtej shqetësimeve të drejtpërdrejta shëndetësore. Efektet e tij më të gjera përfshijnë lëndime, paaftësi, trauma, humbje të mundësive të të mësuarit dhe rekreacionit, madje edhe zhvendosje.
Si ndikon tymi i zjarreve të pyjeve ndaj fëmijëve?
Derisa fëmijët rriten, sistemi i tyre imunitar dhe mushkëritë, që janë në zhvillim e sipër, i bëjnë ata veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të dëmshme të tymit të zjarreve të pyjeve, i cili është më toksik sesa ndotja e përditshme e ajrit. Grimcat e imëta të lëshuara nga zjarret në pyje - të njohura si PM2.5 - mund të depërtojnë thellë në mushkëritë e fëmijëve, duke ndikuar si në shëndetin dhe mirëqenien e tyre të menjëhershme ashtu edhe në atë afatgjatë.
Foshnjat
Organizmi i foshnjave është ende në zhvillim e sipër, ata thithin më shumë ajër dhe janë më afër tokës. Ato janë në rrezik të shtuar të:
- Peshës së ulët në lindje (që ka të bëjë me problemet e frymëmarrjes në jetën e mëvonshme dhe trup më të shkurtër në proporcion me moshën)
- Anomalive të lindjes
- Diabetit të fëmijërisë
- Vdekjes
Fëmijë të vegjël
Sistemet imunitare, truri dhe mushkëritë janë ende duke u zhvilluar në këtë fazë. Po ashtu fëmijët lëvizin më shumë dhe kalojnë kohë jashtë. Kjo rrit rrezikun e:
- Astmës dhe sëmundjeve të frymëmarrjes
- Sisteme imunitare më të dobëta
- Zvogëlim të funksioneve kognitive
Adoleshentët
Adoleshentët janë ende brenda të procesit të zhvillimit mendor dhe fizik, madje janë më aktivë se të tjerët. Ata tani janë në rrezik të:
- Astmës dhe sëmundjeve të frymëmarrjes
- Çrregullimeve metabolike, (p.sh. obeziteti)
- Tensionit të lartë të gjakut (hipertensioni)
- Pasojave negative ndaj shëndetit mendor
Shenjat dhe simptomat e ekspozimit të fëmijëve ndaj tymit të zjarreve të pyjeve
Fëmijët – veçanërisht fëmijët e vegjël – të cilët e thithin tymin e zjarrit në pyje mund ta përjetojnë një spektër të gjerë simptomash. Simptomat fizike përfshijnë:
- Dhimbje dhe shtrëngim të gjoksit
- Vështirësi në frymëmarrje
- Fishkëllima gjatë frymëmarrjes
- Kollë
- Djegie ose irritim në hundë, fyt dhe sy
- Marramendje
➡️Nëse fëmija juaj ka probleme me frymëmarrjen, nuk mund të flejë ose ka probleme të dukshme shëndetësore, dërgojeni menjëherë në një qendër shëndetësore.
Si t’i mbrojmë fëmijët nga tymi i zjarreve në natyrë
Të qenit i përgatitur mund ta ndihmojë gjithë familjen tuaj të qëndrojë e sigurt dhe e bashkuar në një rast emergjence. Nëse jetoni në një zonë në rrezik nga zjarret, duhet së bashku me familjen ta rishikoni planin tuaj një herë në vit, në mënyrë që të gjithë të jenë të përgatitur.
Gjithmonë kushtojini vëmendje lajmeve lokale për motin dhe cilësinë e ajrit, si dhe këshillave për shëndetin publik, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me tymin e zjarreve. Njihni simptomat e thithjes së tymit të zjarreve, në mënyrë që të veproni menjëherë për t’i parandaluar problemet e mëtejshme shëndetësore.
Para se të ndodhë zjarri i pyjeve
- Bisedoni me familjen tuaj rreth zjarreve në pyje. Shpjegojini fëmijës tuaj në një mënyrë të përshtatshme për moshën e tij se çfarë janë zjarret e pyjeve dhe si do të bëni gjithçka që mundeni për t’i mbajtur ata të sigurta.
- Mbani gati një plan evakuimi në raste emergjente, duke përfshirë informacione mjekësore dhe çfarë duhet të bëjë familja juaj nëse ndaheni. Identifikoni strehimoret e sigurta aty pranë ose në zonat fqinje dhe përgatitini fëmijët tuaj duke u siguruar që ata ta kenë informacionin tuaj të kontaktit dhe të dinë çfarë të bëjnë nëse ndaheni. Kontrolloni me shkollën e fëmijës suaj dhe mësoni se cili është plani i shkollës në rast të zjarrit.
- Krijoni një “kuti emergjence” e cila përfshin ushqime që nuk prishen, ilaçe, para, një kuti të ndihmës së shpejtë, një fikës zjarri, maska N95/KN95 (për të rritur dhe për fëmijë), bateri dore për ndriçim, radio, bateri dhe ujë për disa ditë, në rast se duhet të largoheni nga zona juaj ose nëse ndërpriten furnizimet. Përfshini çdo send tjetër të nevojshëm për t’i përmbushur nevojat e familjes suaj, si dhe ruani kopje të dokumenteve të rëndësishme si certifikatat e lindjes, dokumentet e identitetit, fletët e pronësisë etj.
- Nëse jetoni në një zonë të ndjeshme ndaj zjarreve, për shembull pranë vegjetacionit ose pyllit, atëherë nëse është e mundur, krijoni një zonë rezistente ndaj zjarrit rreth shtëpisë - zonë pa gjethe, mbeturina ose materiale të ndezshme - për të paktën 10 metra.
Evakuohuni menjëherë nëse autoritetet ju këshillojnë ta bëni këtë ose nëse shtëpia juaj është në rrezik.
Gjatë zjarrit të pyjeve
- Evakuohuni menjëherë nëse autoritetet ju këshillojnë ta bëni këtë ose nëse shtëpia juaj është në rrezik.
- Nëse është e mundur, zhvendosuni përkohësisht për ta zvogëluar ekspozimin ndaj tymit të zjarrit.
- Nëse është e mundur, mbani fëmijët tuaj brenda me dyert dhe dritaret e mbyllura. Nëse përdorni ajër të kondicionuar, vendoseni kondicionerin e ajrit në qarkullimin e ajrit të brendshëm, në mënyrë që ta parandaloni që tymi i jashtëm të hyjë brenda.
- Përdorni një pastrues ajri portativ, nëse e keni në dispozicion.
- Kufizoni aktivitetin fizik dhe pini ujë për të qëndruar të hidratuar.
- Nëse fëmija juaj duhet të dalë jashtë, shqyrtoni mundësinë e përdorimit të një maske N95/KN95 për mbrojtje. Këto maska shpesh nuk janë të dizajnuara për fëmijë, por ata të moshës 7 vjeçare e më lartë mund të vendosin maska me madhësi të vogla. Fëmijët nuk duhet të mbajnë maskë nëse u shkakton vështirësi në frymëmarrje ose nëse nuk janë në gjendje vetë ta heqin maskën.
Pas përfundimit tëzjarrit të pyjeve
- Mos i lini fëmijët tuaj të marrin pjesë në procesin e pastrimit pas përfundimit të zjarrit. Hiri dhe mbeturinat duhet të hiqen para se të kthehen në shtëpi.
- Nëse fëmija juaj fillon të përjetojë ndonjë nga simptomat e mësipërme, çojeni menjëherë në një qendër shëndetësore. Kushtojini vëmendje çdo simptome fizike ose reagimi emocional në muajt në vijim.
- Fëmijët mund të mos i shprehin simptomat e tyre në të njëjtën mënyrë si të rriturit, andaj duhet të trajtohen me më shumë durim dhe mbështetje pas përjetimit të një ngjarjeje traumatike.
- > Shihni këshilla për qetësimin e fëmijës suaj pas një zjarri në pyll
Gjëra që duhet shmangur
- Për ta kufizuar ekspozimin në burimet tjera të ndotjes së ajrit gjatë dhe menjëherë pas një shuarjes së zjarrit, shmangni:
- Pirjen e duhanit
- Përdorimin e sobave ose oxhaqeve me gaz, propan ose dru, ose qirinjve
- Përdorimin e pastruesve të ajrit që gjenerojnë ozon
- Përdorimin e gjeneratorëve me gaz natyror ose benzinë në ambient të mbyllur
- Përdorimin e kanaçeve me sprej
- Skuqjen ose pjekjen e ushqimit në skarë
- Përdorimin e fshesës elektrike
- Djegien e mbeturinave
- Edhe nëse janë shuar zjarret, megjithatë edhe më tej ndotja e ajrit përreth shtëpisë mund të ndikojë në mënyrë drastike në shëndetin e fëmijës.
> Mësoni më shumë rreth mbrojtjes së fëmijëve nga ndotja e ajrit
Qetësimi i fëmijëve tuaj pas shuarjes së zjarrit
Filloni bisedën dhe mbajeni të hapur
- Përkudesuni që t’i ofroni fëmijës suaj mundësi për të folur rreth zjarrit të pyjeve dhe inkurajojeni atë ta ndajë me ju çdo shqetësim ose ndjenjë frike ose ankthi.
- Bëjani me dije se e dëgjoni me kujdes dhe interesoheni thellësisht për mënyrën se si ndihen.
- Kufizoni ekspozimin e tij ndaj çdo përmbajtje shqetësuese mediatike.
Përkujdesuni që t’ua ngjallni ndenjën e sigurisë
- Shpjegojini atyre se si ka ndodhur zjarri i pyjeve dhe se pasojat e tij nuk do të jenë të përhershme.
- Shfaquni fëmijëve tuaj vëmendje duke kaluar kohë së bashku dhe duke u dhënë shumë përqafime.
Kushtojini vëmendje shenjave të shqetësimit emocional
Përderisa shumë fëmijë do të ndjehen mirë për një muaj a më shumë pas një katastrofe, megjithatë me kalimin e kohës ata mund të fillojnë të shfaqin simptoma të traumës. Është e pritshme të ketë njëfarë ankthi të vazhdueshëm, por nëse nuk ndalet pas disa muajsh ose nëse fëmija juaj manifeston simptoma më ekstreme, si sulme paniku ose dëshirë për ta dëmtuar veten ose të tjerët, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj amë ose një profesionist të shëndetit mendor.
Së bashku praktikoni ushtrime qetësuese
Frymëmarrja e thellë është shumë e dobishme dhe është diçka që mund ta bëni së bashku me fëmijët më të rritur. Nëse keni një fëmijë më të vogël, mund ta shndërroni në një lojë: Çdo orë, shikoni se si mund ta qetësoni mendjen dhe trupin tuaj duke ngadalësuar frymëmarrjen.
Përpiquni ta ruani një lloj rutine
Edhe pse mund të jetë e vështirë, fjetja ose ngrënia në kohë të njëjtë do ta ndihmojë fëmijën të ndihet pak më i lidhur me ndjesinë e normaliteti para ndodhisë së zjarrit.
> Lexoni: Si ta mbështesni fëmijën tuaj në një situatë emergjente
> Mësoni: Si të dalloni shenjat e shqetësimit tek fëmijët